Studentet.mk zhvilloi intervistë me profesorë dhe studentë rreth vizitave të tyre në panairin e librit që u zhvillua këto ditë (08 – 14.09.2020) në qytetin e Shkupit. Në intervistë u përfshinë dy profesor dhe një student.

Zhvillimi i panairit në këtë kohë, gjatë pandemisë, ngjalli emocione të veçanta, së paku kështu u shpreh profesor Naser Miftari, profesor në lëminë e historisë, i cili më tej theksoi: “Këtë vit, apo më mirë thënë kësaj here kisha arsye dhe motiv më shumë për të qenë vizitor, shkaku i gjendjes pandemike. E them kështu ngase kam bindjen, se forma më e mirë për të luftuar “protokollet pandemike” dhe çlirimin shpirtëror nga trysnia psikike e përjetuar gjatë këtyre muajve, është të lexuarit. Leximi dhe të mësuarit, padyshim se​ janë dy performancat më të mira që bëjnë​ mobilizimin mental dhe fizik të organizmit tonë, sidomos në gjendje të këtilla “kufizuese”. Ato janë ushqim dhe kujdestar i vetëm inteligjencës emocionale! Këtë e din të gjithë, por mësimdhënësit dhe mësimnxënësit, assesi nuk duhet anashkaluar. Nga ky këndvështrim, “panairet e librit”,​ janë “kopsht i nektarit të dijes”, andaj gjithnjë jam munduar ti vizitoj, edhe atë me nxënësit e shumë dashur e të respektuar, në vend dhe jashtë vendit. Edhe njëherë do të përsëris, kësaj here u organizuam në mënyrë të veçantë, ku përgjatë gjithë vizitës tonë ishim të shoqëruar dhe udhëzuar nga ekspertë të kësaj fushe, duke na ligjëruar në mënyrë brilante mbi botuesit, botimet, autorët dhe përmbajtjen e tyre, me të cilën na bëri edhe më të afërt me librin.”

Në pyetjen tonë se a arriti ky panair t’i përmbush zbrazëtirat e librarive tona, profesor Miftari u shpreh: “Mendoj se librat, sado shumëshifror të jetë fondi i tyre në sirtar, gjithmonë do të ekzistoj zbrazëtirë mes tyre. Dija është e pakufijshme. Ajo është vetë universi apo më shumë se aq, “patron i gjithësisë”! – Ky panair, si çdo tjetër, e shtoi numrin e librave dhe kureshtjen për shumë më shumë të tjerë, tek unë dhe grupi i nxënësve që më shoqëronin. Këtë e them me plotë përgjegjësi, nga se shtëpitë botuese, në mënyrë të shkëlqyer jo vetëm treguan mikpritje, por të njëjtit, posedonin një arsenal të tërë librash, nga zhanre të ndryshme, si nga autorë vendas, ashtu dhe të huaj. Dua të theksoj një moment të përjetuar nga e kaluara moniste, ku libri shqip ishte nën llupë-cenzur të plotë.”

Përshtypjet e njëjta ishin edhe të Mervan Bakiut, profesor në lëminë e biologjisë. Theksi i tij ishte tek çmimet e librave, nga të cilat ai kishte mbetur i zhgënjyer: “Vizitova panairin e librit qe u mbajt, ndonëse mund të jetë një paragjykim nga ana ime po të them të drejtën ngela pak i acaruar sa i përket çmimit me të cilat tregtohen librat. Sidomos në kohë vështirësish ekonomike sikurse ndodhemi aktualisht, njerëzit duhet të mendohen gjatë para se të bëjnë një blerje libri e po patën mundësi e shtyjnë për më vonë. Panairi i librit ishte vendi më i përshtatshëm për të vëzhguar këtë sjellje konsumatore. Shihja njerëz që vetëm shiqonin dhe i preknin librat e të rrallë ishin ata që blinin. Librat shiteshin me çmim të caktuar e jo me çmim promocional. Në kushte të vëzhgimit në rënie mendoj që botuesit do duhej të kenë marrë mendimin që vlen të mos nisen me idenë që kush ka ndërmend të blej, do të blej pavarësisht mundësive ekonomike që kanë. Athua vallë a është kjo strategji e mirë për t’u ndjekur nga botuesit, a thua cili është qëllimi i tyre, përfitimi material apo tërheqja e konsumatorëve të librit?”

Nuk munguan edhe përshtypjet studentore. Kësaj radhe intervista u zhvillua me Besar Rufatin, student në lëminë e bioinxhinierisë laboratorike.

Duke përmbledhur përshtypjet dhe kritikat, ai u shpreh: “Vizitën e panaireve e parapëlqej ta kem traditë të pandalshme, si në ato vendase edhe ato jashtë vendit. Panairet dallojnë nga njëri tjetri, si në përmasa kuantitative por edhe ato kualitative, si për shembull, panairi i qytetit të Tiranës i paraprinë panaireve të qytetit të Shkupit si dhe atij të Prishtinës, ato të shteteve tjera perëndimore u paraprijnë panaireve shqiptare. Mendoj se esenca sublime e vizitave të panaireve nuk është vrojtimi i literaturave të ndryshme apo dëshira për të ardhur në kontakt me ndonjë libër që kemi kërkuar gjatë kohë, por, një tentativë për qasje në botën e pashtershme të diturisë, botë kjo e cila shoqërohet me motivin dhe inkurajimin e njerëzve për zbulimin e saj, vjeljen e urtësive dhe shembullin më të spikatur të trashëgimisë për ata që dëshirojnë të lënë gjurmë. Duke pasur parasysh edhe gjendjen aktuale me pandeminë, zhvillimi i panairit si dhe vizita e tij na erdhi si një freskim që na kishte munguar gjatë kohë.”

Gjithashtu, kritika ndaj panairit u përqendrua tek çmimet e librave. “I indinjuar nga vizita e fundit e panairit në Shkup si dhe krahasimi me vizitat e panaireve që kam bërë jashtë vendeve tona, mendoj se shtëpitë botuese duhet ti përshtaten më shumë nocionit ‘panair’. Nuk jam edhe pro çmimeve shumë të lira apo dhënien falë të tyre, sepse nga perspektiva psikologjike ‘çmimi’ i ndonjë gjëje kushtimisht parafrazon vlerën e sajë, mirëpo edhe kundër çmimeve aktuale. Nga sondazhet botërore jemi informuar se klasa shoqërore që më shumë është e kapur pas librave, janë studentët. Në moshën e kësaj klase bëhet edhe njoftimi i njeriut me vlerën esenciale të librit, por ky njoftim kam frikë se pengohet me ballafaqimin e një kostoje që realisht nuk mund ta mbanë kjo klasë. Shpresoj që në të ardhmen panairet të zmadhohen për nga numri i shtëpive botuese si dhe dhënien e një mundësie për shoqërim me librin të të gjitha klasave.” u shpreh ai.

Përmblodhi dhe përshtati

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_B