Ç’janë krahinorizmat e dialektizmat?

Termat “dialektizëm” e “krahinorizëm”, akademik Jani Thomai i përkufizon kështu: “Mund të pranojmë me marrëveshje një kriter dallues të përafërt ndërmjet dialektizmave e krahinorizmave: kur fjala, që nuk e ka gjuha letrare, gjendet vetëm në një të folme ose në të folmet vetëm të një krahine, të merret si krahinorizëm; kur fjala gjendet në tërë dialektin ose në disa të folme të një dialekti (kuptohet, që mund të jenë edhe të krahinave të ndryshme), të merren si dialektizëm.”

Prof. Thomai pranon tri kritere për të përcaktuar karakterin dialektor a krahinor të fjalëve:

a) Kriteri i grupimit paradigmatik, d.m.th. kur fjala është dysor a sinonim dialektor i qartë i një fjale tjetër që është pranuar si e normës letrare të tipit: uzdajë – shpresë, pendël, shpendël – pupël, thi, guc – derr; gja, hajvan – kafshë; kaposh, kokash, knus – këndes, gjel; kallamboq, kollomoq -misër; gjiton, kojshi, komshi – fqinj; konop, tërkuzë – litar etj.

b) Kriteri gjuhësor-fjalëformues, pasi cilësohen si dialektore a krahinore edhe variantet fjalëformuese (veç varianteve fonetike) që nuk janë normë letrare, si p.sh. në Has, në Shkrel e gjetkë për të treguar banorët e një vendi u shtojnë emrave të vendeve vetëm nyjën e përparme i: i shaljan, i hazjan; i shkrel, i hot, i kastrat. Në Gjilan të Kosovës banorët e fshatrave thonë jam (ai është) i Godenve, i Shurdhanve, i Dunavëve, i Biçakve, i Çelikve (në kuptimin banor i fshatit Goden, Shurdhan, Dunav, Biçak, Çelik). Në të folmen e fshatit Brezë të Karadakut të Shkupit për formën standarde “çka” përdorin krahinorizmin mjaft të përhapur në shumë të folme të tjera të gegërishtes qendrore xhit, ndërsa për “diçka” thonë formën e përngjitur dixhit.

Në Veri kemi formime fjalësh me prapashtesën -shëm, në Jug me uar: i punueshëm – i punuar, i dëgjueshëm – i dëgjuar, i kuptueshëm – i kuptuar, i thyeshëm – i thyer… kuptohet që të dyja format janë normative dhe se ka dallim kuptimor ndërmjet formave të fjalëve me -shëm nga ato me -uar. Fjala vjen, kur themi se materiali që gjendet brenda një pakoje është thyeshëm, d.m.th. atë duhet bartur me kujdes se mund të thyhet, ndërsa nëse themi se diçka është e thyer kuptojmë se tani më veprimi ka mbaruar.

c) Kriteri i fushës leksikore ose i fushës tematike (emrat e bimëve, të kafshëve, të shpendëve, të orendive shtëpiake, të veshjeve, të veglave të bujqësisë e të zejtarisë etj., kur janë lokale ose kur ndryshojnë mjaft nga një krahinë në tjetrën).

“Dialektet e të folmet kështu përbëjnë një pasuri të pamatshme jo vetëm me njësi leksikore, por edhe me tipa e mjete fjalëformuese të specializuara për kategori gramatikore, klasa leksikore ose fusha konceptore të veçanta.” Gjerësia e shtresës leksikore e krahinore, që përfshihet në rrethin e gjuhës letrare, sa vjen e rritet. Në këtë brez bëhet “fermentimi” i nevojshëm, gjatë të cilit fjalët krahinore fitojnë vlera të reja në atë shkallë sa bëhen “mbidialektore”, pra, nga krahinorizma bëhen ish-krahinorizma në gji të gjuhës letrare.

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S