Mund të jenë homogjene kundrinat e drejta dhe kundrinat e zhdrejta pa parafjalë, që i referohen të njëjtit (a të njëjtëve) kallëzues (e së njëjtës fjalë tjetër drejtuese):

Një zhvillim të mëtutjeshëm mori lëvizja për të mbjellë sa më shumë pemë frutore, vreshta, agrume, ullinj, perime. Duhet t’u flasësh grave, të rinjve, nxënësve. Ajo kërkonte prej fëmijëve të saj guxim e këmbëngulje, urtësi e durim. Po përpjekjet e durimi u shkuan bosh Kozit dhe të bijve.

Kundrinat e zhdrejta me parafjalë janë homogjene, para së gjithash, kur ndërtohen me të njëjtat parafjalë dhe shprehin të njëjtat ngjyrime kuptimore:

Në këtë mënyrë Spiro Shtegu filloi të interesohet e të shqetësohet jo vetëm për plakun dhe për kasollen që kishte lënë në fshat, por edhe për ngjarje të tjera. Hartimet e saj shquheshin nga pastërtia e gjuhës, nga fjalori i saj i pasur dhe plot larmi, nga përdorimi i shprehjeve të zgjedhura.

Nuk mund të dalë homogjene një kundrinë e drejtë me një kundrinë të zhdrejtë, zakonisht as një kundrinë pa parafjalë me një kundrinë me parafjalë.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author