Përcaktorët e veçuar, sidomos përcaktorët që shprehen me pjesore e mbiemra prejpjesorë, zgjerohen shpesh me rrethanorë, përcaktorë, kundrina, por edhe me fjali të varura, sidomos me fjali të varura përcaktore e shkakore:

Dukej profili i fytyrës së saj, mbuluar përgjysmë nga flokët e verdhë. I mbytur në punët e shumta që i ngarkonin dhe i stërmunduar nga përpjekjet e ethshme për në festival, ai qe dobësuar shumë. I mërzitur se do të bënte gjithë atë rrugë vetëm, u pështet pas derës së vagonit.

Përcaktorët e veçuar mund të ndodhen në krye, në mes dhe në fund të fjalisë, por përgjithësisht pranë gjymtyrës së përcaktuar. Pas fjalës së përcaktuar gjenden më shpesh përcaktorët e veçuar të shprehur me pjesore, me mbiemra prejpjesorë dhe me emra. Përcaktorët e shprehur me mbiemra prejpjesorë dalin edhe para fjalës së përcaktuar. Përcaktori i paravendosur në gjuhën shqipe veçohet rregullisht. Kuptimi i përcaktorit të veçuar mbetet i njëjtë si në njërin dhe në tjetrin pozicion. Të krahasohen: I dëshpëruar, Dini përplasi shkopin pas raftit dhe Dini, i dëshpëruar, përplasi shkopin pas raftit. Përcaktorët e veçuar që shprehin marrëdhënie përcaktore me njohuri të mbishtuar dalin zakonisht si përcaktorë të prapavendosur, ndërsa përcaktorët e veçuar me ngjyrime rrethanore mund të gjenden në të dy pozicionet, më shpesh para, por edhe pas gjymtyrës së përcaktuar:

Lopët e fshatit, përhapur nëpër anët e rrugës së re, po qëmtonin barin e njomë e të shëndoshë. Zana, e varur pas krahut të tij, po zbriste shkallët për ta përcjellë.

I pangarkuar, me koraca të rënda, Skënderbeu luftonte me krahë të shpërvjelë si një luftëtar i thjeshtë. Të shtyrë nga dëshira për liri dhe nga urrejtja e madhe për pushtuesin, shqiptarët s’linin rast të volitshëm pa rrokur armët.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author