“Nëse fle tani, do të kem tetë orë gjumë… mirë, nëse fle tani, do të jenë të paktën pesë…” Të gjithë e kemi pasur këtë monolog të brendshëm në një moment, duke qëndruar zgjuar nga kujtime të pakëndshme ose duke bërë scroll pafund në TikTok apo Instagram. Tani, një konsulente për gjumin shpjegon në detaje se si numri i orëve të gjumit ndikon në trupin tuaj, qoftë tetë orët ideale apo asnjë.

Sigurisht, të shkosh në shtrat saktësisht në orën 22:00 tingëllon bukur, por në praktikë nuk është gjithmonë e lehtë të mbahet një rutinë. Prandaj, Natalie Pennicotte-Collier, konsulente për gjumin, rekomandon të ndiqni gjumin tuaj në baza javore, në vend që të ushtroni presion mbi veten për çdo natë individuale.

Zero orë gjumë

Një natë e gjatë jashtë, adrenalina para gjumit ose stresi mund t’ju mbajnë zgjuar gjithë natën. Por Natalie paralajmëron se “nëse kaloni një natë pa gjumë, truri juaj funksionon në një gjendje seriozisht të dëmtuar”. Edhe pa konsumuar alkool, mungesa e gjumit mund ta vendosë trurin në një gjendje të ngjashme me dehjen.

“Koha e reagimit ngadalësohet deri në atë pikë sa krahasohet me një shofer mbi kufirin e lejuar të alkoolit në gjak. Kjo i bën aktivitetet normale si drejtimi i makinës ose edhe koordinimi bazë të rrezikshme,” shpjegon ajo.

“Do të vini re rënie të shpejtë të përqendrimit, gjykimi përkeqësohet dhe ka më shumë gjasa të bëni gabime që zakonisht nuk do t’i bënit. Ndërkohë, trupi juaj nuk ka pasur mundësi të rikuperohet gjatë natës, kështu që e filloni ditën duke u ndjerë të lodhur, fizikisht dhe mendërisht.”

Nëse nuk mund të flini, mund të ndiheni “të lodhur, por të tensionuar”, sepse sistemi i stresit merr kontrollin për t’ju mbajtur zgjuar. Kjo mund të fshehë sa i lodhur jeni në të vërtetë, dhe kjo është ajo që e bën situatën të rrezikshme.

Një deri në tre orë gjumë

Nëse më në fund flini në orën 2 të mëngjesit dhe zgjoheni në 4, ka shumë mundësi që nuk keni arritur fazat e thella të gjumit. Me 1–3 orë gjumë, njerëzit “mund ta kalojnë ditën, por jo pa pasoja”.

“Përqendrimi është i paqëndrueshëm, emocionet janë më të forta dhe durimi është shumë më i ulët. Është e zakonshme të reagoni më tepër ose të ndiheni të mbingarkuar nga gjëra që normalisht nuk do t’ju ndikonin.”

Nga ana fiziologjike, trupi mbetet nën stres: hormonet e stresit janë të larta, energjia është e paqëndrueshme dhe imuniteti dobësohet. Mund të ndiheni “zgjuar”, por trupi juaj nuk është i rikuperuar.

Tre deri në pesë orë gjumë

Me rritjen e orëve të gjumit, është e lehtë të mendoni se funksiononi normalisht – por kjo nuk është plotësisht e vërtetë.

“Me 3–5 orë gjumë, shumë njerëz besojnë se janë në rregull, por funksioni i trurit dhe aftësitë njohëse janë ende të dëmtuara. Ndryshimi është më subtil, por i vazhdueshëm.”

Kjo reflektohet në:

  • përpunim më të ngadaltë të informacionit
  • harresë
  • vështirësi në përqendrim

Detyrat që kërkojnë fokus të vazhdueshëm ose zgjidhje problemesh bëhen më të vështira gjatë ditës.

Gjithashtu, ndryshojnë edhe zakonet: mund të dëshironi më shumë ushqime të ëmbla ose me shumë karbohidrate, ose të shmangni aktivitetin fizik.

Gjashtë deri në tetë orë gjumë (ose më shumë)

Kjo është sasia ideale e gjumit. Nëse e arrini rregullisht, truri dhe trupi kanë mundësi të rikuperohen plotësisht.

“Kjo përfshin procesin e ‘pastrimit’ të trurit nga mbetjet, si dhe forcimin e sistemit imunitar,” shpjegon Natalie. “Për të rriturit, rekomandoj rreth 7.5 orë gjumë ,pra rreth pesë cikle gjumi gjatë natës.”

Në këtë fazë:

  • trupi kalon nga “lufto ose ik” në “pusho dhe tret”
  • përmirësohet kujtesa dhe balanca emocionale
  • stresi, oreksi dhe energjia rregullohen më mirë

Njerëzit ndihen më të zgjuar, më të përqendruar dhe emocionalisht më të qëndrueshëm. Mendimi bëhet më i qartë, humori më stabil dhe detyrat e përditshme kërkojnë më pak përpjekje. Edhe marrëdhëniet me të tjerët përmirësohen kur jeni të pushuar mirë.

Është një ndryshim i dukshëm ,nga thjesht “mbijetesa” gjatë ditës, në të ndierit energjik, të kthjellët dhe funksional në një nivel shumë më të lartë.

Prandaj, herën tjetër kur mendoni të shikoni “edhe një video” para gjumit, vendosni në plan të parë trurin dhe trupin tuaj , dhe fikni dritat.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *