Inovacioni sot merret si i mirëqenë dhe nuk vihet më në dyshim. Pyetja e vërtetë nuk është më nëse jeni inovativë, por nëse inovacionet tuaja sjellin realisht rezultate.

Kompanitë sot investojnë në produkte të reja ose funksionalitete. Por pak prej tyre matin qartë se sa këto ndryshime kontribuojnë në rritje. Pikërisht këtu qëndron një nga treguesit më të rëndësishëm, për të cilin flet Sidney Sladovik, konsulent dhe analist:

Koeficienti që mat se sa nga të ardhurat tuaja vijnë nga ide të reja.

A funksionon inovacioni për ju?

Ky tregues quhet “koeficienti i kontributit të inovacionit”. Në formën më të thjeshtë, kjo do të thotë të llogarisni sa nga të ardhurat tuaja vijnë nga produkte, shërbime ose iniciativa që keni prezantuar në një ose dy vitet e fundit, dhe ta krahasoni atë me të ardhurat totale.

“Nëse, për shembull, fitoni 2 milionë euro në vit, dhe 600,000 vijnë nga shërbime të reja, koeficienti juaj i inovacionit është rreth 30%”, shkruan Sladovik. Por vetë numri nuk është më i rëndësishmi. Ajo që tregon për biznesin tuaj është thelbësore.

Tre lloje inovacionesh dhe ku ndodheni ju

Për ta kuptuar rezultatin tuaj, duhet të dini se në çfarë lloj inovacioni bëni pjesë.

Shumica e kompanive operojnë brenda inovacioneve që përbëhen nga përmirësime të vogla dhe të vazhdueshme, hapa të vegjël përmirësues në produktet ekzistuese. Në këtë rast, është logjike që pjesa e të ardhurave të reja të jetë më e vogël.

Niveli i dytë është zgjerimi i biznesit ekzistues ose hyrja në segmente apo tregje të reja. Këtu fillon inovacioni me ndikim më të madh financiar.

Niveli i tretë dhe më i rrallë është “inovacioni disruptiv”, që ndryshon lojën. Në këtë rast, koeficienti i inovacionit mund të jetë i lartë, por edhe i rrezikshëm.

Pyetja kryesore për ju nuk është nëse keni një përqindje “të lartë”, por nëse ajo është në përputhje me strategjinë tuaj.

Gabimi më i shpeshtë: shpenzoni, por nuk matni

Një nga gabimet më të mëdha që bëjnë pronarët e bizneseve është të lançojnë iniciativa të reja pa matur efektin e tyre, shkruan Sladovik. Inovacioni ka vlerë vetëm nëse është:

  • i matshëm
  • i përsëritshëm
  • fitimprurës
  • i transferueshëm (mund të funksionojë pa ju)

Përndryshe, inovacioni mbetet një eksperiment dhe nuk ka lidhje me strategjinë e biznesit.

Inovacioni nuk është ajo që mendoni

Një keqkuptim tjetër i zakonshëm është se inovacioni duhet të jetë i madh, i shtrenjtë dhe “i dukshëm”. Në praktikë, inovacionet më të vlefshme shpesh janë të brendshme: procese më të mira, ekipe më efikase, ulje kostosh ose përmirësim i shërbimit ndaj klientit.

Sipas Sladovik, disa nga ndryshimet më të rëndësishme nuk sjellin të ardhura menjëherë, por ulin largimin e klientëve, rrisin besnikërinë dhe hapin mundësi të reja. Prandaj, ky koeficient duhet përdorur si udhërrëfyes, jo si metrika e vetme.

Nëse doni një test praktik, mjafton t’i bëni vetes tre pyetje:

A përdoren realisht gjërat e reja që keni prezantuar?

A ju thonë klientët se ato janë të rëndësishme për ta?

A ju sjellin më shumë të ardhura apo ju ndihmojnë të mbani klientët ekzistues?

Nëse përgjigjja është po, jeni në rrugën e duhur edhe pa e llogaritur përqindjen e saktë.

Rritja shpesh “blihet” me marketing dhe investime, por inovacioni i vërtetë është ai që krijon vlerë, jo ai që duket impresionues, por ai që reflektohet në shifra. Nëse nuk e matni, nuk e dini nëse po përparoni. Dhe nëse nuk e dini, ka shumë gjasa që thjesht po shpenzoni, paralajmëron Sladovik.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *