1. Ndërhyrja për ta qetësuar turbullirën dhe për ta shkulur fitilin e fitnes në mes të palëve të grindura:

E veproi këtë Pejgamberi ﷺ, në disa raste. Një ndër ato raste është rasti i shpifjes në nderin e Aishes i. Ajo kur e tregon rastin ndër të tjerat thotë: “Pejgamberi ﷺ, hipi në minber dhe kërkoi ndihmë të merret dikush me Abdullah ibn Ubejin. Gjatë qëndrimit në minber tha: ‘O ju mysliman, kush do merret me një burrë (për qëllim e kishte Abdullah ibn Ubejin) që e keqja e tij ma ka prekur familjen. Pasha Allahun familjen time (e kishte për qëllim Aishen ose për gjitha gratë e tij në përgjithësi) e njoh veç për të mirë. Ata e përmendën një burrë (për qëllim e kishte Safvan ibn el-Muattal h) të cilin e njoh veç për të mirë dhe ai në shtëpinë time nuk hynë pa mua.’ U ngrit Sad ibn Muadh h, zotëria i Evsit (ensarët përbëheshin prej dy fiseve Evsi dhe Hazrexhi) i cili tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Unë do të merrem me të, nëse është prej fisit Evs do t’ia prej kokën, a nëse është nga vëllezërit tanë, Hazrexhëve, na jep urdhër do ta zbatojmë urdhrin tënd.’ U ngrit në këmbë njëri prej Hazrexhëve, Sad ibn Ubade h, zotëria i fisit, ishte njeri i mirë, por në atë moment e përfshinë emocionet dhe fanatizmi (prej fjalëve të Sad ibn Muadhit), e i tha Sad ibn Muadhit: ‘Gabove! Pasha Allahun, ti nuk e vret dhe as që mundesh me vra (nëse ka nevojë ne vet e kryejmë atë e jo ti prej fisit tjetër), po të ishte prej fisit tënd nuk do doje të vritej.’ U ngrit Usejd ibn Hudejr h, ishte djali i mixhës i Sad ibn Muadhit, dhe ju drejtua Sad ibn Ubades: ‘Gabove! Pasha Allahun, do ta vritnim po të ishte prej Evsit. Ti je një hipokrit i cili po i del në krah hipokritëve!’ Filluan t’i rrisin zërat dhe të zihen mes veti fiset Evsi dhe Hazrexhi, derisa gati që nuk u vranë në mes veti, ndërsa Pejgamberi ﷺ, qëndronte ende në minber, dhe ashtu prej minberit i qetësonte, derisa nisën të heshtin dhe situata të qetësohet…”[1]

Pejgamberi ﷺ, shkoi te fisi Beni Amru ibn Auf të paqësojë në mes tyre, e u vonua për namazin me xhemat, siç erdhi në hadithin që gjendet te Buhariu dhe Muslimi. Ndërsa me një transmetim, Sehl ibn Sad es-Sadij h, tregon: “Ndodhi një zënkë mes dy fiseve prej ensarëve, derisa filluan ta gjuajnë njëri-tjetrin me gurë, e Pejgamber ﷺ, shkoi të paqësojë në mes tyre. Erdhi koha e namazit dhe Bilali h, e thirri ezanin. E priti të vjen Pejgamberin ﷺ, mirëpo nuk mundi të del më herët, e Bilali e thirri ikametin dhe Ebu Bekri h, doli imam…”[2]

Sipas një transmetimi tjetër, Sehl ibn Sad h, tregon: “Erdhi një njeri te Pejgamberi ﷺ, ta lajmërojë se disa anëtarë të fisit Beni Amru ibn Auf po zihen në mes veti dhe po e gjuajnë njëri-tjetrin me gurë. Pejgamberi ﷺ, doli të paqësojë në mes tyre.”[3]

  1. Shfaqja e zemërimit kur ta shohim gabimin:

Njeriu duhet të shfaqë zemërim nëse sheh apo dëgjon për gabimin, e në veçanti kur gabimi lidhet me besimin, sikur zhytja në çështjet e kaderit, kundërshtime për Kuranin, etj.

Amru ibn Shuajb përcjell prej babës e ai përcjell nga babai i vet i cili i kishte treguar se Pejgamberi ﷺ, i takoi disa prej shokëve të tij që po grindeshin rreth kaderit, me ç’rast ju skuq fytyra nga zemërimi dhe ju tha: “A me këtë gjë jeni urdhëruar (prej Allahut të merreni)?”, apo ju tha “A për këtë gjë jeni krijuar? Po i rrënoni ajetet mes vetes! Në këtë mënyrë janë shkatërruar popujt para jush.” Në lidhje me këtë rast Abdullah ibn Amri h, thoshte: ‘Nuk jam ndjerë i lumtur asnjëherë kur kam munguar nga ndonjë ndejë me Pejgamberin ﷺ, përveç se në këtë rast, isha më i lumturi sepse nuk isha pjesë e asaj ndeje (e ta zemëroj Pejgamberin ﷺ).”[4]

Sipas një versioni tjetër, gjyshi i Amër ibn Shuajbit tregon se Pejgamberi ﷺ, i takoi disa prej shokëve të tij që po diskutonin rreth kaderit, njëri e sillte një ajet, e tjetri një ajet tjetër. Pejgamberi ﷺ, nga ajo që i dëgjoi ju skuq fytyra nga zemërimi dhe ju tha: ‘A për këtë gjë jeni krijuar? A me këtë gjë jeni urdhëruar (prej Allahut të merreni)?’ Pjesët e Kuranit mos i rrënoni mes vete. Mos i përzieni ajetet e Librit të Allahut.  Shikoni me çfarë jeni urdhëruar dhe pasojeni atë, si dhe shikoni nga çka jeni ndaluar dhe largohuni prej saj.”[5]

Në një rast tjetër ajo që e bëri Pejgamberin ﷺ, ta shfaqë zemërimin dhe ta kundërshtojë gabimin ishte veprimi i Omerit h, rreth burimit të marrjes së fesë, që llogaritet çështje bazike në fe. Xhabir ibn Abdullah h, tregon: “Omer ibn Hatabi h, erdhi te Pejgamberi ﷺ, me vete e kishte sjellë një pjesë të Teuratit të cilën e kishte marrë prej disa ithtarëve të librit. Kur ja lexoi Pejgamberit ﷺ, u zemërua dhe i tha: ‘A po dyshon në Librin e Allahut (Kuranin) e po lexon pjesë të këtij libri (Teurati), o Omer? Pasha Allahun që në Dorën e Tij është shpirti im, ju kam sjellë mesazhin (fenë) e pastër dhe të qartë, mos shkoni t’i pyetni (ithtarët e librit) për ndonjë gjë, e t’ju tregojnë saktë dhe ju ta mohoni atë, apo t’ju tregojnë të kotën dhe ju t’i besoni asaj. Pasha Allahun që në Dorën e Tij është shpirti im, sikur Musa, alejhi selam, të ishte gjallë do të detyrohej të më ndjekë.”[6]

Sipas një versioni tjetër, Xhabir ibn Abdullah h, tregon: “Omer ibn Hatabi h, shkoi te Pejgamberi ﷺ, me një kopje të Teuratit dhe i tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Kjo është një kopje e Teuratit, më pas heshti, e dikur nisi ta lexojë. Ndërkohë Pejgamberit ﷺ, filloi t’i ndryshohet ngjyra e fytyrës. Ebu Bekri h, e hetoi dhe ju drejtua Omerit: ‘Të vajtofshin vajtueset! A nuk po e sheh fytyrën e Pejgamberit ﷺ?’ Omeri e shikoi në fytyrë Pejgamberin ﷺ dhe tha: ‘Kërkoj mbrojtje prej Allahut nga hidhërimi i Allahut dhe nga zemërimi i të Dërguarit të Allahut ﷺ. Jemi të kënaqur që Allahun e kemi Zot, Islamin fe dhe Muhamedin pejgamber.’ Pejgamberi ﷺ, tha: ‘Pasha Allahun që në Dorën e Tij është shpirti im, sikur të shfaqej Musa, alejhi selam, e ta pasonit atë dhe të më linit mua, do të devijonit nga rruga e drejtë. Sikur të ishte gjallë Musa, alejhi selam, në kohën time të profecisë, do të më pasonte.’ ”[7]

Hadith tjetër me tekst të ngjashëm me atë paraprak, është hadithi I Ebu Derdas h,  i cili tregon: “Erdhi Omeri h, te Pejgamberi ﷺ, me disa pjesë të Teuratit dhe i tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Këto janë disa pjesë nga Teurati, i kam marrë nga një vëlla imi prej fisit Beni Zurejk. Pejgamberit ﷺ, filloi t’i ndryshohet ngjyra e fytyrës. Omeri kur e pa menjëherë tha: ‘Jemi të kënaqur që Allahun e kemi Zot, Islamin fe, Muhamedin pejgamber dhe Kuranin udhëheqës.’ Sakaq Pejgamberi ﷺ,  u gëzua dhe tha: ‘Pasha Allahun që në Dorën e Tij është shpirti im, po të ishte gjallë Musa, alejhi selam, e ju ta pasonit atë dhe të më linit mua, do të devijonit keq nga rruga e drejtë. Ju jeni hisja ime prej umeteve dhe unë jam hisja juaj prej pejgamberëve.’ ”[8]

Nga hadithet e lartpërmendura ajo që bie në sy është roli i të pranishmëve në mbështetjen e edukatorit, sepse menjëherë kur e vërejtën fytyrën e edukatorit që ndryshoi, morën qëndrimin e tyre. S’ka dyshim që bashkimi i këtyre gjërave ngjallë në shpirtin e atij që këshillohet gjurmë të thella. Ky proces kaloi nëpër disa faza:

E para: Pejgamberi ﷺ, reagoi me zemërim para se të flet duke ju ndryshuar ngjyra e fytyrës nga zemërimi.

E dyta: Ebu Bekri e vërejti këtë gjë dhe e paralajmëroi Omerin.

E treta: Omeri e kuptoi gabimin që e bëri, por menjëherë nxitoi ta përmirësojë atë dhe të kërkojë falje, duke kërkuar mbrojte prej Allahut nga hidhërimi i Allahut dhe nga zemërimi i Pejgamberit ﷺ, dhe duke e shfaqur çiltërsisht të kënaqurit e tij me Allahun, të Dërguarin e Tij dhe fenë e Tij.

E katërta: Pejgamberit ﷺ, shprehi gëzim pasi që Omeri u kthye dhe e kuptoi gabimin e vet.

E pesta: Kritika profetike në vërtetimin e bazamentit të fesë, duke ja vërtetuar atij se detyrohet ta ndjekë sheriatin e Muhamedit ﷺ, dhe të ketë kujdes nga burimet tjera të marrjes së fesë.

Rast tjetër që e nxiti zemërimin e Pejgamberit ﷺ, ishte gabimi i vepruar nga dikush që kishte pështyrë në mur të xhamisë. Rastin e tregon Enes ibn Malik h,  i cili thotë se Pejgamberi ﷺ, vërejti pështymë në murin e xhamisë në drejtim të Kibles. Nga ky veprim i erdhi rëndë derisa u pa në fytyrën e tij, pastaj u ngrit e fshiu me dorën e tij, dhe tha: “Kur ndonjëri prej jush ngritet për të fal namaz, ai (gjatë namazit) flet me Zotin e tij, apo Zotin e ka në mes të tij dhe Kibles, prandaj mos pështyni (duke qenë në namaz) në drejtim të Kibles, por (nëse dikush detyrohet të pështyjë, le të pështyjë) në të majtën apo poshtë këmbëve të tij”; pastaj e morri njërin skaj të petkut të tij, pështyu në të, e palosi, dhe tha: “Apo le të veprojë kështu.”[9]

Rast tjetër që e nxiti zemërimin e Pejgamberit ﷺ, ishte momenti kur dëgjoi për një gabim që kishte shkaktuar problem. Ebu Mesud el-Ensarij h, tregon: “Erdhi një burrë te Pejgamberi ﷺ, dhe i tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Pasha Allahun, nuk po prezantoj në namazin e sabahut me xhemat për shkak të filanit, i cili po e zgjatë tepër namazin.’ (Transmetuesi i hadithit thotë) Nuk e kam parë të zemëruar ndonjëherë gjatë fjalimit Pejgamberin ﷺ, sikur atë ditë, e pastaj tha: ‘O ju njerëz, ka prej juve që i trembën njerëzit. Kush prej juve del imam në namaz, mos ta zgjatë atë, sepse në mesin e namazfalësve ka pleq, të dobët dhe që kanë urgjencë’ ”[10]

Këtu në këtë fushë përfshihet edhe shfaqja e zemërimit nga myftiu kur pyetësi e tepron dhe e shtrëngon. Zejd ibn Halid el-Xhuhenij h,  tregon: “Erdhi një beduin te Pejgamberi ﷺ, dhe e pyeti si të veprojë me gjërat e gjetura dhe të hedhura në rrugë? Pejgamberi ﷺ, tha: “Shpalle të humbur ndër njerëz për një vit të tërë dhe mbaje mend mirë torbën dhe lidhësen e saj, pastaj (pas një viti) shfrytëzoje. Nëse pronari paraqitet, ktheja.”

– O i Dërguari i Allahut, po delja e humbur? – pyeti beduini.

– “Merre, ngase, ja e merr ti, ja vëllai yt (pronari i saj), ja i mbetet ujkut.”

– O i Dërguari i Allahut, po deveja e humbur? – pyeti sërish beduini. Të Dërguarit të Allahut ﷺ iu skuq fytyra (nga hidhërimi) dhe tha:

– “Ç’ke ti me të, kur ajo e ka me vete ujin dhe mund të kullotë, derisa ta gjejë pronari i vet.”[11]

Kur edukatori e sheh veprimin e gabimit apo dëgjon për të dhe reagon i matur karshi gabimit, saqë ajo shihet në fytyrën e tij, hetohet në zërin dhe sjelljet e tij, kjo është pikë treguese se në zemër ka gjallëri karshi të keqes dhe mosheshtjes ndaj saj. Ky reagim lë gjurmë në zemrat e të pranishmëve duke ju mbjellur frikë nga veprimi i gabimit. Po ashtu edhe të folurit gjatë reagimit lë gjurmë në brendësinë e tyre, për dallim nëse e fsheh çështjen apo e vonon atë, gjë që sjell deri në ftohjen apo në largimin e ndikimit.

Nganjëherë nga urtësia është të vonohet të komentuarit për një ndodhi të kundërligjshme apo për një bisedë të rrezikshme gjatë tubimit të njerëzve, për shkak të rëndësisë së çështjes, apo shkaku i mosprezencës së një numri të mjaftueshëm që e marrin këshillën dhe e përcjellin atë. Nuk ka pengesë që komentimi i ndodhive të jetë dy lloj: individual direkt dhe i përgjithshëm indirekt.

Ebu Humejd es-Saidij h, tregon se Pejgamberi ﷺ, e angazhoi një punëtor ta mbledhë zeqatin. Pasi që e tuboi, u kthye dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Kjo është për juve dhe kjo më është dhuruar mua.” Pejgamberi ﷺ, i tha: “Përse nuk qëndrove në shtëpinë e babës tënd nënës tënde, e të shikosh se a po të dhurohet diçka apo jo?!”; pastaj u ngrit menjëherë pas namazit e mbajti një fjalim, ku në fillim dëshmoi për njëshmërinë e Allahut dhe e lavdëroi Allahun me atë që e meriton, e pastaj tha: “Çfarë është puna e atij që e angazhojmë me punë, e pastaj ai vjen dhe na thotë: ‘Kjo është për juve dhe kjo tjetra më është dhuruar mua?’ Përse nuk qëndron në shtëpinë e babës dhe nënës së vet, e pastaj të shikon se a po i dhuron dikush diçka? Pasha Allahun që në Dorën e Tij është shpirti i Muhamedit, kush prej juve merr diçka pa të drejtë nga zeqati, do të vjen në Ditën e Kiametit duke e bartë (atë që e ka marrë pa të drejtë) në qafën e tij. Nëse ka qenë deve, do ta sjellë atë duke e bartur në qafë dhe ajo pëllit; nëse ka qenë lopë, do ta sjellë atë duke e bartur në qafë dhe ajo pëllet; nëse ka qenë dele, do ta sjellë duke e bartur në qafë dhe ajo blegërin.” Pastaj tha: “Vetëm se ju përcjella dispozitat e Allahut.” Ebu Humejd h, tha: “Pastaj Pejgamberi ﷺ, i ngriti duart lart kah qielli saqë ju dukeshin nënsqetullat e tij.”[12]


[1] Buhariu dhe Muslimi.

[2] El-Muxhteba: Libri Etika e gjykatësve (8/243), shejh Albani e saktësoi në Sahih En-Nesaij.

[3] El-Musned (5/338).

[4] Ibn Maxhe (85), tha në ez-Zevaid (1/14) se zinxhiri është i saktë dhe transmetuesit janë besnik. Shejh Albani tha që hadithi është hasen sahih në Sahih Ibn Maxhe (69). Fjalët e Abdullah ibn Amru h, i cili tha: ‘Nuk jam ndjerë i lumtur asnjëherë kur kam munguar nga ndonjë ndejë me Pejgamberin ﷺ, përveç se në këtë rast, isha më i lumturi sepse nuk isha pjesë e asaj ndeje (e ta zemëroj Pejgamberin ﷺ); për qëllim e kanë se ai ndjehej i lumtur që nuk u bë shkak të zemërohej Pejgamberi ﷺ, dhe nuk ishte pjesëmarrës i atij mexhlisi ku u zemërua Pejgamberi ﷺ.

[5] Es-Suneh, Ibn Ebi Asim, me recensim të shejh Albanit i cili tha që hadithi është me zinxhir të mirë (fq. 406).

[6] Musned Ahmed (3/387), shejh Albani e vlerësoi të mirë me dëshmitë e tjera të hadithit në el-Irva (1589).

[7] Sunen ed-Darimij (441), shejh Albani e vlerësoi të mirë në Mishkatul Misbah (1/68).

[8] El-Hejthemij në el-Mexhmea (1/174) tha: shënon Taberaniu në el-Kebir. Në zinxhir është Ebu Amir el-Kasim ibn Muhamed el-Esedij, nuk e shoh që dikush ka fol rreth tij, ndërsa transmetuesit e tjerë janë të drejtë. Shih es-Sahiha (3207).

[9] Buhariu (405).

[10] Buhariu (7159), Muslimi (466).

[11] Buhariu (2436), Muslimi (1722). Në version tjetër të tyre thuhet se Pejgamberi ﷺ, u zemërua aq shumë sa ju skuqën mollëzat e fytyrës apo u skuq në fytyrë dhe tha: ‘Çfarë ke ti me të? Ajo i ka thundrat dhe e ka rezervuarin (gungën) me ujë, derisa ta takojë pronarin e saj.”

[12] Buhariu (6636), Muslimi (1832).

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *