Cila është gjëja më e rëndësishme që një prind mund t’i mësojë fëmijës? Ndërsa shumë do të thoshin se është arsimi, notat e mira ose zhvillimi i talenteve, miliarderi dhe sipërmarrësi amerikan Mark Kuban beson se ekziston një cilësi që bën ndryshimin më të madh- zakoni për të bërë përpjekje, edhe kur suksesi nuk është i garantuar.
Duke folur për rritjen e fëmijëve, Kuban thekson se prindërit nuk mund ta kontrollojnë rezultatin, por mund t’u mësojnë fëmijëve se si t’i qasen çdo sfide, siç raportoi Index.hr.
“E vetmja gjë që mund ta kontrolloni gjithmonë është sa fort do të përpiqeni.”
Ky është mesazhi që përcjell miliarderi, duke shtuar se kjo mund të jetë mësimi më i vlefshëm që një fëmijë merr me vete gjatë gjithë jetës.
Përpjekja nuk garanton sukses, por është një avantazh
Kuban beson se shumë prindër, pa e kuptuar, përqendrohen tepër te rezultatet: fitoret, notat e shkëlqyera ose çmimet , ndërsa neglizhojnë procesin që çon deri te to.
Sipas tij, një fëmijë që mëson t’i përkushtohet sinqerisht një detyre dhe të japë maksimumin edhe kur gjërat nuk shkojnë sipas planit, zhvillon cilësi që më vonë do të jenë shumë më të vlefshme sesa vetë talenti.
Ai beson se mund të japësh gjithçka nga vetja dhe përsëri të mos kesh sukses, sepse kjo është pjesë e jetës. Por, në të njëjtën kohë, nëse nuk jep maksimumin, pothuajse me siguri nuk do ta arrish atë që dëshiron.
Pse këmbëngulja është më e rëndësishme se fitorja
Investitori i njohur beson se puna e palodhur zhvillon iniciativën, disiplinën dhe këmbënguljen. Kur fëmijët kuptojnë se dështimi nuk është fundi, por një mundësi për të provuar sërish, ata bëhen më të gatshëm të marrin përgjegjësi, të marrin rreziqe dhe të mësojnë nga gabimet e tyre.
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTËT.MK