- Qartësimi i dëmit që e shkakton gabimi:
Ebu Thalebe el-Hushenij h, tregon se Pejgamberi ﷺ, kur ndalej të pushon (gjatë udhëtimit) njerëzit shpërndaheshin në rrugë malore dhe lugina (në vende të përshtatshme për pushim apo vende me hije), andaj ju tha: “Me të vërtetë kjo shpërndarja e juaj nëpër rrugë malore dhe lugina është (vepër) nga shejtani”; pas kësaj çdoherë kur ndaleshin në ndonjë vend të pushojnë bashkoheshin dhe uleshin bashkë, saqë mund të thuhet se po të shtrihej një mbulesë mbi ta, do t’i mbulonte të gjithë.[1]
Sipas një versioni tjetër: “Saqë mund të thuash po qe se do ta shtrija mbi ta një mbulojë, do t’i mbulonte të gjithë.”[2]
Hadithi e paraqet përkujdesjen e Pejgamberit ﷺ, për shokët e tij dhe e tregon kujdesin e udhëheqësit për dobinë e ushtarëve të tij. Këtu vërehet kujdesi Pejgamberit ﷺ, për shokët e tij, si dhe kujdesin që duhet ta ketë prijësi për atë që ju sjellë dobi ushtarëve të vet.
Shpërndarja e ushtrisë në vendin që ndalen të pushojnë, i jep hapësirë shejtanit që myslimanët t’i frikësojë, ndërsa armikun e josh t’i sulmojë.[3] Shpërndarja pengon t’i ndihmojnë njëri-tjetrit nëse ka nevojë për ndihmë dhe përkrahje.[4]
Në hadith vërehet se si sahabët e respektuan dhe e zbatuan urdhrin e Pejgamberit ﷺ, duke u grumbulluar me një vend pasi që ishin shpërndarë më herët.
– Një shembull tjetër i cili e qartëson rrezikshmërinë e gabimit është hadithi i en-Numan ibn Beshir h, i cili tregon se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “O do i drejtoni safat (rreshtat) në namaz, apo në të kundërtën Allahu do t’jua përçajë fytyrat tuaja.”[5]
Simak ibn Harb, Allahu e mëshiroftë, tregon se e ka dëgjuar en-Numan ibn Beshir h, të thotë se Pejgamberi ﷺ, i drejtonte safat tona në namaz dhe aq shumë kujdesej për rreshtimin e tyre, saqë thuajse po i drejtonte shtizat, derisa u bind që e kuptuam çështjen. Një ditë tjetër, para se të fillojë me namaz, e pa një namazfalës të cilit gjoksi i dilte jashtë safit, dhe i tha: “O ju robër të Allahut! Ose do t’i drejtoni safat (rreshtat në namaz), ose Allahu do t’ju përçajë fytyrat tuaja.”[6]
Enes ibn Malik h, tregon se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Bashkoni rreshtat tuaj, afrojuni dhe bashkoni supet tuaja. Pasha Atë që shpirtin e Muhamedit e ka në Dorën e Tij, po e shoh shejtanin duke hyrë aty ku ka zbrazëtirë në saf sikur të jetë dele e vogël dhe e zezë.”[7]
Qartësimi i dëmeve të gabimit dhe pasojave të tij është çështje me rëndësi për ta bindur gabimtarin. Efekti i gabimit mund të vërehet te vet gabimtari, ose mund të tejkalojë te të tjerët. Shembull për rastin e parë është hadithi që e tregon Ibn Abasi h, për një person i cili e mallkoi erën, e Pejgamberi ﷺ, tha: “Mos e mallko erën, sepse ajo është e urdhëruar (prej Allahut). Ai që mallkon diçka që nuk e meriton të mallkohet, i kthehet mallkimi atij.”[8]
Shembull tjetër e përmendin hadithin që e tregon Abdurrahman ibn Ebu Bekra prej babës së vet, për një njeri që e lavdëroi një tjetër në prani të Pejgamberit ﷺ. (Ky është transmetimi që e shënon imam Buhariu). Ndërsa sipas një transmetimi tjetër (që e shënon imam Muslimi) një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut! Pas Pejgamberit ﷺ, nuk ka njeri më të mirë se ky burrë për këtë e këtë çështje”[9] Pejgamberi ﷺ, tha: “Mjerë për ty, ia theve qafën shokut tënd, ia theve qafën shokut tënd”; fjalët i përsëriti disa herë, e më pas tha: “Nëse duhet patjetër ta lavdërojë vëllanë e tij le të thotë: mendoj se filani është kështu e ashtu, dhe Allahu e di saktë të vërtetën, unë nuk e lavdërojë sjelljen e mirë e dikujt përpara Allahut, por për të mendoj se është kështu dhe ashtu, në qoftë se di diçka të tillë për të.”[10]
Mihxhen el-Eslemij h, tregon se kanë qenë në xhami me Pejgamberin ﷺ, kur Pejgamberi ﷺ, e pa njërin që po bënte namaz shumë dhe më pyeti: “Kush është ky që po bën namaz?” Unë fillova ta lavdërojë më shumë se që duhej dhe thash: “O i Dërguari i Allahut! Ky është filani, ky është kështu e ashtu (fillova t’ia numërojë të mirat).” Pejgamberi ﷺ, tha: “Ndalu! Mos të të dëgjojë ai (duke e lavdëruar) e ta shkatërrosh.”[11]
Në një transmetimi tjetër Ebu Musa h, tregon se Pejgamberi ﷺ, kur e dëgjoi një person duke e lavdëruar dhe tepruar në lavdërim një tjetër, i tha: “U shkatërruat ose ia thyet kurrizin njeriut.”[12]
Pejgamberi ﷺ, ia bëri me dije këtij që po e tepronte në lavdërim se e ka gabim, sepse zemra e të lavdëruarit mund të mashtrohet derisa ta çojë në mendjemadhësi apo vetëpëlqim, ndoshta t’i shpërfillë punët e mira duke ju mbështetur reputacionit të përfituar nga lavdërimi që i bënë atij, apo të bie në syefaqësi. E tëra kjo vjen për shkak të ndjenjës së kënaqësisë që e përjeton nga lavdërimi i tij, saqë ta çon deri në shkatërrimin e tij. Këtë e shprehi Pejgamberi ﷺ, në fjalët e tij: “U shkatërruat”, ose “ia thyet qafën njeriut”, ose “ia thyet kurrizin njeriut”.
Ai që tjetrin e lavdëron, ndodh ta lavdërojë pa i matur fjalët mirë, të thotë diçka pa e vërtetuar, të pohojë për gjëra që nuk është i sigurt, ndoshta edhe të gënjejë, të shfaqet me dyfytyrësi para atij që e lavdëron, gjë që llogaritet fatkeqësi e madhe, e në veçanti kur dihet që i lavdëruari është zullumqar ose i shthurur.[13]
Kjo s’do të thotë se lavdërimi është i ndaluar në tërësi. Pejgamberi ﷺ, kishte rast kur i lavdëronte disa njerëz në prezencën e tyre. Një prej kapitujve në librin Sahih Muslim, ka ardhur një sqarim i rëndësishëm për këtë: Nënkapitulli ku sqarohet ndalesa e lavdërimit nëse ka teprim dhe ekziston frikë për të lavdëruarin të jetë provë.[14]
Ai që veten e llogarit të mangët karshi urdhrave të Allahut, lavdërimi i tij nuk e dëmton dhe nuk e mashtron, sepse ai e di realitetin e vetes. Disa nga të parët tanë të mirë thanë: “Nëse lavdërohet ndonjëri në prezencën e tij le të thotë: ‘O Allah, kërkoj faljen Tënde për atë që nuk e dinë për mua, mos më merr në llogari për atë që e thonë dhe më bëj më të mirë se sa që më mendojnë.”[15]
- Mësimi i atij që gabon në mënyrë praktike:
Në shumë raste mësimi praktik ka ndikim më të fortë dhe më të madh se mësimi teorik. Kështu vepronte Pejgamberi ﷺ. Xhubejr ibn Nefir përcjell prej babës së tij i cili tregon se kur kishte shkuar te Pejgamberi ﷺ, e kishte urdhëruar t’i sjellin ujë: “Merr abdes, o Ebu Xhubejr.” Ebu Xhubejri h, filloi të merr abdes duke e larë gojën e tij dhe Pejgamberi ﷺ, i tha: “O Ebu Xhubejr, mos fillo me larjen e gojës, sepse jobesimtarët veprojnë ashtu.” Më pas Pejgamberi ﷺ, urdhëroi t’i sjellin ujë për abdes, filloi me larjen e duarve të tij derisa i pastroi ato, pastaj tri herë e futi ujin në gojë dhe në hundë dhe e nxjerri jashtë, tri herë e lau fytyrën, tri herë e lau dorën e djathtë deri te bërryli dhe tri herë më pas të majtën, pastaj i ra mest kokës dhe në fund i lau këmbët e tij.[16]
Ajo që vërehet këtu është se Pejgamberi ﷺ, qëllimisht e trembi sahabiun nga veprimi i tij i gabuar duke e lajmëruar se jobesimtari fillon me gojën e tij, e me këtë ndoshta nënkuptonte se jobesimtari nuk i lan duart e tij para se t’i fusë në enë[17] dhe kjo është nga mospërkujdesja për pastërtinë. Allahu e di më së miri.
[1] Ebu Davud (2286), shejh Albani e saktësoi në Sunen Ebu Davud.
[2] Imam Ahmed: El-Fet’hu er-Rabanij (14/44).
[3] Aunul Mabud (7/292).
[4] Delilul Falihin (6/130).
[5] Buhariu (717), Muslimi (436).
[6] Muslimi (436).
[7] El-Muxhteba (2/92), shejh Albani e saktësoi në Sahih Sunen en-Nesaij (785).
[8] Ebu Davud (4908), Albani e saktësoi në Sahih Ebu Davud (4102).
[9] Muslimi (3000).
[10] Buhariu (2662).
[11] El-Adab el-Mufred (341), Albani e vlerësoi të mirë hadithin në Sahih el-Adab el-Mufred.
[12] Buhariu (2663), Muslimi (3001).
[13] El-Fet’h (10/478).
[14] Sherh en-Nevevij ala Muslim (18/126).
[15] Shuab el-Iman (4876), El-Fet’h (10/478).
[16] Bejhakiu në es-Sunen (1/46), hadithi është në es-Silsiletu es-Sahiha (2820).
[17] Ma mësoi dijetari Ibn Bazi, Allahu e mëshiroftë, kur e pyeta për komentin e hadithit. (sh.a.)
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK