Natyra e shkrimit akademik
Procesi i të shkruarit sado i vështirë dhe i komplikuar, është një rrugë e rëndësishme për çdo akademik, mësues, kërkues dhe universitar. “Këshilla e parë që mund të jepet për të mësuar si të shkruajmë, është të lexojmë sa më shumë krijime të gjinisë që duam të lëvrojmë, sidomos prej mjeshtrave të njohur për lëvrimin e asaj gjinie. Leximi të ndihmon të “thithësh” pa e kuptuar teknikën e të shkruarit, strukturën e
krijimeve të tilla dhe ecurinë e hartimit të tyre.”
Të zgjedhësh të shkruash në fushën akademike kërkon guxim dhe angazhim vetjak, guxim sepse pasqyrohet një ide e re në fusha të hulumtuara nga studiues të tjerë të rëndësishëm dhe angazhim vetjak, sepse studiuesi duhet të skicojë një ide të veten, ta përcjellë atë tek lexuesi dhe të ngjallë interes me këndvështrimin e tij mbi një çështje teorike ose praktike.
Secili mund të pozicionojë shkrimin individual si një pjesë të arritur dhe të kontrollueshme të zhvillimit profesional. Përvoja që fitohet gjatë fazave të ndryshme të procesit të shkrimit bën që idetë e skicuara, të
shkruhen dhe të rishkruhen. Nëse të shkruarit konsiderohet si proces përsëritës me faza progresi dhe regresi, atëherë duhet të konceptohen edhe vështirësitë e para që do të hasë studiuesi i ri.
Të shkruarit akademik nuk është shfaqje e printuar e mendimeve të formuara të një individi. Ai fillon me defekte, dobësi të paplota, ide dhe koncepte, por duke u rishkruar, mund të plotësohen mendimet e hedhura, të lindin ide të reja, pra shkrimi përmirësohet dhe njëkohësisht rikonceptohet. Çdo studiues i ri përpara se të ulet të shkruajë duhet të krijojë një ide të qartë për temën, të lexojë sa më shumë në atë fushë dhe të skicojë idetë e para.
vështirësitë e studiuesve të rinj në të shkruarin akademik
Të shkruarit mund të duket edhe i lehtë edhe i vështirë në faza të ndryshme të të shkruarit ose edhe në të njëjtën kohë. Piter Elbou (Peter Elbow) sugjeron një sërë arsyesh pse të shkruarit akademik mund të duket i lehtë dhe i vështirë gjatë procesit krijues apo dhe në faza të ndryshme të zhvillimit të tij. Është i vështirë për shkak se nevojitet një renditje e saktë dhe logjike e ideve gjatë të shkruarit, një simbiozë e njohur kjo në qarqet krijuese. Gjykimi i lexuesve, vlerësimet që mund të fitohen ose jo, janë të gjitha konsiderata që mund ta bëjnë të pasigurt një studiues të ri. Janë ato që mund të pengojnë përpjekjet e shumë njerëzve për t’u bërë shkrues të denjë akademikë.
Ndoshta një pikë themelore në gjithë këtë fazë komplekse do të ishte të kundruarit e procesit të të shkruarit si një ekuacion me ndryshore të njohura. Atëherë kur duhen përballuar aspektet e tij më të vështira, mjafton t’u drejtohesh njohurive bazë teorike. Ka momente, kur studiuesi i ri stepet, heziton, ngurron në ecjen përpara me shkrimin e tij. Kjo për arsye pasigurie ose frike ndaj asaj se ç’do të thuhet për të. Nxitja nga personat më kompetentë se ai mund të ndikojë pozitivisht në kapërcimin e kësaj pengese, duke shkuar drejt gjërave më të lehta, qartësimit, informimit të mëtejshëm deri tek përmirësimi i tekstit të shkruar.
Të shkruarit mund të jetë një proces i rrjedhshëm, edhe pse mund të ketë aspekte të vështira. Ai të sjell kënaqësi, sepse studiuesi ndihet i sigurt duke skicuar e riskicuar idetë e tij. Të bësh diçka me lehtësi nuk do të thotë të jetë domosdoshmërisht e thjeshtë dhe e pakundërshtueshme. E lehta nënkupton kënaqësi, ekuilibër dhe besim. Për të shkruar duhet të fillohet nga mënyrat që janë më të lehta.
Burimi: libri “Te shkruarit akademik- ide, koncepte, modele”
Përmblodhi dhe përshtati:
www.studentet.mk