Ndajshtimet e veçuara mund të shprehen me një emër, me një përemër ose me një togfjalësh.

Emrat në funksion të ndajshtimit të veçuar mund të jenë: emra të përgjithshëm, emra të përveçëm, njerëzish a vendesh, dhe mbiemra të emërzuar:

U ngrit Universiteti i Tiranës, qendra më e madhe mësimore dhe shkencore e vendit. Atëhere i vëllai, Drini, e mori edhe atë me vete në mal. Maja më e lartë, Gurkusari, nxinte si një shtëllungë gjigande leshi. Njëri djalë, i mesmi, iu vra në luftën e Drashovicës. I bëhet se ai, i panjohuri flokëverdhë, e ndjeu atë prekje të lehtë.

Ndajshtimet e veçuara të shprehura me emra përkojnë në rasë me fjalën e përcaktuar ose vihen në rasën emërore, cilado qoftë rasa e emrit të përcaktuar:

Hidri, drejtori, nuk ishte burrë i keq, i donte malësorët. Në tingëllimën e parë, poeti i drejtohet shqiponjës, simbolit të kombit shqiptar. Përpiqej të gjente midis tyre Yllin, traktoristin e saj.

Më 2 shkurt korrieri u nis në drejtim të Labinotit, katund i Elbasanit. Teni Konomin, luftëtar i orëve të para, e vranë fashistët para se të arrinte në tokën spanjolle.

Emrat në funksion të ndajshtimeve të veçuara dalin të shquar ose të pashquar, çka është e lidhur në përgjithësi me funksionin semantik e stilistik të tyre. Kështu, dalin të shquar kryesisht emrat në funksion të ndajshtimit sqarues, ndajshtimet që shprehen me emra të përveçëm dhe ato që i referohen një përemri vetor. Ndërsa ndajshtimet që shprehin marrëdhënie përcaktore në formën e një të dhëne të mbishtuar, si edhe ato që shprehin marrëdhënie përcaktore të gërshetuara me ngjyrime rrethanore, dalin zakonisht të pashquara:

Edhe e shoqja, Nasta, dukej e dëshpëruar. E ç’mund të të jap unë, çobani, si këmbim ty, shkollares? Ai do të luajë në këtë film rolin e mullixhiut, Pilos.

Kishte arritur në Tiranë te djali i madh, oficer në ministri. Bir i një revolucionari të 1848, nxënës i De Radës, Serembja u gllabërua shpejt nga idetë e përparuara të çlirimit të popujve. Unë, si teknik, i ri në këtë ndërmarrje, s’i kisha përfytyruar ato lloj vështirësish.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author