Përcaktorët e veçuar me përshtatje shprehen:

– me mbiemra prejpjesorë, është grupi më i madh i të gjithë përcaktorëve të veçuar, të cilët përdoren rëndom në të gjitha stilet:

Hyri brenda Zoga, e mbuluar me borë. Doktori, i kërrusur mbi trupin e së sëmurës, i zuri dorën për t’i ndjerë pulsin e dobësuar. Mushamatë e zeza, të lagura nga shiu, shndritnin nga drita e fortë e llampave të varura në tavan,

– me mbiemra të tjerë:

I vjetër në këtë punë, xha Vangjoja kish pritur e përcjellë disa drejtorë. Shefi i laboratorit fotografik, i gjatë dhe i hollë, fliste vazhdimisht. Instiktivisht edhe fytyra e Blertës, e ngjashme me atë të Makasenit, u ngrys.

Përcaktori i veçuar me përshtatje, pas një gjymtyre të përcaktar në rasën emërore shumës trajta e shquar, e ndërron nyjën e:

Fëmijët, të mbledhur kokë më kokë, vështronin lart pa bërë zë. Turqit, të thyer e të trembur, po linin tërë krahinat për t’u strehuar në fortesat kryesore. (Krahaso përcaktorin e paveçuar: Fëmijët e mbetur pa prindër dhe pa përkrahje rriten dhe edukohen nga shteti).

Përcaktorët e veçuar me drejtim ose me bashkim, shprehen me emra me ose pa parafjalë. Po ashtu me pjesore, me përcjellore, e me togfjalësha.

Mund të përdoret si përcaktor i veçuar një emër në rasën kallëzore me parafjalët me, pa, për, në, nën; një emër në gjinore, një emër në rrjedhore me parafjalën prej, zakonisht i zgjeruar:

Aty ngriheshin dy shelgje të larta si plepa, me pak degë, me trung të bardhë e të lëmuar dhe me gjethe të njoma. Gazi iu fut një të përpete që i ngjante asaj së Llogarasë, me kthesa të gjata. Fustani i ri, prej stofi, të mirë të errët, i shkonte bukur pas trupit. Një mjegull, në formë pende ose thike, shtrihej paralel me shtratin e gjerë të lumit. Orkestra, këngëtarët, nën drejtimin e dirigjentit të talentuar, ekzekutuan bukur dhe tërhoqën vëmendjen e miratimin e spektatorëve.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author