Hulumtuesit kanë zhvilluar një material plastik me kosto të ulët që mund të bëhet bazë për veshje që freskon mbajtësin, duke reduktuar, në këtë mënyrë, nevojën për ajër të kondicionuar.
Inxhinierët nga Universiteti i Stenfordit kanë zhvilluar një material plastik tekstili, me kosto të ulët, i cili nëse përdoret për veshje, mund ta ftohë trupin e njeriut shumë më mirë në krahasim me rrobat të cilat i veshim sot (pëlhura natyrore apo sintetike).
Duke përshkruar punën e tyre, studiuesit sugjerojnë se ky material i ri mund të bëhet bazë për rrobat që i mbajnë njerëzit freskët në klimë të nxehtë, pa ajër të kondicionuar.
“Nëse ju i freskoni njerëzit e jo ndërtesat ku ata punojnë apo jetojnë, do të kurseni energji” thotë Yi Cui, profesor i shkencave dhe inxhinjerisë së materialeve në Universitetin e Stenfordit dhe shkencave të fotonit në Laboratorin Kombëtar të Akceleratorit SLAC.
Ky material i ri mundëson që trupi i njeriut i cili e vesh të jetë gati 4 ºF (Farenheit-njësi për temperaturën që përdoret në SHBA) më freskët në krahasim me rrobat të bëra nga pambuku.
Materiali i ri e freskon trupin e njeriut në dy mënyra. Njëra mënyrë është që e mundëson djersitjen të kalojë nëpërmjet materialit, gjë që e bëjnë edhe disa lloje pëlhurash. Mënyra
tjetër është mekanizëm revolucionar i ftohjes: i lejon nxehjes së trupit si rrezatim infra të kuq të kalojë nëpër tekstilin plastik.
Të gjitha objektet, duke përfshirë edhe trupat tonë, hedhin jashtë nxehtësinë në formë të rrezatimit infra të kuq me gjatësi valore të padukshme. Ky rrezatim që e rrezaton trupi jonë mundëson pamjen tonë me të ashtuquajtura syze “syri i natës” të cilat punojnë me anë të këtij rrezatimi.
“40 deri 60% e nxehtësisë së trupit tonë shpërndahet si rrezatim infra i kuq, kur ne jemi të ulur në zyrë” thotë Shanhui Fan, profesor i inxhinjerisë elektrike, specialist në fushën e fotonikës, që është studim i dritës së dukshme dhe të padukshme. “Por deri më tani ka pasur pak ose aspak kërkime mbi zhvillimin e tekstileve nga karakteristikat e rrezatimit termik.”
Përgatiti dhe përshtati
STUDENTET.MK