Mund të themi se ndërmarrësi është personi i cili është i gatshëm që me rrezik të vetin, duke aplikuar ide të reja (prodhuese, tregtare, menaxhuese), të ndërmerr dhe realizojë projekte të reja ekonomike me orientim fitimprurës.
Ndërmarrësi përgatit, zbaton dhe kontrollon projektin e vet dhe vendimet zakonisht i merr vetë. Ndërmarrësi, për dallim nga pronari, është novator. Ai kërkon mënyra për zhvillimin dhe rritjen e veprimtarisë së vet dhe vazhdimisht aplikon risi. Nga ana tjetër, pronari që nuk ka afinitet dhe zotësi për ndërmarrësi, përpiqet që afarizmin e vet ta mbajë në nivelin aktual. Po ashtu, vlen të theksohet se ndërmarrësit mund të jenë të punësuar në një kompani të madhe dhe të mos jenë pjesëmarrës në pronësi. Fjala është për menaxherët ndërmarrës që si punëdhënës, me ndihmën e novacioneve, përkatësisht të produkteve të reja, orientohen në zgjerimin e prodhimit.
Sipas D.K. Traverso, dallimi ndërmjet ndërmarrësit dhe njerëzve të tjerë qëndron në sa vijon: ndërmarrësit vazhdimisht fillojnë projekte të reja, kurse njerëzit e “zakonshëm” ndërmjet projekteve pushojnë. Që të ndihen të suksesshëm ndërmarrësit duhet të fitojnë shumë, shumë para; njerëzit e tjerë thjesht kënaqen me vetë fitimin, dhe mu kjo bënë që të ndihen të suksesshëm.
Ndërmarrësit i shfrytëzojnë njerëzit për të fituar atë që e dëshirojnë, kurse të tjerët i shohin njerëzit si miq dhe të njohur me të cilët kanë dëshirë të shoqërohen… Ndërmarrësit (më së shpeshti) janë vetmitarë dhe kanë dëshirë që kohën ta kalojnë duke menduar. Për ta njerëzit e tjerë janë “tepër të ngadalshëm” dhe “nuk i kuptojnë”. Janë tepër të shkathët dhe rregullisht e realizojnë atë që e synojnë, madje edhe besimin e të tjerëve. Ndërmarrësi para së gjithash është i orientuar në realizimin e fitimit, ngase mungesa e fitimit e bënë atë të pasuksesshëm. Mirëpo, përkundër kësaj, rolet e ndërmarrësit janë të shumta: ai duhet të jetë planer, udhëheqës, novator, organizator dhe kontrollor i mirë. Nëse nuk mund t’i kryejë vetë të gjitha këto role, ndërmarrësi i arsyeshëm do t’ia besojë disa prej tyre menaxherit.
Për dallim nga ndërmarrësi, menaxheri është ekspert i shkolluar i cili merr përsipër detyrën dhe funksionet e qeverisjes në ndonjërin nga nivelet e kompanisë lidhur me llojin e caktuar të aktivitetit afarist.