1. Përkujdesja për ndjenjat e atij që e fton dikë në gosti dhe ai nuk mundet t’i përgjigjet ftesës:
Mikpritja e mysafirit është nder, përzemërsi dhe bamirësi për të, prandaj ai që ftohet në gosti duhet t’i përgjigjet ftesës dhe këtë të mirë ta kthejë me të mirë, ashtu siç Allahu thotë: “A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?!” (Er-Rahman: 60)
Kjo është esenca, përderisa nuk ka ndonjë pengesë fetare; si shembull të ketë ndonjë mëkat, ose dëm shëndetësor, ose të ngjashme me to. Në rast të tillë i ftuari duhet “që të përkujdeset për anën fetare, t’i japë përparësi anës morale dhe kënaqësisë shpirtërore”, dhe ta lajmërojë se nuk mundet t’i përgjigjet ftesës, me butësi dhe me edukatë.
Es-Sa’b ibën Xhethame El-Lejthij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se ia dhuroi një gomar të egër Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, por e refuzoi. Kjo ndodhi duke qenë në El-Ebva ose Veddan. Por, kur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e vërejti nga reagimet e fytyrës sime “që nuk më erdhi mirë”e më tha: “Gomarin nuk e pranova, për shkak se jemi në ihram, jo për diçka tjetër.”
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky hadith paraqet argument se lejohet që dhurata të refuzohet për ndonjë arsye, prandaj imam Buhariu njërin kapitull në librin e tij Sahih El-Buharij e emërtoi: ‘Ai që e kthen dhuratën për ndonjë arsye’. Hadithi po ashtu është argument se kur refuzohet dhurata, pëlqehet që të kërkohet falje dhe me këtë t’i ngushëllohet zemra atij që e jep dhuratën. Po ashtu është argument që dhurata nuk bëhet pronë e ndokujt, pa e shqiptuar me gojë pranimin e saj, kurse vetëm mundësia për ta pronësuar nuk e bën pronë të askujt. Si dhe hadithi është argument se atij që është në ihram nuk i lejohet gjuajta e kafshëve që ndalohen për gjueti.”
Ibën El-Mulekkin, Allahu e mëshiroftë, kur flet për dobitë e hadithit thotë: “Lejohet dhënia dhe pranimi i dhuratës nëse nuk ka ndonjë pengesë që e detyron refuzimin e saj. Pëlqehet po ashtu t’i kërkohet falje atij që e jep dhuratën, nëse refuzohet dhurata e tij, që t’i ngushëllohet zemra. Ebu Ali En-Nisaburij, Allahu e mëshiroftë, tha: ‘Ky hadith është më i sakti në kërkimin e ndjesës’. ”
2. Përkujdesja për ndjenjat e mikpritësit, nëse nuk gjen me çka ta gostitë mysafirin:
Nganjëherë myslimanit mundet që papritmas t’i shkojnë mysafirë dhe ta gjejnë në gjendje të ngushtë, me angazhime, ose i sëmurë, ose nuk ka vend të mjaftueshëm në shtëpi ose të jetë ngushtë me të holla.
Nga edukata e mysafirit në raste të tilla është që t’ia lehtësojë mikpritësit gjendjen, me fjalë të buta që ia largojnë brengën dhe mërzinë, dhe ia largojnë ngushtimin që e ndien në ato momente.
Megjithatë më e mira për myslimanin është të jetë i kujdesshëm për rastet e tilla, para se të ndodhin ato; pra mos ta ngushtojë të afërmin e varfër, të mos i shkojë në gosti befas atij që mendon se nuk ka me çfarë të gostitë në kohën e drekës apo darkës.
3. Përkujdesja për ndjenjat e mysafirit:
Mikpritësi dhe familja e tij duhet të përkujdesen për ndjenjat e mysafirit të tyre, e sidomos kur atij i shtrohet ushqimi për të ngrënë. Kjo është nga edukata e gostisë që Islami nxit në të. Ata nuk duhet të reflektojnë asisoji që ai të ndihet rëndë e të mendojë që prezenca e tij po i ngushton ata, ose ta përcjellin atë me sy duke e ngrënë ushqimin, ose të dominojë heshtja gjatë prezencës së tij, derisa mysafiri të ndihet ngushtë dhe të ngutet të çohet sa më shpejt.
Ajo që kërkohet është e kundërta, mysafiri ta shohë mikpritësin që gëzohet me ardhjen e tij dhe t’i ofrojë mikpritje për më gjatë, nëse ka nevojë për të.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Erdhi një beduin te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i tha: ‘Kam lodhje dhe uri!’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e pyeti njërën nga gratë e tij nëse kishte diçka për të ngrënë, por ajo i tha: ‘Pasha Atë që të dërgoi me të vërtetën, nuk kam asgjë përveç ujit.’ Pastaj e pyeti tjetrën, ajo ia kthehu njëjtë sikurse e para. Të gjitha gratë e tij të tjera ia dhanë të njëjtën përgjigje: ‘Pasha Atë që të dërgoi me të vërtetën, nuk kemi asgjë përveç ujit.’ Në këtë rast tha: ‘Allahu e mëshiroftë atë njeri që këtë natë e gostit beduinin.’ U ngrit njëri nga ensarët dhe tha: ‘Unë do ta gostiti, o I Dërguar i Allahut.’ U nis për në shtëpinë e tij së bashku me mysafirin dhe kur arriti i tha gruas: ‘A ka diçka për të ngrënë?’ Ajo i tha: ‘Përveç ushqimit të fëmijëve, nuk kemi asgjë tjetër!’ Burri i tha: ‘Fëmijëve jepu diçka të luajnë, ndërsa kur të hyjë mysafiri ynë, ndeze llambën që të mendojë se jemi duke ngrënë, e kur ai të fillojë me ushqim, ti çohu shko te llamba kinse po e rregullon atë dhe fike. Gruaja e përgatiti ushqimin që e kishte, e ndezi llambën, i futi fëmijët në gjumë, pastaj u ngrit kinse po e rregullon llambën dhe e fiku atë, kurse mysafiri mendonte që ata dy janë duke ngrënë. Rrinin ulur (dhe i bënin lëvizjet e duarve kinse po hanë), derisa mysafiri e hante ushqimin. Pastaj ranë të flinin të uritur. Kur të nesërmen u zgjuan në mëngjes, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, iu tha: ‘Allahu u mahnit me veprën tuaj që e bëtë mbrëmë për mysafirin’.”
Ajo që e veproi ky sahabij nuk bën pjesë në ngarkesën e vetes përtej mundësive, gjë që ndalohet. Beduini ishte i lodhur dhe i uritur, ishte mysafir i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kurse ensariu e gostiti me atë që e posedonte nga ushqimi, ngase gjendja ekonomike e tij ishte e dobët.
Kurse kur mikpritësi e ngarkon veten përtej mundësive me atë që nuk mundet, ose merr borxh për ta gostitur mysafirin dhe të ngjashme me to, atëherë kjo ndalohet, bazuar në fjalët e Pejgamberit,
lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Të mos e ngarkojë veten përtej mundësive asnjëri nga ju për ta gostitur mysafirin.”
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, Ebu Bekri dhe Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, dolën nga shtëpia dhe ajo që i nxori jashtë ishte uria. Arritën te shtëpia e një ensariu, por nuk e gjetën aty. Kur gruaja e tij i pa, iu uroi mirëseardhje, ndërsa Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e pyeti: ‘Ku është filani (për burrin e saj)?’ Gruaja tha: ‘Shkoi të sjellë ujë të pijshëm për ne.’ Në ato momente burri arriti në shtëpi. Kur e pa Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe shokët e tij tha: ‘Elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut)! Sot askush nuk ka mysafirë më bujarë se unë.’ Menjëherë shkoi dhe u kthye me një kalavesh hurma, në të kishte hurma të njoma, të thata dhe të lëngëta, dhe iu tha: ‘Urdhëroni, hani nga këto.’ E mori thikën ta therte një dele, por Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: ‘Kujdes, mos e ther delen që milet dhe jep qumësht.’ E theri, ua përgatiti, hëngrën nga mishi i saj, hëngrën nga hurmat që ishin në kalavesh dhe pinë ujë. Pasi u ngopën duke ngrënë dhe pirë, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, Ebu Bekrit dhe Omerit, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, iu tha: ‘Pasha Atë që shpirti im është në Dorën e Tij, do të jepni llogari për të gjitha këto begati në Ditën e Kiametit. Ju nxori uria nga shtëpitë tuaja dhe nuk u kthyet në to vetëm pasi ju dha kjo begati’.”
Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, tha: “Një grup dijetarësh nga të parët tanë të mirë nuk e pëlqyen harxhimin e tepërt për mysafirin, sepse kjo dukshëm e ngarkon përtej mundësive mikpritësin dhe e pengon atë në sinqeritet dhe në të gëzuarit e plotë me ardhjen e mysafirit. Diçka nga kjo ndoshta mund të paraqitet haptazi dhe mysafirin ta lëndojë. Mundet që mikpritësi ta shërbejë mysafirin me diçka që është përtej mundësive të veta, kurse mysafiri të jetë në dijeni për gjendjen e rëndë të mikpritësit dhe kjo t’ia lëndojë zemrën nga keqardhja për të. Kjo mbingarkesë e vetes për ta gostitur mysafirin është në kundërshtim me fjalët e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili thotë: ‘Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Kiametit, le ta nderojë mysafirin’, sepse mikpritësi e përsosi gostinë e tij, vetëm e vetëm për ta rehatuar mysafirin dhe për t’u dukur i gëzuar për ardhjen e tij, kurse ajo që e veproi ensariu për mysafirët e tij, i cili iu theri dele, nuk ia ka vështirësuar gjendjen atij aspak. Po të therte shumë dele, madje edhe shumë deve dhe të shpenzonte pasuri për ta gostitur Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe shokët e tij, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kjo do ta bënte atë të lumtur dhe do t’i dukej pak. Allahu e di më së miri.”
4. Përkujdesja për ndjenjat e mysafirit që të mos mendojë se mikpritësi është harxhuar për mikpritjen e tij:
Mysafiri ndoshta mund të ndiejë në vete se mikpritësi është harxhuar për mikpritjen e tij prandaj, nëse mikpritësi e vëren këtë ndjenjë te mysafiri i tij, është mirë që t’ia largojë atë.
Lakit ibën Sabirete, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili ishte pjesë e delegacionit të Beni El-Muntefik për te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “U nisa unë dhe një shok imi për te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, por nuk e gjetëm në shtëpi. Aisha, Allahu qoftë e kënaqur prej saj, na gostiti me hurma dhe ‘asida’. Pas pak erdhi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke ecur fuqishëm dhe tha: ‘A u gostitët me diçka?’ I thamë: ‘Po, o I Dërguar i Allahut.’ Ndërkohë duke biseduar, erdhi bariu që përkujdesej për dhentë e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i futi ato në stallë, ndërsa në dorë e mbante një qengj. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e pyeti: ‘A ka lindur (d.m.th. delja)?’ Bariu tha: ‘Po.’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: ‘Atëherë there një dele.’ Pastaj u drejtua drejt nesh dhe na tha: ‘Mos mendoni që po e therim delen për hir tuajin, por ne i posedojmë njëqind dele dhe nuk shtojmë më tepër se kaq. Nëse lind ndonjëra nga to (dhe shtohen më tepër se njëqind), e urdhërojmë bariun që ta therë njërën dele (që numri i deleve të mbetet sërish njëqind)’.”
Autori i librit “Avnu El-Mabud” në komentin e këtij hadithi thotë: “ ‘duke ecur fuqishëm’; do të thotë që ecja e tij ishte e fuqishme, kur ecte i ngritte këmbët nga toka fuqishëm.
‘e therim delen’; Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, donte t’u tregonte atyre që therja e deles nuk u bë për ta, me qëllim që ata të mos ngushtoheshin duke menduar që delja është therur enkas për ta, t’i shpëtonin mahnitjes dhe mburrjes.
‘e urdhërojmë bariun që ta therë një dele’; mos mendoni që unë po e ngarkoj veten dhe therja e deles është e kushtueshme për mua. Nga pamja e jashtme e fjalisë i bie të kuptohet që kur ata e dëgjuan Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se urdhëroi të theret delja, i thanë atij: ‘mos shpenzo dhe mos e ngarko veten për neve’, kurse Pejgamberi, lavdërimi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, u përgjigj se nuk është ashtu siç mendojnë. Kjo është ajo që kuptohet nga realiteti i ndodhisë.”
5. Përkujdesja për ndjenjat e mikpritësit duke ia ruajtur të drejtën e udhëheqësisë në shtëpinë e tij kur atë e viziton mysafiri:
Ebu Mesud El-Ensarij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Për në namaz le t’ju prijë ai që di më shumë Kuran, nëse janë të barabartë (në lexim të Kuranit), atëherë le t’ju prijë ai që e njeh më mirë Sunetin. Nëse janë të
barabartë në njohjen e Sunetit, atëherë le t’ju prijë ai që është më i pari në emigrim, e nëse edhe këtu janë të barabartë, atëherë le t’ju prijë ai që është më i vjetër me Islam.”
Pronarit të shtëpisë i garantohet e drejta e udhëheqjes në shtëpinë e tij, prandaj askujt nuk i takon që t’i paraprijë atij në shtëpinë e tij. Kjo vlen edhe për në namaz, ngase të jesh imam i xhematit nënkupton udhëheqjen e tyre, kështu që askujt nuk i lejohet të dalë imam pa lejen e pronarit të shtëpisë. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Nuk i lejohet askujt që të dalë imam në pronë të huaj (në prezencë të pronarit) dhe as të ulet në vendin e pronarit të shtëpisë, përveç me lejen e pronarit të shtëpisë.”
Madje pronari i kafshës është më meritori për shpinën e kafshës së tij. Burejda, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ndërkohë duke ecur rrugës Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i afrohet një njeri që me vete e kishte një gomar dhe i thotë: ‘O I Dërguar i Allahut, hip mbi gomar, kurse ai vetë u largua.’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: ‘Ti je më meritori për shpinën e kafshës sate (d.m.th. të hipësh mbi të), përveç nëse më jep leje.’ I tha: ‘E ke lejen nga unë.’ Vetëm pasi e mori lejen, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, hipi mbi kafshën e tij.”
6. Përkujdesja për ndjenjat e pronarit të shtëpisë (mikpritësit) duke mos e ngushtuar atë:
Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ditën që e martoi Zejneb bint Xhehshin, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, gostiti njerëz në dasmën e tij. Mysafirët, pasi e kryen me ngrënien, e vazhduan ndejën dhe bisedën. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur e pa që ata nuk e kishin ndërmend të ngriteshin, u bë gati kinse po ngritet (me qëllim që mysafirët të ngriteshin), por ata nuk lëvizën nga vendi. Pas kësaj, u ngrit, e kur ai u ngrit, u ngritën edhe ata, përveç tre vetave. Ata vazhduan me ndejën. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pasi doli nga shtëpia, për kohë të shkurtër u kthye në shtëpi, por përsëri i gjeti aty. Pastaj u ngritën dhe shkuan. Unë (d.m.th. Enesi) shkova e lajmërova që dolën. Hyri brenda dhe unë u nisa pas tij, por e lëshoi perden e dhomës (të mos futeshin brenda). Enesi thotë që Allahu e zbriti ajetin: “O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e Të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)! Hyni vetëm kur t’ju thërrasin dhe, pasi të hani, shpërndahuni! Mos qëndroni pas ushqimit për të biseduar me njëri-tjetrin. Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte Të Dërguarin e ai turpërohej (që t’ua thoshte këtë), ndërsa Allahu nuk turpërohet që t’jua thotë të vërtetën. Kur të kërkoni prej grave të Profetit diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyre. Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni Të Dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij pas (vdekjes së) tij. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.” (El-Ahzab: 53)”
Në një transmetim tjetër që e shënoi imam Buhariu thotë: “(Enesi përcjell) Tre veta e vazhduan ndejën dhe bisedën. Kjo më bëri të mërzitesha.”
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Fjalët e Enesit ‘kjo më bëri të mërzitesha’, dolën shkaku që ai e kuptoi se i erdhi turp Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, t’i urdhëronte ata tre të ngriteshin, pasi i vërejti se ishin habitur në bisedë rreth punës dhe iu kishte dalë nga mendja se me vazhdimin e ndejës po e ngushtonin Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë për të.”
Ibën Haxheri po ashtu tha: “Ibën Batali thotë: ‘Askujt nuk i lejohet të hyjë në shtëpinë e huaj përveç me leje, ndërsa atij që i lejohet hyrja, nuk duhet ta zgjasë ndejën e tij, që të mos e dëmtojë pronarin e shtëpisë dhe ta pengojë atë në kryerjen e nevojave të tij. Po ashtu nga hadithi mësojmë që kur mysafiri e zgjat ndejën derisa e dëmton mikpritësin, lejohet që pronari i shtëpisë ta paraqesë shqetësimin e tij, si dhe i lejohet të ngritet pa pyetur që ta kuptojë tjetri se edhe ai duhet të ngritet prej aty. Kur pronari i shtëpisë del nga shtëpia, atij që më herët ka hyrë brenda me leje nuk i lejohet të qëndrojë përveç me ripërtëritjen e lejes. Allahu e di më së miri’.”
Ibën Haxheri po ashtu tha: “Ibën Merdevejhi shënon një hadith nga Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, i cili thotë: ‘Hyri një njeri te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe e zgjati ndejën e tij. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u ngushtua derisa iu desh që të dilte tri herë nga shtëpia dhe priti që pas tij të dilte edhe mysafiri, por ai nuk doli. Më vonë kur hyri Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e vërejti nga fytyra e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, se nuk ishte i kënaqur me ndejën e gjatë të atij burri dhe i tha: ‘O ti filan, mos po e lëndon Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke e zgjatur ndejën tënde?!’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në këtë rast tha: ‘Tri herë u ngrita dola jashtë që edhe ai të dilte pas meje, por nuk doli.’ Omeri i tha: ‘O I Dërguar i Allahut, pse nuk po vendos perde? Gratë e tua nuk janë sikurse gratë e tjera! Kjo është më e mirë për zemrat e tyre.’ Kështu zbriti ajeti i hixhabit.”
Ebu Shurejh El-Ka’bij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Kiametit le ta nderojë mysafirin e tij. Shpërblimi (mikpritja) i tij është një ditë dhe një natë, ndërsa gostitja e tij është tri ditë, e nëse qëndron më tepër se kaq, ajo është sadaka. Nuk i takon mysafirit të qëndrojë gjatë derisa ta ngushtojë mikpritësin e tij.”
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Fjalët e hadithit ‘derisa ta ngushtojë mikpritësin e tij’ nënkuptojnë që mysafiri të mos e ngarkojë dhe mundojë mikpritësin duke e zgjatur qëndrimin e tij. Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, për transmetimin tjetër që e shënon imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë ‘….derisa ta fusë në mëkat’ thotë: ‘Nuk duhet që çështja të dalë jashtë kontrollit derisa mysafiri të bëhet sebep që mikpritësin ta futë në mëkat. Kur qëndrimi zgjatet (pa leje), mikpritësi mundet që ta përgojojë mysafirin e tij, ose në ndonjë formë ta lëndojë atë, ose ta ndryshojë mendimin në të keq për të. Të gjitha këto pasoja vijnë kur qëndrimi nuk bëhet me dëshirën e mikpritësit, pra mysafiri duhet të kërkojë leje që të qëndrojë më gjatë ose t’ia marrë mendja që pronari i shtëpisë nuk do ta urrejë qëndrimin e tij më gjatë (se tri ditë). Kjo është ajo që përfitohet nga fjalët e hadithit ‘derisa ta ngushtojë mikpritësin e tij’; që nënkupton se, nëse largohet ngushtimi dhe ngarkesa, atëherë kjo gjë lejohet.’ Ibën Batali thotë: ‘Urrehet për mysafirin të qëndrojë më shumë se tri ditë (pa leje), që mos ta lëndojë mikpritësin, e kjo ta nxitë mikpritësin për në mëkat pasi që ishte i shpërblyer (për mikpritjen e tij)’.”