Së pari, të gjithë u gjendëm të hutuar profesionalisht për një ndërmarrje të këtillë dhe, besoj, të gjithë ishim të vetëdijshëm për mangësitë tona teorike. Të dalë nga shkolla marksiste më e përçudnuar, ne nuk kishim aparatin konceptual, ndiheshim estetikisht të çoroditur dhe nuk ishim të përgatitur me qenë njerëz të lirë, në kuptimin e njeriut që guxon të marrë iniciativa dhe t’i finalizojë ato.
E dinim se si nuk duhej bërë një Histori Letërsie (shembulli traumatik i botimit të vitit 1983 ishte tepër paralizues për ne të gjithë), dinim pra se si nuk duhej bërë një Histori Letërsie, por nuk dinim se si duhej bërë ajo në mënyrë korrekte e të pranueshme për publikun dhe për situatën e re.
Së dyti, në situatën mbas 1990-ës, ne kishim paragjykimet tona: fatkeqësisht të shumta. Këtu e kam fjalën për disa kolegë, më tepër se për disa të tjerë. Ishim mësuar me një hierarki, të cilën në njëfarë mënyre e kishim vendosur ne vetë, dhe qemë të gatshëm të bënim gjithçka, përpos t’i binim ndesh vetes. Pak a shumë njëlloj si me botimin më të fundit të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, ku shumë zëra kanë hyrë në Fjalor përmes njohjeve personale me anëtarët e redaksisë dhe ku raportet e përfaqësimit të të gjallëve të dyshimtë me të vdekurit e mirënjohur janë, pak të thuash, problematike. Në këtë mënyrë, u besua, dhe ndoshta ende besohet, se vlera kryesore e një historie të letërsisë na qenka hierarkia e jo qëmtimi sistematik i dukurive.
Fatkeqësia qëndron në faktin se, përkundër asaj çka na thotë ndërgjegjja profesionale, ne ende nuk i kemi rënë ndesh vetes. Hierarkia e vlerave ka kohë që ka ndryshuar, madje në shumë raste rrënjësisht, ndërsa qarqet akademike e universitare kanë qenë fare pak aktorë të këtij ndryshimi.
Së treti, nëse ne ende nuk e kemi një Histori të Letërsisë Shqipe, kjo vjen edhe për faktin se, nga njëra anë, ne nuk e lëmë kolegun që të punojë i lirë sipas bindjes së vet, duke e përgojuar, sulmuar e diskredituar me të gjitha mjetet e disponueshme, kurse, nga ana tjetër, le ta themi shkoqur, ne jemi paksa dembelë. Kemi trashëguar një Histori Letërsie që reduktohet në një grusht ngjarjesh dhe në një grusht autorësh. E gjithë letërsia parakombëtare nuk ka aty më tepër rëndësi se një kapitull hyrës, edhe ky i hartuar nga autorë me formim gjuhësor. E gjithë Rilindja mbahet në këmbë vetëm me Naimin, të cilit, për ta vënë doemos në qendër, i bashkëngjisim si satelitë Çajupin, Asdrenin e Mjedën, që pothuaj e humbin krejtësisht mëvetësinë prej këtij bashkërendimi të sforcuar. De Radën, ndërkaq, themeluesin e modernitetit shqiptar, të cilin nuk e kanë arritur as Fatos Arapi e as Xhevahir Spahiu, e lëmë në një shenjtëri arbëreshe evazive, ndërkohë që ai është një romantik europian par excellence.
Mbas Pavarësisë vendosim në qendër Migjenin e Nolin, pavarësisht se vepra letrare e njërit dhe e tjetrit është ndër më minimalistet në plan sasior. Tek rreshtojmë përkrah këtyre Lasgushin, e ndonjëherë edhe Mitrushin, ne u bëjmë këtyre të dyve një të keqe më të madhe sesa vetë diktatura: i varrosim të gjallë në një epokë që këta e kanë tejkaluar. Duke mbërritur në të sotmen, pesha e fajit tonë shtohet: sot jemi dëshmitarë të një shpërthimi të vërtetë krijues, që vjen nga horizonte të shumëllojta, ndërsa ne kundrojmë e presim, dhe reagojmë fare pak.
Gjithçka që e patëm thjeshtuar në kufijtë e përçudnimit, tashmë po e komplikojmë deri përtej së skajshmes, si për ta bindur veten se kjo punë i duhet lënë rastisë, ashtu si deri më sot. Së fundi, për ta justifikuar disi veten tonë, le të themi se e kemi pasur njëfarë të drejte që s’jemi ngutur.
Mbas vitit 1990 ne e kemi parë letërsinë të bëhej mu përpara syve tanë, secili nesh është përpjekur ta ndjekë procesin letrar si ka mundur, herë duke u çuditur nga pasuria e veprave dhe e autorëve të para ’90-ës, që nuk i paskëshim njohur, herë duke u skandalizuar nga provokimi i më të rinjve që kërkonin njohje. Në një situatë të atillë, ne nuk kishim shumë për të thënë, sepse na lipsej kohë për të formuar gjykimin tonë dhe për të fituar drejtpeshimin estetik të nevojshëm. Morëm pjesë në promovime, shkruam artikuj, mbajtëm kumtesa, hartuam monografi studimore për dukuri të veçanta dhe për autorë përfaqësues. Më të guximshmit prej nesh, nëmos më të mirët (Sabri Hamiti e di se për të e kam fjalën), arritën t’i sistemojnë studimet e tyre në vepra të denja, të cilat tashmë përbëjnë pika reference të sigurta për të shkuar aty ku po duam të mbërrijmë.
Sidoqoftë, në një shqyrtim të shpejtë të situatës së pasnëntëdhjetës del se, me dhe pa ndihmën e kritikës letrare e të asaj historiko-letrare, është bërë një punë e konsiderueshme investiguese, është kryer relativisht kënaqshëm eksplorimi i terrenit, kurse është bërë pak për sistemimin e rezultateve, për parashtrimin sintetik të tyre dhe për përpilimin e një mendimi letrar koherent në vështrim të traditës kulturore-letrare e të dukurive sinkrone.
Megjithëkëtë, duket sikur shumëçka ia kemi lënë rastësisë dhe, sapo dikush hedh mendime a formulon argumente për atë çka pritet të jetë Historia e Letërsisë Shqipe, ai pothuaj sa nuk shpallet revizionist, në kuptimin përkeqësues që njohim, ndërkohë që situata pikërisht këtë kërkon prej nesh: një revizionim thelbësor të qëndrimit ndaj dukurisë letrare dhe të vetë idesë që kemi krijuar për historinë e letërsisë sonë. Në një analizë të mëtejshme, çështja është të dimë nëse simptomat frenuese ravijëzuar si më sipër vazhdojnë ende sot të shfaqen mes nesh në atë masë sa të na pengojnë të ndërmarrim një vendim bashkëpunimi për t’ia dalë në krye një pune që ka mbetur pa u realizuar për fajin tonë.
Pa u ndalur në një analizë të mëtejshme, që secili nesh di t’ia bëjë vetes po t’i lërë mënjanë paragjykimet, më lejoni t’i qasem thelbit të problemit të kësaj Konference, çështjes së hartimit të një vepre përfaqësuese mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare, që për inerci po vazhdoj ta quaj Historia e Letërsisë Shqipe.
Burimi: HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE
Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK