Psikoterapia është komunikim mes pacientëve dhe terapistëve për qëllim të ndihmesës me vështirësi të caktuara të përditshmërisë. Terapist mund të jetë çdo psikiatër , psikolog, konsultant psikologjik apo shërbyes tjetër në fushën e shëndetit mental.

Arsyeja e këtij komunikimi mund të jetë:

● Kërkimi i lehtësimit nga shqetësimet emocionale (mos mundësia e të thënurit Jo kërkesave të tjerëve, mendime negative, mungesa e vetëbesimit dhe dashurisë ndaj vetes etj).
● Kërkimi i zgjidhjes për problemet e përditshme si trajtimi i frigës, zhgënjimit, pikëllimit, shqetësimit, çështjeve familjare dhe pakënaqësisë me rrethinën ose karrierën.
● Modifikimi i mënyrës së të menduarit dhe përmirësimit të marrëdhënieve
ndërnjerëzore. (APA, 2017)

Psikoterapia është lidhje profesionale dhe dallon në shumë pika nga diskutimi i problemit me ndonjë mik apo të afërm. Psikoterapia është një aplikim mes shkencës dhe artit kështu që psikoterapeuti duhet të jetë person i diplomuar prej fushës përkatëse, duhet të jetë një karakter i fortë, i kënaqur prej vetes, i hapur ndaj ndryshimeve, autentik, i sinqertë, duhet të ketë sens humori, njeri që di se gabon dhe nuk ngurron të përmirëson gabimet, i suksesshëm në marrëdhëniet ndërnjerëzore, njeri i cili çmon mirëqënien dhe lumturin ë e të tjerëve dhe di të kuptoj të tjerët.

Psikoterapia është profesion ku vegël është njerëzia e psikoterapeutit, ai vazhdimisht duhet të investoj në njerëzinë e tij. Në gjeografinë tonë ka shumë paragjykime për vizitën e një psikoterapeuti të cilat rrjedhin nga mos njohja e mjaftueshme e kësaj fushe. Njerëzit zakonisht ngurrohen dhe ikin nga ky shërbim me preteksin: një mik do më ndëgjoj dhe ndihmoj, kushton shumë, nuk kam kohë, nuk do ruan sekretim tim, psikoterapeuti do më gjykon, nëse ndihem i/e depresionuar mjafton të marr medikamente antidepresante etj. (Soeiro.L, 2017)

Përceptimi i shërbimit të psikoterapisë është i varrur nga kultura. Në një pyetësor me gjashtëmbëdhjetë (16) pyetje të realizuar tek shqiptarët e R.Maqedonisë së Veriut mbi temën e “Besimit ndaj profesionalitetit të Psikoterapeutëve” morrën pjesë rreth 150 participant ku 65.4% ishin femra dhe 34.6% meshkuj. Participantët 105 gjegjësisht 67.3% ishin mes moshës 18-25 vjeçare, 32 (20.5%) mes moshës 26-35 vjeçare 15 (9.6%) mes moshës 36-45 vjeçare dhe 3 (1.9%) pjesëmarrës mes moshës 46-55 vjeçare. Shumica e participantëve gjegjësisht 132 (85.2%) ishin nga Shkupi ndërsa nga Tetova, Gostivari, Struga dhe Kumanova nga 6 (3.9%) participant.

3 (1.9%) pjesmarrës me arsim fillor, 33 (21.2%) me arsim të mesëm, 98 (62.8%) me arsim universitar dhe 22 (14.1%) me arsim post universitar.
Participantët ishin nga ngjyrat të ndryshme të profesioneve: student, mjek, ekonomist, tregtar, profesor të edukimit të lartë, logoped, psikolog, menaxher logjistike, teolog, IT inxhinierë, Elektro inxhinierë, Inxhinier Mekantronike, kamarier, avokat, mësimdhënës, punëtor fabrike, administrator, sportist, përkthyes, sociolog, kontabilist, arkitekt, gazetar, amvise, ekolog, të papunësuar etj.

Në pyetjen: A besoni në profesionalitetin e psikoterapeutëve 98 persona (62.8%) janë përgjigjur pozitivisht, 14 (9%) negativisht dhe 44 persona (28.2%) kanë qenë të përmbajtur. 92 (59%) pjesëmarës kanë informata se për çka mund të referohen tek një psikoterapeut përderisa 57 (36.5%) nuk e dinë por shprehin interes për informim dhe 7 (4.5%) pjesëmarrës nuk e dinë dhe nuk kanë interes të informohen në këtë temë dhe vetëm 23 (14.7%) e pjesëmarrësve së paku njëherë në jetë kanë vizituar një psikoterapeut.

Nga 156 pjesëmarrës 113 (72.9%) kanë deklaruar që në rast nevoje do vizitonin një psikoterapeut dhe 35 (22.4%) prej tyre preferojnë institutet publike, 47 (30.1%) ato private dhe 71 (45.5%) pjesëmarrës kanë deklaruar që në rast vizite të psikoterapeutit nuk do bënte dallim në qoftë se është institut publik ose privat.
Çmimi në këmbim të së cilit ofrohet ky shërbim gjithashtu është shumë i rëndësishëm. 41 (26.3%) e pjesëmarrësve janë deklaruar që çmimi nuk është i pranueshëm dhe 104 (66.7%) kanë deklaruar që nëse çmimi do ishte i pranueshëm do vizitonin një psikoterapeut. Në pyetjen se a do parapëlqenit një psikoterapeut femër apo mashkull, 83 (53.2%) nga pjesëmarrësit kanë shprehur që gjinia nuk ka rëndësi përderisa 65 (41.7%) do parapëlqenin psikoterapeut femër dhe 8 (5.1%) psikoterapeut mashkull. 82 (53.2%) nga participantët besojnë që psikoterapeuti mund të ndryshon diçka në jetët e tyre, 12 (7.8%) nga ta nuk besojnë në ndonjë ndikim ndërsa të tjerët nuk kanë qëndrim. Shumica e pjesëmarrëve 100 (64.1%) janë të bindur që psikoterapeuti do ruan sekretin e tyre përderisa 38 (24.4%) persona janë përgjigjur negativisht dhe të tjerët kanë qëndrime të ndryshme.

Profesioni i psikoterapeutikës është i ndërtuar mbi bazat e etikës, gjithçka që flitet në hapësirën e konsulltimit psikologjik përgjithmonë mbetet aty, privatësia është e mbrojtur edhe me ligj në përjashtim të supervizionit ku informohet dhe kërkohet miratimi i pacientit, në raste ilegale ose kur pacienti është i sjellur në terapi nga ana e shtetit. Në psikoterapi qendra e vëmendjes është pacienti i cili në paradigmën ekzistenciale dhe atë humaniste refuzohet të emërtohet si pacient, nuk jipet asnjë diagnostifikim patologjik dhe konsiderohet si një bashkëudhëtar i cili ka nevojë për shoqërim gjatë një periudhe të caktuar.

Në konsultimet psikologjike pacienti asnjëherë nuk paragjykohet, respektohet dhe pranohet pa kushte duke iu dhuruar empati maksimale. Lidhja mes psikoterapeutit të duhur dhe pacientit është një nga lidhjet më të përzemërta dhe të sinqerta. Ne të gjithë jemi barka që lëndrojmë në detin e jetës dhe ndonjëher shoqërimi, ndjesia e të kuptuarit dhe të pranuarit e bën më kuptimplotë këtë lundrim. Drita e një barke tjetër në errësirën e detit na jep ndjesinë që nuk jemi të vetëm dhe kjo mund t’i jap kahje më të bukur jetës tonë. Jeta kurrë nuk është e rëndë sa na duket nesh dhe në të njejtën kohë ne kurrë nuk jemi të pamjaftueshëm aq sa e shohim veten. Njerëzit në terapi shpesh janë në terapi shkak i njerëzve të cilët kanë nevojë të pranojnë terapi por e refuzojnë atë. Njerëzit e nënçmojnë veten përderisa shumë njerëz janë të motivuar nga potenciali i tyre. Në të shumtën e rasteve ndjesia e mos dashurisë ose pavlefshmërisë nuk ka të bëjë me personin por me rrethinën toksike. Emocionet dhe ndjenjat nuk janë luks, janë ndihma e parë në luftën e ekzistencës e njerëzit bëjnë çmos t’iu shmangen ndjenjave të tyre. Një njeri nuk ndriqohet duke imagjinuar figurën e tij të dritshme por duke u vetëdijesuar për errësirën.


Me dëshirë të vetëdijesohemi për rëndësinë e shëndetit tonë mental.


Referenca:
● https://www.apa.org
● Psychology Today Soeiro.L.’’ 10 Reasons Why People Refuse to Talk to
Therapists’’. New York, 2017.

Shkruan: Sumea Ramadani, Psychological Counselling – Hacettepe University.

STUDENTET.MK

About Author