Gjuha e ruajtur në gojën e popullit është një enciklopedi e gjithë jetës së popullit tonë. Thëniet e gdhendura të kanuneve, krijimtaria gojore popullore janë shfaqje e mirëfilltë e përpunimit stilistik të shqipes.

Gjuha jeton përmes dialekteve, që janë limfa e jetës së saj. Kjo e Vërtetë megjithatë shpesh harrohet dhe dialektet shihen si një shfaqje ,,historike“ dhe e tepërt, që njeriut modern nuk i duhet. Sidomos në kohën tonë të globalizimit dhe masmediave, dialektet shumëkund janë në tkurrje dhe shuarje të plotë. Në rast se, në globin tonë çdo dy javë shuhet një gjuhë, sikundër e nxirrte një studim amerikan i para disa muajve, dialektet ndoshta mund të treten dita-ditës. E prapëseprapë askush nuk mund të thotë se ka rënë kambana e dialekteve ose të folmeve të veçanta dhe se njeriu modern nuk do t’i rikthehet edhe në këtë pikë asaj çka i kanë lënë trashëgim shekujt.

Me sa duket është një tharm i fortë që s’ka për të vdekur asnjëherë. Aq më shumë kur njerëzit ta kuptojnë dalëngadalë se përdorimi i një dialekti nuk tregon as prapambetje e as injorancë, por mbart jetë dhe ngrohtësi njerëzore si shumë pak tjetër gjë e kësaj bote.

Njohja dhe studimi i imët i dialekteve janë themelore për të gjitha studimet gjuhësore: për fonetikën e fonologjinë, për morfologjinë, për sintaksën, historinë e gjuhës dhe, pa dyshim për semasiologjinë, leksikologjinë dhe frazeologjinë e gjuhës.

Dialektet dhe të folmet e gjalla përbëjnë dëshmi të rëndësishme, që kanë peshë apo vlerë të krahasueshme me vlerën që kanë bimët për botanistin, objektet dhe veshjet (kostumet) popullore për etnografin, si këngët e vallet për folkloristin, si dokumentet arkivore e kronikat e drejtpërdrejta për historianin. Të dhënat e dialekteve janë të rëndësishme sepse në to na jepet një pamje autentike e të folmeve apo e dialekteve nëpërmjet të folurit të rrjedhshëm e të gjallë, ashtu siç rron në gojën e njerëzve të rëndomtë, pa ndonjë përpunim e tëhollim libror.

Dijetari i shquar frëng Sharl Nodie para më se 150 vjetësh ka thënë se “ai njeri që nuk ka hulumtuar me kujdes dialektet dhe të folmet e gjuhës së vet, nuk njeh as gjysmën e saj ”, e kjo thënie mbetet edhe sot një aksiomë. Na duket me vlerë të kujtojmë thënien e Rusëlo-së se dialektet dhe të folmet e një vendi në krahasim me gjuhën letrare meritojnë të njëjtën përparësi të gjuhëtarit siç meritojnë “parapëlqimin e botanistit bimët dhe lulet e fushës në krahasim me lulet e lulishteve tona”.

Dialektet dhe të folmet e një gjuhe pasqyrojnë të kaluarën e njerëzimit në përgjithësi e të një bashkësie shoqërore në veçanti. Për këtë arsye studiuesit kanë vënë re se njohja e larmive gjeografike gjuhësore sjellin përfitime jo vetëm për filologjinë, por edhe për shkencat e tjera. Është më se e nevojshme të bëhet studimi sistematik i gjuhës dialektore, sepse ajo rrezikohet të zhduket.

Dihet se krijimi i standardit të një gjuhe, si mjet komunikimi mbarëkombëtar, nuk përjashton ekzistencën e dialekteve. Ato vijojnë jetën e tyre duke pësuar ndryshime në përshtatje me vetë zhvillimin e krahinës ku fliten dhe në marrëdhënie me standardin. Rastet e gjuhëve të mëdha të Evropës, si anglishtes, frëngjishtes, italishtes etj., që kanë krijuar standardin e tyre prej disa shekujsh duke ruajtur edhe dialektet, janë një shembull i qartë për këtë. E njëjta gjë mund të thuhet për gjuhën shqipe, e cila, ndryshe nga gjuhët e mësipërme, ka një standard të ri, të krijuar prej jo më shumë se një gjysmë shekulli, por dialektet e saj gjëllijnë duke hyrë në marrëdhënie të ndërsjella me të: nga njëra anë, standardi ushtron ndikimin e vet mbi dialektet duke futur elemente të modernizimit të gjuhës, fjalë të reja që lidhen me mënyrën e re të jetesës dhe ndryshimet e mëdha ekonomike e shoqërore; nga ana tjetër, dialektet derdhin vazhdimisht pasurinë e tyre leksikore e frazeologjike në gjuhën standarde. Për këtë arsye çdo nënvleftësim i fuqisë krijuese të dialekteve sjell dobësim e varfërim jo vetëm të dialektit por edhe të vetë standardit.

Gjuha popullore, që jeton përmes dialekteve, është ajo që i jep jetë e gjallëri standardit, që e freskon dhe e njom, e përtërin, dhe e këndell, duke e mbrojtur nga shterpësia e thatësira dhe nga krijimet me gjedhe të huaja. Sidomos standardi i shqipes, që është i ri, ka nevojë për pasurinë e dialekteve, për krijimet popullore, që mund të gjenden në të folmet e popullit. Nëse e përbashkëta e krijuar, gjuha standarde, shkëputet nga baza e vet prej së cilës ka dalë, ajo rrezikon të shterpëzohet e të dobësohet, duke u ushqyer jo më me gjakun e vet, por me gjak të huaj.

Thesari gjuhësor i të folmeve, sidomos fondi i pasur leksikor dhe frazeologjik, paraqet burim të pashtershëm për pasurimin e gjuhës standarde shqipe. Njohuritë dialektologjike kanë rëndësi të madhe edhe për arsimtarin e gjuhës e të letërsisë, sepse prej tij kërkohet jo vetëm që të jetë për nxënësit model i korrektësisë së përdorimit të gjuhës standarde shqipe, por edhe të mënjanojë nga nxënësit veçoritë e të folmes vendore. Mësuesi duhet të njohë të folmen e asaj qendre ku punon e jeton. Dialektologjia shërben shumë për të dalluar dialektizmat që ka përdorur një shkrimtar në gjuhën e vet dhe në gjuhën e personazheve për individualizimin e gjuhës së tyre.

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

About Author

Admin_S