Rrethanori i mënyrës tregon cilësinë e veprimit, të gjendjes, shkallën e shfaqjes së tij a të tiparit ose mënyrën e kryerjes së veprimit a të shfaqjes së tiparit: Ai që punon mirë, flet mirë. Vullnetarët punonin me gjithë shpirt. Banonim së bashku.
Rrethanori i mënyrës plotëson zakonisht një gjymtyrë të shprehur me folje, ndonjëherë edhe me mbiemër foljor: Të punosh mirë do të thotë t’i japësh shoqërisë, të punosh keq do të thotë t’i marrësh shoqërisë. Ishte një skicë e punuar shpejt e shpejt, po e punuar bukur.
Rrethanori i mënyrës shprehet me:
- ndajfolje e lokucion ndajfoljor mënyre: Ekipi i vuri për detyrë vetes të stërvitej më mirë, të lëvizte më shpejt, të sulmonte më rreptë. Do të vinim stivë-stivë grurin e porsakorur. Pse s ’e thua copë, po i bie tërthorazi?
- emër në rasën kallëzore me parafjalët me, pa, në, në rrjedhore me parafjalën sipas: Ai kishte punuar në fshehtësi të plotë për shpikjen e tij. Detyra duhet kryer me përpikëri. Secili të shpërblehet sipas punës;
- togfjalësh, gjymtyra bosht e të cilit është shprehur me fjalët mënyrë, formë, masë, cilësi etj., kurse gjymtyra plotësuese është shprehur me një mbiemër ose me një emër në rrjedhore të pashquar ose me togfjalësh të tipit frazeologjik: Hapat e njerëzve gjëmonin në mënyrë të frikshme. Ai në ato kohëra e shpinte hiq e mos e këput;
- përcjellore: Ato quhen përdredhore, sepse e hedhin gjylen duke e përdredhur.
Nga kuptimi, siç u përmend edhe në përkufizim, dallohen dy lloje rrethanorësh mënyre; rrethanor mënyre që tregon cilësinë e veprimit, të gjendjes a të tiparit ose shkallën e shfaqjes së tyre dhe rrethanor mënyre që tregon mënyrën e kryerjes së veprimit.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe