Shpërblimet e shumëllojshme
Nuk është e domosdoshme që dhuratat dhe shpërblimet tona për sjelljen e fëmijës të jenë të veçanta dhe të dalluara. Shpërblimi i tyre shpirtëror me falënderim, lutje, apo lavdërim, mund që në disa raste të jetë më mbresëlënës. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Kush e bën për ju një të mirë, shpërblejeni atë. Nëse nuk gjeni me çka ta shpërbleni, atëherë lutuni për të.”59
Lavdërimi i përmbajtur për pyetjen e parashtruar me vend
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Kush do të jetë njeriu më i lumtur me ndërmjetësimin tënd në Ditën e Kiametit?” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u përgjigj: “O Ebu Hurejra! E dija se nuk do të më pyesë për këtë hadith askush para teje, duke e marrë parasysh përkujdesjen tënde për hadithet…”60
Lavdërimi i përmbajtur për pyetjen e mirë është metodë edukative që e stimulon mendjen të angazhohet dhe të përkujdeset për dije.
Inkurajimi i atij që shpejton ta bëjë një punë pa e kërkuar prej tij
Nëse nxënësi-fëmija shpejton ta bëjë një punë të mirë apo ta respektojë një urdhër pa e kërkuar prej tij, inkurajoje për veprimin e tij, lavdëroje dhe lutu për të. Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell: “Një natë fjeta te shtëpia e Mejmunes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, halla ime dhe gruaja e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe pa më urdhëruar askush e solla ujin për të marrë abdes i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Kur e pa ujin pyeti: ‘Kush e solli ujin për abdes?’ I thanë: ‘Abdullah ibn Abasi.’ Në këtë rast Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘O Allahu im! Bëje atë ta kuptojë fenë thellësisht!’ ”61
Nderimi i nxënësit të suksesshëm
Disa prej dijetarëve të vjetër thanë: “Përderisa prej fëmijës del një sjellje e mirë apo një veprim i pëlqyer, duhet të shpërblehet dhe shpërblimi i tij të jetë diçka që e gëzon dhe mburret me të para njerëzve. Nëse një herë gabon, duhet të mbyllen sytë përpara veprimit të tij, e veçanërisht kur ai mundohet ta fshehë atë, sepse shpalosja e gabimit të tij ndoshta mund t’i japë një lloj guximi për të
keq, deri në atë shkallë saqë të mos turpërohet për shpalosjen e gabimeve të tij. E, nëse i kthehet sërish gabimit, atëherë duhet të ndëshkohet fshehurazi dhe t’ia bëjmë të madhe situatën që mos ta përsërisë gabimin.”
Ftesë e veçantë
Një prej metodave të inkurajimit dhe të nxitjes te selefi ishte ajo që e përcjell Abdulxhabar el-Karabisij, Allahu e mëshiroftë, dhe thotë: “Ishte me ne i biri i Ejub es-Sehtijanit, Allahu e mëshiroftë, për ta mësuar shkrim-leximin dhe memorizimin e Kuranit. Kur fitoi shkathtësi në to, na ftuan te shtëpia e tij, i kishin vendosur një podium të ligjëronte në të, na dhanë arra (për të ngrënë). Ndërsa Ejubi qëndronte te dera dhe na thoshte: ‘Ejani hyni brenda.’ Ajo ishte ftesë e veçantë për fëmijët.”
El-Hasan el-Basrij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kur fëmija e mësonte përmendsh Kuranin, familja e tij thernin kafshë dhe gatuanin ushqim për njerëzit.”62
Të inkurajohen për të mirën
Bëji për vete anëtarët e familjes sate dhe nxënësit e tu. Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Rruga për në të mirë duhet të lehtësohet, të përkrahet dhe të motivohet për të. Prindi, për t’ia bërë të dashur punën e mirë fëmijës dhe familjes së vet dhe atyre që i ka nën përkujdesje, është mirë t’i inkurajojë me pasuri apo lavdërim etj. Për këtë shkak u ligjërua dhënia e zeqatit për një kategori njerëzish që t’u përfitohet zemra e tyre dhe të hyjnë në Islam. Përcillet se kishte njerëz që në mëngjes hynin në Islam për interesa të dynjasë dhe, kur vinte fundi i ditës, për ta Islami ishte më i dashur se çdo gjë tjetër në dynja.”63
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK
 
								 
            