Pyetja: Si ta njohim Allahun?

Përgjigjja: Ne e njohim Allahun në shumë mënyra, prej të cilave këtu do të përmendim vetëm katër prej tyre:

Mënyra e parë: Ne e njohim Allahun përmes prirjes së shëndoshë natyrore. Njeriu është i prirë të dijë se ka një krijues. Në mënyrë të natyrshme, ju e dini që ka një krijues që ju ka krijuar ju në këtë formë, me një përsosuri të mahnitshme. Gjithashtu, njeriu sipas natyrës së tij e di se nga ai kërkohet që t’i drejtohet Krijuesit të tij përmes adhurimit dhe, gjithashtu, e di se ai ka nevojë për Krijuesin e tij të lavdishëm në çdo kohë, dhe kjo ndjenjë nevoje për Allahun është edhe më e madhe në fatkeqësi.

Për nga natyra, gjithë njerëzimi është i prirë ta njohë Allahun. Allahu i Madhëruar ka thënë:

“Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”

[Surja erRrum: 30]

Ai, po ashtu, ka thënë:

“Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je.” Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur.“

[Surja El-Araf: 172]

Para se të krijoheshim, ne ishim të prirë natyrshëm ta njihnim Allahun dhe të ishim robër të Tij:

“… dhe Ai i bëri të dëshmojnë për veten e tyre [duke pyetur]: “A nuk jam unë Zoti juaj?” Ata thanë: “Po; me të vërtetë, ne dëshmojmë.” Pejgamberi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) më tej në një hadith, vërtetësinë e të cilit e pranojnë Buhariu dhe Muslimi, ka thënë:

“Çdo fëmijë lind me një prirje të shëndoshë natyrore.”

Ne të gjithë kemi lindur në atë prirje natyrore, e cila është e mjaftueshme për çdo person që kërkon të vërtetën për ta udhëhequr atë dhe që ai duhet t’i nënshtrohet asaj të vërtete pasi ta gjejë atë. Këtë prirje nuk mund ta mohojnë as njerëzit më të vendosur në mosbesim, sidomos në kohë të vështira.

Në fakt, të gjithë njerëzit i drejtohen Allahut kur janë në vështirësi dhe në kohë të tillë harrojnë gjithçka që i shoqërojnë Atij në adhurim.

“Kur ju godet fatkeqësia në det, ata që ju i adhuronit në vend të Atij, zhduken. Por, pasi Ai ju shpëton në tokë, ju i ktheni shpinën. Njeriu është mosmirënjohës.”

[Surja el-Isrā: 67]

Kur një person është në ankth të rëndë dhe mendon se shkatërrimi është i afërt, ai nuk i lutet askujt tjetër përveç Allahut dhe harron të gjitha besimet e tij politeiste. Kjo thirrje e sinqertë për të gjithë ata që janë në fatkeqësi nxitet nga prirja e shëndoshë natyrore që çdo person ka brenda tij.

Eisenhouer, – një nga presidentët amerikanë, – i cili ishte komandant i forcave amerikane në Luftën e Dytë Botërore, pasi dëshmoi se si ushtarët kthehen në gjendjen e tyre natyrore në kohën e një rreziku të madh, tha:

“Nuk ka ateistë në hendeqe.”

Në hendeqe gjatë luftës nuk ka njeri që e mohon Allahun, të gjithë kthehen tek Ai. Kjo është prirja e vërtetë natyrore që e pranon gjithë njerëzimi në kohë fatkeqësie.

Mënyra e dytë për ta njohur Allahun është arsyeja: Ne e njohim Allahun përmes arsyes.

Allahu i Madhëruar ka thënë:

“A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?!”

[Surja et-Tur: 35]

Sipas arsyes, ka tri mundësi, që nuk kanë të katërtën:
Mundësia e parë: Jemi krijuar pa Krijues: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi”, që është e pamundur, sepse si mund të jemi krijuar pa Krijues?
Mundësia e dytë: Ne e krijuam veten “… apo mos janë ata krijues të vetvetes”, e cila gjithashtu është e pamundur, sepse si mund ta krijoj veten time para se të jem krijuar?
Pastaj, sipas arsyes, mbetet mundësia e tretë, të cilën as që e ka përmendur vargu fisnik pasi është e vetëkuptueshme. Kjo është se ne kemi një krijues që na ka krijuar. Pra, ne e njohim Allahun përmes arsyes.

Mënyra e tretë për ta njohur Allahun është të reflektosh mbi krijimin e Tij: Meditimi për krijimin e Allahut na vë përpara madhështisë së Allahut të Lartësuar.

“Thuaj: “Shikoni ç’ka në qiej dhe në Tokë!”

[Surja Junus: 101]

Sa më shumë që mendojmë për krijimin e përpiktë të Allahut dhe përsosurinë e mahnitshme, aq më shumë rritet njohuria jonë për Të. Kjo është ajo që kemi përmendur më parë në kontekstin e sjelljes së dëshmisë dhe provës së providencës dhe përsosurisë.

Mënyra e katërt për ta njohur Allahun është nëpërmjet të dërguarve: Kjo është mënyra më e mirë përmes së cilës e njohim Allahun e Lartësuar. Kjo është ta njohësh Atë nëpërmjet të dërguarve dhe profetëve të Tij. Të dërguarit na treguan për Allahun, cilësitë dhe esencën e Tij. Nëpërmjet profetëve ne e njohim Allahun me emrat dhe cilësitë e Tij, dimë si ta adhurojmë e t’i afrohemi Atij dhe si të shpëtojmë nga dënimi i Tij në Ditën e Llogarisë.

Të dërguarit i thërrisnin njerëzit që të adhuronin Allahun, ose, me fjalë të tjera, ata i thërrisnin ata që të kthehen në gjendjen e tyre natyrore në të cilën janë krijuar dhe ta adhurojnë Allahun ashtu siç ka urdhëruar Ai. Të dërguarit i udhëzuan njerëzit në rrugën e së vërtetës dhe shpëtimit:

“(Këta janë) të dërguar që kanë sjellë lajme të mira e kanë paralajmëruar, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve. Se, Allahu, është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.”

[Surja enNisa: 165]

Kështu, profetët dhe të dërguarit na informuan për Allahun, ndërsa përkrahja e Allahut iu dha atyre me anë të mrekullive të cilat nuk lënë askënd me arsyetim tek Allahu në Ditën e Kiametit. Kjo është për shkak se Allahu i Lartësuar ju dha juve një prirje natyrore me të cilën mund të njihni Krijuesin tuaj. Ju dha arsyen, ju dha shikimin, në mënyrë që të mendoni për krijimin e Tij dhe dërgoi te ju të dërguar. Pra, nuk ka asnjë arsyetim për ju para Allahut.

Dr. Hejthem Talat

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *