Letërsia shqipe mbase nuk ka një histori të gjatë, por ka në vend të saj një gjeografi tejet e pasur. Po të nisemi nga përkufizimi metodologjik më i thjeshtë se “shkenca letrare komparative krahason, kalon kufij dhe përdor modele”, del në pah se në rastin e letërsisë shqipe një minimum i tillë veprimesh jep dorë për krahasim brenda për brenda komuniteteve shqipfolëse qe iu përkasin shteteve të ndryshme, si dhe për krahasimin e gjithë organizmit të tyre jashtë. Përgjithësisht karakteri i një krahasimi mund të jetë konstatues ose cilësues dhe kur është cilësues – pozitiv ose negativ. Specifika e marrëdhënieve letrare në Evropën Juglindore “shpjegon sundimin kryesisht të disa tipave studimesh komparative në lidhje me fenomenet letrare ballkanike – receptimi letrar, imagologjia dhe studimi i paralelizmit në gjini dhe tematikë. Komunikimi në Juglindjen tonë nuk presupozon ndjekjen ose aplikimin e një modeli fqinjë. Informacioni këmbehet në atmosferë të qetë, afër indiferencës.

Pra, midis letërsive ballkanike bëhen përgjithësisht krahasime konstatuese. Ndërsa kur përqasen fenomenet letrare të Evropës Juglindore me ato të Evropës Perëndimore aktivizohen identitetet e ndryshme përmes sistemeve kombëtare të vlerave. Në mënyrë figurative funksionon “skema e trekëndëshit – çdo kulturë jona ka gjetur një rrugë më vete për t’u matur me epiqendrën letrare – majën e trekëndëshit”, dhe në këtë rrugë funksionon krahasimi cilësues. Nuk do të jetë teprim të themi se ky krahasim mbart më shpesh vlera absolute – mohim i plotë ose ngritje në qiell. Një shembull tipik është qëndrimi ndaj romanit vendas, qëndrim ky që është shumë i ashpër jo vetëm në kritikën aktuale shqipe, por në atë bullgare ose rumune, ku “për shkak të aplikimit të kritereve të larta shpesh mohohen fenomene të padiskutueshme në letërsinë kombëtare”. Pyetja shtrohet a ka mundësi të aplikojmë kriteret e larta estetike pa na lënë kjo të pashpresë? Përgjigje eventuale mund të jenë disa prej strategjive që ka në dorë kritika letrare, strategji të tilla si fragmentarizmi i vetëdijshëm i studimeve; mesazhet konsensuale që çon kritika kombëtare jashtë; shfrytëzimi i potencialit të bilinguizmit si fenomen më aktiv në letërsinë shqipe në krahasim me të letërsitë e tjera ballkanike.

  • Fragmentarizmi i studimeve si strategji Sigurisht, po të kërkojmë paralele të plota dhe sistematike, shtrirje tërësore dhe simultane të dukurive botërore në letërsinë shqipe, siç ndodh shpesh, drejtimi i krahasimit mund të shihet neutral/mohues. Nëse do të nisemi nga elementet e veçanta, jashtë sistemit të tërësishëm dhe homogjen, kemi shanse pozitive. Diçka që mungon në një pjesë të letërsisë shqiptare, përfaqësohet nga ndonjë pjesë tjetër, ku është e pranishme. Në letërsinë bullgare mungon surrealizmi, por ekzistojnë shfaqje të veçanta atipike të tij. Në këtë mënyrë fragmentarizmi dhe lokalizimi ndërtojnë një sistem funksional kompletues. Në rrjetin e tij dukuritë kryesore evropiane dhe ballkanike gjejnë shpejt paralele, analogji ose eksperiment, të cilat ekzistojnë në ndonjë vend ose zonë kontakti dhe jo gjithmonë në të njëjtën kohë dhe kronologji. Pikërisht për këtë arsye baza teorike e shkencëtarëve të tipit të Cvetan Todorovit është tepër e shfrytëzuar: ajo çliron disi nga shqetësimet dhe kompleksi i inferioritetit kulturat tona periferike dhe lejon vetëbesim përmes opcioneve studimore fragmentarizuese. Mbase pjesërisht nën ndikimin e teoricienëve të frymëzuar nga Cvetan Todorovi, shkenca letrare bullgare ka arritur një pikë, në të cilën pranohet se vetë koha imponon prirjen ndaj fragmentarizmit në shkencën letrare. Me shumëzimin e masës së informacionit, synimi ndaj konsolidimit sistematik dhe gjithëpërfshirjes është objektivisht i parealizueshëm dhe rrjedhimisht është shpallur “anakronik”. Zgjedhjet e reja konceptuale presupozojnë shkurtime subjektive në drejtim të fragmentarizmit akronologjik, dhe argumentohen me dhënien e një shansi më të mirë “për të dëgjuar zërin” e atij fragmenti që është zgjedhur për t’u vënë në dritë. Kështu në një nga studimet më në zë të periudhës së shekullit të njëzet në letërsinë bullgare, Valeri Stefanovi ka zgjedhur 12 syzhe përmes të cilave “kalojnë” me nuancat e tyre specifike autorët dhe veprat: individualizmi dhe kolektivizmi; bota reale dhe bota e përtejme; shpirti; nata e dita; vuajtja; vdekja; ngrica; mëmëdheu; gruaja; krijuesi; prijesi; ora. Një argument tjetër pro këtij modeli është se studimi i gjendjeve të qëndrueshme psikike nuk mund të realizohet me metodat e historisë letrare. E njëjta vlen edhe për qëndrimin ndaj jetës vdekjes, dashurisë, frikës, punës, shpresës etj.  Çdo kulturë ballkanike ka një ritëm më vete, i cili kur shtjellohet dhe zbërthehet, mund të na përfaqësojë jashtë. Problemi imanent i analizave intertekstuale ose dialogjike të veprave, që aplikohen në një studim të tillë, qoftë në kritikën bullgare, qoftë në atë shqiptare, është se nuk mund të konsiderohen një alternativë zëvendësuese, por vetëm plotësuese e metodave tradicionale. Kjo sepse realizimi dhe receptimi i tyre, kërkojnë aftësi të veçanta si të autorit, ashtu edhe të audiencës /lexuesve së tij, gjë që nuk është realiste – kritika letrare ka disa shtresa lexuesish, përfshirë këtu edhe nxënësit. Një analizë e mirë “ndryshe” asimilohet mirë kur teksti i veprave është pak a shumë i njohur me gjithë hollësitë, ose kur vet studiuesi është karizmatik në shprehje (shembull Sabri Hamiti). Në të dyja rastet, fjala vjen studentët, që mund të cilësohen si audiencë e specializuar, mbeten të mahnitur gjatë dëgjimit dhe leximit dhe ndeshin vështirësi të jashtëzakonshme kur duhet të shprehen vetë në këtë rrjedhë, sepse për një gjë të tillë iu lipset të jenë po kaq të zot sa ligjëruesi. Tërësia e veprave të përkthyera të një letërsie në një gjuhë konkrete të huaj praktikisht është apriori në një pozitë të fragmentarizuar, sepse përbërja e kësaj tërësie në secilën gjuhë të huaj ndryshon, dhe vë pranë njëri tjetrit autorë dhe vepra që brenda përbrenda letërsisë kombëtare ose kanonit klasik qëndrojnë shumë larg. Në intervistën e tij për revistën bullgare “Ballkani Letrar” Ismail Kadare pranon se nga letërsia bullgare mban mend dy vepra “Ganjo Ballkanasi” dhe “Duhani” dhe se ajo është paraqitur në mënyrë shumë fragmentare.  Marr shkas nga kjo thënie sepse këto dy romane janë më të vërtetë krejtësisht të ndryshme, njëri i fundit të shekullit XIX, tjetri i viteve ’50 dhe nuk mund të përfytyrohet një lexim i tyre dialogjik. Megjithatë një nga kritikët më karizmatikë bullgarë Nikolla Georgiev e ka bërë këtë lexim duke u nisur nga dy bimët tradicionale bullgare që kanë vend në secilin prej romaneve: trendafili (vaji i trendafilit) te i pari dhe duhani te i dyti. Studimi titullohet “Në emër të trendafilit dhe duhanit” i vitit 1992 dhe ka hapur rrugën e sprovave më shumë ose më pak të suksesshme të tipit “Ura midis Bullgarisë dhe Evropës”. Analizat fragmentare të këtij tipi, ndërkaq, duken të pranueshme si strategji për sprovat komparative, edhe kur elementi bosht i përqasjes nuk është i qenësishëm për një vepër ose autor nga pikëpamja e kritikës vendase.
  • Mesazhi konsensual i kritikës si strategji
    Itinerari trekëndësh për në Perëndim nuk është barabrinjës për asnjë çift kulturash që ballafaqohen, por në këtë rrugë nuk ka vend për konkurrencë: secila letërsi e çan rrugën vetë dhe sukseset e njërës vetëm mund të ndihmojnë të tjerët. Ballkani shpesh perceptohet si një tërësi monolite me anë të disa emrave përfaqësues, ndër të cilët edhe Kadareja. Edhe pse jemi pjesë e Evropës, monografitë dhe studimet e mëdha bashkëkohore perëndimore mbi letërsinë evropiane, përgjithësisht vetëmjaftohen me letërsinë perëndimore. Mund të pohojmë se lënia pas dore nuk është pasojë e faktit se mungojnë studime kritike dhe informacion për letërsinë tonë në gjuhët ndërkombëtare. Historia e letërsisë shqipe e Robërt Elsie është një thesar informacioni i sistematizuar në anglisht i një përmase që nuk ekziston p.sh. për letërsinë bullgare. Problemi në fjalë ka qenë edhe ndër shqetësimet e ngritura nga disa shkencëtarë në Kongresin e Rrjetit Evropian për Studime Krahasuese Letrare (ENCLIS) në verë të vitit 2009 në Vilnjus të Lituanisë. “Letërsitë ballkanike përfshihen në një tërësi, që emërohet model, por është vështirë të konkretizohen brenda tij. Modeli perëndimor në letërsinë tonë është funksional për Evropën letrare në nivelin e koncepteve, por jo për sa u përket emrave dhe teksteve.” Me fjalë të tjera, edhe kur prioritetet në Perëndim, ndryshojnë në frymë pranuese dhe të hapur për ne, shembujt e teksteve letrare evropiane gjithsesi mbeten nga një tërësi kompakte perëndimore ku mungojnë tekste të njohura letrare nga rajoni. Kjo është vënë re edhe për autorë bullgarë, rumunë ose hungarezë si Svetosllav Minkov, Konstantin Konstantinov, Atanas Dallçev (Bullgaria), Liviu Rebreanu, Hortensia Papadat Bengesku, Camil Petrescu (Rumania), Janos Arany, Imre Madach, Shandor Marai (Hungaria). Një arsye është edhe se nuk kemi mundësi të ngremë forume regjionale aq përfaqësuese, që të dëgjohet zëri i tyre. Nuk është lehtë të ndryshohet status-quo dhe në këtë proces ka rëndësi mesazhi i kritikës kombëtare që depërton ose gjen jehonë jashtë, në forumet perëndimore. Përmendja e emrave të autorëve të kulturave të vogla në mangësi të studimeve të thelluara si fenomen tipik jashtë, paevitueshëm rikonfirmon emrat më të njohur dhe pranon kriteret e atij që është në pozitë më të fortë në opinionin përkatës publik. Themeluesi i fondacionit dhe çmimit letrar “Ballkanika” – një prej sprovave për forum rajonal më peshë, shkrimtari bullgar Nikollaj Stojanov, bën një analizë të gjendjes së tanishme të letërsisë bullgare në këtë drejtim. Ndër të tjera ai bën disa krahasime me letërsinë shqipe dhe me botën letrare shqipfolëse: -Pyetje: Shoqëria sot është e fragmentuar dhe kjo nuk mund të mos reflektojë mbi letërsinë? -Përgjigje: Njerëzit, veçanërisht jashtë shtetit, duhet të marrin mesazhe pozitive. Kur flas me ndonjë botues ose recensues jashtë, të gjithë habiten sesi ne këtu hedhim baltë mbi njëri tjetrin. Ndërsa një komb më i vogël, siç janë shqiptarët, jashtë shtetit paraqiten si një tërësi të njësuar përsa i përket letërsisë shqipe. Kështu çdo libër i mirë i disa shkrimtarëve të tyre të njohur, që botohet në Shqipëri, del në tregun francez, madje në kohë paralele me botimin origjinal. -Pyetje:A bëhet kjo me mbështetjen e shtetit? -Përgjigje: Kjo nuk behet kaq shumë nga shtetit, sa është rezultat e konceptit të tyre të përbashkët për njëfarë tolerance. Nuk mund të quash vetëm veten gjeni dhe të mos i japësh edhe tjetrit të drejtën të jetë i tillë, nganjëherë pa lexuar asnjë rresht prej tij – gjë që është tipike për rrethet letrare bullgare. -Pyetje: Çfarë mendoni për argumentin se “nëse gjuha bullgare nuk do të ishte kaq e rrallë, do të kishim shkrimtarë botërorë”? – Përgjigje: A mos është shqipja me përmasat e anglishtes përsa i përket numrit të njerëzve që e flasin. Shqipja është më e vogël nga bullgarishtja, mirëpo shqiptarët kanë Ismail Kadarenë dhe ai është i njohur në gjithë botën letrare. Dhe tani ka marrë çmimin “Princi i Asturias”, Nobelin spanjoll. Por prapa tij qëndron mbështetja e fuqishme e njerëzve të fushës së tij profesionale. E dyta, ai sillet ndaj kolegëve më të rinj me shumë tolerancë dhe i nxjerr në pah. Dhe e treta, konfliktet e brendshme i zgjidhin disi, kështu që nuk shihet tension nga jashtë. Në këtë drejtim shqiptarët janë më shumë evropianë, sesa jemi ne.” Për shkak të autoritetit publik të shkrimtarit si njohës i letërsive ballkanike, këto vëzhgime konsiderohen opionionformuese. I sjell në pah, për të theksuar se kritika shqipe ka gjetur një ton konsensual mbi objektin e studimit të saj në mesazhet që depërtojnë jashtë dhe kjo vlen për t’u përmendur.

  • Bilinguizmi si strategji “bashkë me” ose “pa” temën e identitetit Një nga fushat e shkencës letrare krahasuese ku letërsia shqipe mund të inkuadrohet lehtë është bilinguizmi i autorëve si potencial artistik dhe jetësor për adaptim dhe njëkohësisht për dalje në pah. Tema është më aktuale dhe shumëdimensionale për letërsinë shqipe, sesa për letërsitë e tjera ballkanike, për shkak të diasporës historike, pakicave kompakte shqiptare në disa shtete dhe mobilitetit historikisht të madh të inteligjencës shqiptare – kam parasysh migrantët individualë dhe ekonomikë. Gjatë mijëvjeçarit të ri kur komunikimi mes hapësirës bëhet në çast shfrytëzimi i bilinguizmit në gërshetim të moderuar me temën e identitetit mund të jetë një strategji e suksesshme për afirmim jashtë. Sigurisht në lidhje me bilinguizmin fitojnë shumë peshë faktorët sociologjikë dhe biografikë, por gjithsesi nuk humbet pesha e rezultatit letrar: vepra artistike si e tillë.

1. Tema e identitetit si obligim individual brenda të shkruarit në gjuhë të huaj Nëse duhet të bëjmë një përgjithësim të problemit të adaptimit në përgjithësi, mund të konstatohet se për krijuesit shqiptar gjendja “jashtë atdheut” nuk gjeneron tensionin tipik për identitetin dhe kjo dëshmohet si nuancë psikologjike më mirë në veprat e tyre letrare. Sistemimi në nivel material ka të bëjë me mbijetimin fizik dhe varijon në mënyrë individuale. Ana shpirtërore ndërkaq mbetet një botë e pavarur paralele, në të cilën krijuesi praktikisht mbetet i palarguar nga specifika kulturore e komunitetit të vetë, që ka mbetur “në vend”. Shumë autorë rilindës dhe klasikë jashtë atdheut kanë shfrytëzuar zotërimin e mirë të gjuhës së huaj për të përçuar drejt botës tjetër, me anë të letërsisë, elemente të identitetit kombëtar. Më duket se kjo dukuri është pozitive ose neutrale për letërsinë shqipe në varësi vetëm të vlerës letrare dhe receptimit të veprave. Fakti që në një periudhë krijuese një autor mund të ketë zotëruar më mirë gjuhën e huaj, sesa gjuhën amtare, meriton të diskutohet brenda temës së mësimit të shqipes nga emigrantët ose komunitetet jashtë shteteve etnike shqiptare, por kritika letrare shqipe meriton ta “shfajësojë” për këtë sinqerisht.

2. Shfrytëzimi individual i temës së identitetit brenda shkrimit në gjuhë të huaj Përfshirja e elementeve të identitetit është parë si një strategji e suksesshme, edhe nga autorët me prirje kozmopolite që shkruajnë shqip dhe në gjuhë të huaj si Elvira Dones. Tema të identitetit janë preferuar madje nga autorët bashkëkohorë që kanë zgjedhur të krijojnë në gjuhë të huaj si Ornela Vorpsi (italisht), Besa Myftiu (frëngjisht) etj. Një arsye për këtë është fakti se fenomenet kulturore gëzojnë një pritje më të mirë jashtë kur iu përgjigjen stereotipave të krijuara në shoqërinë pritëse. Kështu para pak kohe një trupë teatrale bullgare zgjodhi të luante shfaqjen e saj në Paris në kostume popullore, sepse kjo stimulon interesin vizual në përputhje me idenë e ekzotizmit. Mbi aspektet pragmatike psikolinguistike të këtij fenomeni hedh dritë përgjigja e Ornela Vorpsit. E pyetur pse italishtja është gjuha e librave të saj ajo thotë: “Ndoshta sepse kisha dhe kam akoma nevojë për distancë nga ç’rrëfej dhe një gjuhë e huaj është mjeti më i saktë për të dhënë një dorë në distancën e të vëzhguarit. Ndoshta nesër shkruaj në shqip ose frëngjisht, varet si lënda, libri ose nevojat më përcaktojnë terrenin e lojës”. Ardian Kyçyku në Rumani vë në dukje potencialin pragmatik që jep gjuha e dytë : “Unë fillova të shkruaj edhe në rumanisht pasi kisha shkruar mbi dhjetë romane e vëllime proze në shqip, pra kisha një vepër në vend të jetës letrare. Kalimi në rumanisht nuk ishte ndonjë lloj hakmarrjeje ndaj heshtjes zyrtare që më rrethonte, por një zgjatim edhe në një gjuhë tjetër” dhe nënvizon përpjekjet e vetëdijshme për t’i shmangur interferencës gjuhë-frymë unike artistike kombëtare: “ … falë jetës së tërhequr që bëj, kam kohë të mos cenoj asgjë thellësisht shqiptare kur shkruaj rumanisht dhe të mos shformoj asgjë thellësisht rumune kur shkruaj shqip.” Më duket se shkrimtari me shumë të drejtë ka parasysh pikërisht gjendjet psikike të qëndrueshme, të cilat janë specifike për çdo kulturë, dhe që ka mundësi të shtjellohen natyrshëm nga autorët-bilingva në dobi të gjithë letërsisë shqipe. Një shembull aktual i mirë është promovimi i monografisë së kritikut Ali Aliu “Don Qishoti ndër shqiptarë” më 23 tetor 2009 në Sofje në gjuhën bullgare, përkthyer nga maqedonishtja, që u bë e mundshme fal bilinguizmit, siç ka ndodhur më parë edhe me romanin “Koha e dhive” të Luan Starovës.

3. Largimi nga tema e identitetit njëkohësisht me kalimin në gjuhë të huaj. Në kohën tonë shembull për këtë fenomen në jetën artistike janë brezat më të largëta të emigrantëve si p.sh James Belushi. Për emigrantët shqiptar të brezit të parë, në dallim p.sh. të emigrantëve bullgarë, mund të përgjithësojmë se nuk ka qenë tipike të shndërrohen në kozmopolit dhe konstatimi vlen edhe për autorët letrarë. Kohët e fundit ndërkaq vihen re edhe këto tendenca. Ron Kubati, autor i ri në Itali që tenton të kapërcejë subjektet shqiptare jep një shpjegim: “Nevoja për të shkruar në një gjuhë tjetër lind kur zëri i brendshëm ndryshon gjuhe. Kjo ndodh kur vëllimi i shkëmbimeve ne gjuhen e dyte dominon gjatë dhe ne mënyrë absolute kohen tende, ditët, studimin, punën, miqësitë, marrëdhëniet. Ky fenomen është i natyrshëm. Nuk bëhet fjalë për ndonjë sforcim, apo për diçka të stisur e të paramenduar. Bëhet fjalë për diçka që vjen nga brenda dhe nuk është një proces i thjeshtë. Të shkruarit në një gjuhë të dytë implikon shumë gjëra të reja. Mund të ndodhë që të shkruarit të mos jetë i zhdërvjellët fillimisht. Por edhe kjo kthehet ne një gjendje ekzistenciale. Kthehet ne një perspektivë të veçantë. Një identitet i ri, i brishtë i shtohet dhe përzihet me identitetin e mëparshëm.” Besa Myftiu, e afirmuar në Zvicër, e cila më 26 tetor 2009 ishte në Sofje në kuadrin e forumit frankofon të autorëve të huaj që shkruajnë frëngjisht, ka thënë jo një herë se e ndien veten qytetare të botës. Nëse një autor ka arritur nivel të pranueshëm artistik në mjedisin e huaj, mendoj nuk ka pse të kërkojmë shfaqjen e posaçme të atdhetarizmit, sepse, siç e ka theksuar edhe Faik Konica, këto janë dy gjëra të palidhura. Historia e letërsisë shqipe para Rilindjes përfshin intelektualë dhe krijues me origjinë shqiptare në Evropë dhe në Perandorinë Osmane, pavarësisht nga gjuha në të cilën kanë shkruar dhe nga niveli i lidhjeve etnike që kanë shfaqur në trashëgiminë e tyre kulturore. Në shekullin e globalizmit, kjo forcon lidhjet midis vendeve të ndryshme.

Përfundim: Shkenca letrare krahasuese jep mundësi të ndriçohen dukuri letrare dhe elemente të veçanta në letërsinë shqipe jashtë shkallës vlerësuese që dominon aktualisht “mohim i plotë/ngritje në qiell”. Fakti që e vetmja Histori e letërsisë shqipe e çliruar nga dogmat ideologjike është e shkruar nga një i huaj, Robert Elsie, e bën edhe atë objekt ose produkt të komparativizmit. Çështja mbetet e hapur nëse asaj i duhet alternativë të tipit enciklopedik gjithëpërfshirës apo na mjafton si histori dhe na liron të tjerët të merremi me studime të veçanta jashtë sistemit të ngurtë kronologjik.

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *