Për çfarë është Neuralink? Një përgjige për vizionin e saj afatshkurtër do të ishte, për të ndihmuar njerëzit me paralizë. Por kjo nuk është e gjitha.

E lançuar në vitin 2016, kompania zbuloi në vitin 2019 se kishte krijuar “fije” fleksibile që mund të futen në tru, së bashku me një robot i cili do ta bënte implantimin e tyre. Ideja është që këto fije do të lexojnë sinjale nga truri të një pacientit të paralizuar dhe do t’i transmetojnë ato të dhëna në një iPhone ose kompjuter, duke i mundësuar pacientit t’i kontrollojë ato vetëm me mendimet e tij – pa nevojë për të shtypur tastaturën ose display-in.

Deri më tani, Neuralink ka bërë vetëm testime te kafshët. Por në maj, kompania njoftoi se kishte fituar miratimin e FDA për të kryer provën e saj të parë klinike te njerëzit. Tani, është duke rekrutuar vullnetarë të paralizuar, dhe nëse teknologjia funksionon te njerëzit, ajo mund të përmirësojë cilësinë e jetës për miliona njerëz. Përafërsisht 5.4 milionë njerëz jetojnë me paralizë vetëm në SHBA.

Por të ndihmosh njerëzit e paralizuar nuk është qëllimi përfundimtar i Musk-it. Ky është vetëm një hap në rrugën drejt arritjes së një ambicie afatgjatë shumë më të çmendur. Kjo ambicie, sipas fjalëve të Musk, është “të arrihet një simbiozë mes qenjës njerzore dhe inteligjencës artificiale”. Ky vizion futuristik momentalisht nuk është ai lloj gjëje për të cilën FDA i jep dritën jeshile Elon Musk-ut.

Pse Elon Musk dëshiron të bashkojë trurin e njeriut me AI

E thënë shkurt: Frika se AI do të pushtojë botën – Kjo është një frikë që është gjithnjë e më e përhapur në mesin e drejtuesve të AI, të cilët shqetësohen se ne mund të krijojmë makina që janë më të zgjuara se njerëzit dhe që kanë aftësinë të na mashtrojnë dhe përfundimisht të marrin kontrollin tonë.

Në mars, shumë prej tyre, përfshirë Musk, nënshkruan një letër të hapur duke bërë thirrje për një pauzë gjashtëmujore në zhvillimin e sistemeve të AI më të fuqishme se GPT-4 e OpenAI. Letra paralajmëronte se “sistemet e AI me inteligjencë konkurruese ndaj njeriut mund të paraqesin rreziqe të thella për shoqërinë dhe njerëzimin”. Megjithëse Musk nuk është i vetëm në paralajmërimin për këtë rrezik, ajo që e bën atë të ndryshe nga të tjerët është plani i tij për të shmangur rrezikun. Plani në thelb thotë: Nëse nuk mund t’i mposhtni, bashkohuni me ta.

Si do të implantohen sistemi i Neuralink-ut në tru?

Neuralink nuk është e vetmja kompani që po eksploron këtë fushë të re inovative. Kompani të tjera si Synchron, Blackrock Neurotech, Paradromics dhe Precision Neuroscience po punojnë gjithashtu në këtë hapësirë. Po ashtu edhe ushtria amerikane. Në vitet e fundit, shumë nga hulumtimet që janë bërë tituj janë fokusuar në implantet e trurit që do të përkthenin mendimet e njerëzve të paralizuar në të folur. Meta e Mark Zuckerberg-it, për shembull, po punon për prodhimin e pajisjeve që mund të marrin mendimet drejtpërdrejt nga neuronet tuaja dhe t’i përkthejnë ato në fjalë në kohë reale.

Pajisja Neuralink është një implant i trurit, i pajisur me 1024 elektroda, që mund të marrë sinjale nga shumë neurone. Sa më shumë elektroda të keni, aq më shumë neurone mund të dëgjoni dhe aq më shumë të dhëna do të merrni. Procedura e kompanisë për implantimin e saj kërkon shpimin e një vrime në kafkë dhe depërtimin në tru, edhe pse në fillim Elon Musk në një konferencë ka thënë se këto pajisje nuk do të kërkonin domosdoshmërisht një operacion të hapur të trurit, rrugë alternative do të ishte të kaluarit nëpër venat dhe arteriet sikur vendosja e një stenti. Por në vitin 2019, Neuralink e kishte refuzuar këtë opsion, duke zgjedhur në vend të kësaj të shkonte me robotin kirurgjik më invaziv që implanton fijet direkt në tru, dhe si duket arsyeja kryesore ishte obsesioni i kompanisë për të maksimizuar efektin e tekologjisë në fjalë, ngase implantimi përmes enëve të gjakut edhe pse më i sigurt, nuk kishte akses në aq shumë neurone sa ata deshironin.

Ben Rapoport, një neurokirurg i cili u largua nga Neuralink për të themeluar Precision Neuroscience, theksoi se sa herë që keni elektroda që depërtojnë në tru, ju jeni duke dëmtuar indet e trurit. Dhe kjo është e panevojshme nëse qëllimi juaj është të ndihmoni pacientët e paralizuar, një nga filozofitë tona udhëzuese është se ndërtimi i një sistemi ndërfaqeje tru-kompjuter (BCI-brain computer interface) me besnikëri të lartë duhet të arrihet pa dëmtuar trurin.” tha Ai.

Shqetësimet etike që rrethojnë eksperimentet ndaj kafshëve të Neuralink

Neuralink është përballur me polemika në lidhje me procedurat e testimit të kafshëve. Punonjësit kanë ngritur shqetësime për mirëqenien e derrave dhe majmunëve të përfshirë në eksperimente, duke pohuar se kafshët kanë vuajtur në mënyrë disproporcionale për shkak të operacioneve të nxituara. Në një rast, Neuralink implantoi pajisje të madhësive të pasakta në 25 nga 60 derrat, duke çuar në eutanizimin e kafshëve të prekura. Në disa testime tjera, majmunët e përdorur në eksperimente përjetuan komplikime, duke përfshirë pajisje që thyheshin brenda trurit të tyre, duke shkaktuar shqetësim dhe infeksione dhe gjakderdhje.

Këto çështje nxitën hetime nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit Amerikan të Bujqësisë dhe Departamenti i Transportit. Komiteti i Mjekëve për Mjekësinë Përgjegjëse, një organizatë jofitimprurëse kundër testimit të kafshëve, theksoi shqetësimet serioze të sigurisë në lidhje me invazivitetin dhe nxitimin e eksperimenteve të Neuralink.

Pavarësisht nga këto shqetësime, FDA (Administrata e Ushqimit dhe Barnave) dha miratimin për provat njerëzore, duke theksuar vlerësimin e profileve të sigurisë, zbutjen e rrezikut dhe përfitimet e mundshme që rrjedhin nga hulumtimi.

Po sikur qasja e Neuralink të funksionojë shumë mirë?

Shumica argumentojnë se potenciali për keqpërdorim është aq i madh sa ne kemi nevojë për ligje të rinovuara për të drejtat e njeriut për të na mbrojtur përpara se të ecim përpara, ngase truri ynë është kufiri i fundit i privatësisë. Ajo ështe selia e identitetit tonë personal dhe aty gjendën mendimet tona më intime. Nëse ato tre kilogramë të çmuar në kafkën tonë nuk janë më në kontrollin tonë të plotë, do të humbaste plotësishtë privatsia që gëzojmë.

Imagjinoni një skenar ku qeveria juaj përdor pajisjen për mbikëqyrje ose marrje në pyetje. E drejta për të mos u vetëinkriminuar – e sanksionuar në Kushtetutë – mund të bëhet e pakuptimtë në një botë ku autoritetet janë të autorizuara të përgjojnë gjendjen tuaj mendore pa pëlqimin tuaj.

Ekspertët shqetësohen gjithashtu se pajisjet si ato që po ndërtohen nga Neuralink mund të jenë të prekshme nga hakerimi. Aktor keqdashës mund të sulmojnë pajisjen tuaj, duke ndryshuar sinjalet që shkojnë në trurin tuaj për t’ju bërë më të dëshpëruar, të themi, ose më të bindur.

Së fundi, merrni parasysh se si gjendja juaj psikologjike mund të prishet nga imponimi i një pajsje të tillë – ose nga heqja e saj. Në një studim, një grua epileptike, së cilës i ishte implantuar një pajisje e tillë, ndjeu një simbiozë kaq radikale me të, sa tha: “U bëra më në fund vetvetja”. Më pas kompania që implantoi pajisjen në trurin e saj falimentoi dhe ajo u detyrua ta hiqte atë. Ajo qau duke thënë: “E humba veten”.

Për të shmangur rrezikun e një lufte me intelegjencës artificiale në të ardhmen, Musk dëshiron të krijojë një simbiozë midis trurit dhe makinerive. Por simbioza gjeneron rreziqet e veta shumë reale – dhe ato janë mbi ne tani.

Përmblodhi dhe përshtati:

www.studentet.mk

About Author