Fitoni grindjet familjare rreth ngrohjes së shtëpisë suaj në stinët e ftohta – ose më mirë akoma, shmangni ato krejtësisht – me këtë udhëzues të dobishëm. Shumica e njerëzve, dinë se si është të luftosh me një sistem ngrohjeje, apo të luftosh me një termostat. Megjithatë, ka mënyra për të zotëruar këto pajisje. Kjo është mënyra se si ta bëni termostatin tuaj të funksionojë për ju – dhe jo anasjelltas.
Për shumë njerëz, vendimi më i madh është se çfarë temperature dhome të zgjidhni kur jeni në shtëpi. Shumë njerëz preferojnë ngrohtësinë mbi 21 gradë, por, padyshim, sa më lart të shkoni, aq më shumë para do të shpenzoni. Organizata Botërore e Shëndetësisë sugjeron 18 gradë Celsius (64 deri në 65 gradë Fahrenheit) si minimum në klimat jo të ashpra.
“E praktikova vetë”, thotë Jo Alsop, themelues i organit të pavarur këshillues britanik “The Heating Hub”. “U mësova me një shtëpi që ishte rreth 18 deri në 18,5 gradë [Celsius] e ngrohtë.”
Ulja e temperaturës së dhomës është një nga mënyrat më të mira për të ulur faturën tuaj të energjisë elektrike, sugjeron Katy King në Nesta, një organizatë bamirëse e fokusuar në inovacione. Ajo dhe kolegët kanë krahasuar kursimet e mundshme nga ulja e termostatit për 1 gradë Celsiut, dhe nga reduktimit kohor (kohën gjatë të cilës ngrohni shtëpinë tuaj) për vetëm për pesë orë çdo javë. Në rastin e parë reduktimi i temperaturës siç përmendëm mund të kursejë diku 150-200 euro në një faturë vjetore, vlerëson ajo, ndërsa në rastin e dytë, reduktimi kohor i ngrohjes për 5 orë gjatë javës kursen vetëm 20 euro gjatë gjithë vitit.
“Më befasoi vërtet kur bëmë këtë hulumtim,” thotë King. “Është ngrohja në temperaturë më të lartë që me të vërtetë bën ndryshimin e dukshëm në faturat e juaj të energjisë elektrike.”
Helen Stopps në Universitetin Metropolitan të Torontos vëren se dy dhoma me të njëjtën temperaturë ajri mund të ndjehen të ndryshme në varësi të faktorëve të ndryshëm. Nëse kemi mure veçanërisht të ftohta, apo ekziston një rrymë shumë e lehtë, apo prezenca e lagështisë gjithashtu ka ndikim – sa më shumë lagështi në ajër, aq më e ftohtë mund të ndihet dhoma. Përdorimi i një dehumidifikuesi mund të ndihmojë këtu.
PËRDORIMI I TERMOSTATËVE INTELEGJENT
Termostatët inteligjentë (Smart) kanë lidhje Wi-Fi dhe priren të ofrojnë një sërë kontrollesh të automatizuara të ngrohjes. “Ato janë shumë më të lehta për t’u programuar,” thotë Stopps, ndërsa ajo shpjegon se si të kesh një orar ngrohjeje që përputhet ngushtë me ritmin e jetës suaj mund të ndikojë në faturën tuaj të shërbimeve (Shumë njerëz i ngrohin shtëpitë e tyre kur askush nuk është aty, ose kur të gjithë janë në gjumë)
Termostatët inteligjentë, në përgjithësi, bëjnë shumë punë për ju duke mësuar ose ndjerë kur jeni në shtëpi. Termostatët modern të lidhur me platformën e shtëpisë inteligjente të Apple, HomeKit, në mënyrë automatike programohen duke mësuar se kur anëtarët e shtepisë kthehën në shtëpi përmes telefonave të tyre. Sistemi i termostatit përcjell kur telefonat e tyre janë afër vendbanimit, kështu duke aktivizuar ngrohjen në mënyre të përshtatshme.
Pasi të konfigurohet, gjëja kryesore është të lini sistemin e automatizuar të bëjë punën e tij. Stopps dhe kolegët gjurmuan sjelljen e 54 përdoruesve të termostatit inteligjentë në Toronto për një vit dhe zbuluan se pajisjet përgjithësisht ishin efektive në menaxhimin automatik të ngrohjes së shtëpisë. Megjithatë, disa njerëzve u pëlqeu të anashkalonin sistemin e tyre për të rritur ngrohjen e tyre “ideale” ose për të bërë ndërrime në orar. “Ishte një person që ndërroi 456 herë” thotë Stopps. “Në fakt, rreth 10 për qind e pjesëmarrësve ndërruan më shumë se 300 herë termostatin. Është absurde.”
Rreziku është që duke rritur temperaturat me nxitim, me nxitim për t’u ngrohur, përfundoni duke e mbinxehur shtëpinë tuaj, gjë që nuk është shumë ekonomike. Disa studime sugjerojnë se kjo sjellje ka potencialin të neutralizojë plotësisht përfitimet e termostateve inteligjente. Megjithatë, Stopps dhe kolegët e saj zbuluan se termostatët inteligjentë në studimin e tyre mbetën përsëri efektivë në mbajtjen e kostove të ulëta edhe kur kishte tejkalime të tilla të zakonshme nga pordëruesit.
Ajo thotë se, në përgjithësi, nëse mbani kontroll të rreptë të një orari ngrohjeje, duhet të shihni kursime të dukshme të energjisë, pavarësisht nga sistemi aktual i ngrohjes që përdorni.
Shumë termostate inteligjentë ofrojnë një sërë veçorish shtesë, duke përfshirë “përshtatje në bazë të motit”, i cili rregullon ngrohjen në përgjigje të motit. Disa, duke ndjekur ndryshimet e temperaturës dhe lagështisë në ambiente të mbyllura, madje mund të zbulojnë kur një dritare është e hapur dhe të paralajmërojnë përdoruesin ose të ndalin ngrohjen derisa dritarja të mbyllet.
Termostatët të kompanisë Tado, të disponueshëm gjerësisht në Evropë, janë krijuar për ta bërë këtë, rreth 20 për qind e përdoruesve në tregjet kryesore evropiane të Tado e përdorin këtë qasje, thotë Dennis Scollar, menaxher produkti.
Këta përdorues profesionistë priren të kursejnë 23 për qind në faturat e tyre të energjisë kundrejt njerëzve që nuk kanë një termostat inteligjent, sipas të dhënave që ndau kompania Tadu.
DERI SA MUND TA ULIM TEMPERATURËN E TERMOSTATIT?
Një orar ngrohjeje që i përgjigjet pranisë suaj tingëllon i shkëlqyeshëm – por çfarë do të thotë në të vërtetë? A duhet të fiket plotësisht ngrohja kur jeni larg? Në shumë raste, në fakt është më mirë të përdorni ngrohjen tuaj vazhdimisht, por të zgjidhni temperaturat të përshtatshme, le të themi rreth 17 gradë Celsiut, kur nuk kërkohet një nivel i lartë ngrohtësie. Përfitimet nga kjo praktikë e shëndoshë do të ndryshojnë pak në varësi të shtëpisë tuaj, sa mirë është e izoluar dhe llojit të sistemit të ngrohjes që keni.
Njerëzit gjithashtu mund të konsiderojnë nëse do të “izolojnë” ngrohjen në pronën e tyre. Nëse jeni duke përdorur vetëm një dhomë në një shtëpi për pjesën më të madhe të ditës, ndoshta nuk është e nevojshme të ngrohni të gjithë ndërtesën në 17 gradë. Por përsëri pa e fikur tërësishtë ngrohjen ngase në disa raste, mbajtja e disa dhomave shumë të freskëta mund të zvogëlojë efikasitetin e përgjithshëm të ngrohjes tuaj, pasi ato dhoma do të thithin ngrohtësi dhe do ta bëjnë bojlerin ose pompën tuaj të nxehtësisë të punojnë më shumë. Përzgjedhja e temperaturave të përshtatshme për dhomat që nuk përdoren, mund të parandalojë humbjet e panevojshme të nxehtësisë dhe rrjedhimisht edhe të energjisë elektrike.
Temperatura e sistemit tuaj të ngrohjes gjithashtu mund të jetë më e ulët se sa prisni. Me kaldaja moderne të gazit dhe pompat e nxehtësisë në veçanti, koncepti ” ulët dhe ngadalshëm” mund të arrijë kursime të konsiderueshme të energjisë. Në një sistem që përdor ujë të nxehtë për të ngrohur radiatorët, për shembull, kjo do të thotë që ju do të siguroheni që ky ujë të mos jetë më i nxehtë se rreth 45 deri në 50 gradë Celsiut. Kjo njihet si temperatura e rrjedhës, e cila është krejtësisht e ndryshme nga temperatura e termostatit, e cila përcakton se sa e ngrohtë është një dhomë.
Se sa mund të ulni temperaturën e rrjedhës do të varet kryesisht nga dizajni i sistemit tuaj të ngrohjes – temperaturat e ulëta të rrjedhës funksionojnë vërtet mirë me ngrohjen nën dysheme ose sistemet me bazë uji me radiatorë të mëdhenj, sepse sipërfaqja e gjerë ndihmon në transferimin e nxehtësisë në një dhomë. Kualiteti i izolimit në shtëpinë tuaj do të ndikojë gjithashtu dukshëm. Pronat e PassivHaus, për shembull, të cilat janë ndërtuar sipas standardeve ekstreme të efikasitetit të energjisë, kanë nevojë për pak ose aspak ngrohje aktive.
Vjeshtën e kaluar, shoqata bamirëse në Mbretërinë e Bashkuar Nesta lançoi një udhëzues në internet për të ndihmuar njerëzit të kuptojnë se si të reduktojnë temperaturën e rrjedhës së bojlerit të tyre. Midis tetorit 2022 dhe marsit 2023, 214,000 njerëz e përdorën atë dhe ulën temperaturën e rrjedhës së bojlerit të tyre – që do të barazohej me kursime vjetore të faturës së energjisë prej 20 milion £ (25.21 milion dollarë), ose kursime karboni në total 37,000 tonë.
“KONFLIKTI TERMIK” NË FAMILJE
Temperaturat më të ulëta dhe menaxhimi i kujdesshëm i një orari për rregullimin e ngrohjes është e gjitha që duhët vepruar teorikisht. Por zbatimi i tij në praktikë mund të jetë më i vështirë se sa duket. Nëse ka më shumë se një person në një shtëpi, zgjedhja e një temperature dhome të pranueshme për të dyja palët nuk është gjithmonë e lehtë. Të moshuarit ndihen natyrshëm më të ftohtë sepse qarkullimi i gjakut është më i ulët, ndër faktorët e tjerë. Dhe hulumtimet tregojnë se femrat priren ta ndjejnë të ftohtin më shumë se meshkujt, pjesërisht për shkak të dallimeve në muskulaturën e tyre – edhe pse ka përjashtime.
Termostatët mund të bëhen pika ndezëse e “konfliktit termik”, thotë Benjamin Sovacool në Universitetin e Sussex-it në MB. Ai dhe kolegët kanë studiuar sjelljen dhe përgjigjet e njerëzve që jetojnë në 100 shtëpi të pajisura me teknologji intelegjente të ngrohjes në Mbretërinë e Bashkuar. “Njerëzit po ziheshin,” thotë Sovacool. Disa u ankuan se ishin shumë të ftohtë ndërsa partneri i tyre ishte mirë; të tjerë thanë se një anëtar i familjes po shpërdoronte para – dhe po dëmtonte planetin – përmes ngrohjes së tepërt. Këto mosmarrëveshje shpesh përfaqësonin probleme edhe më të mëdha dhe më të thella marrëdhëniet e tyre, sugjeron Sovacool.
Pos kësaj që përmendem, sistemet e shtëpive inteligjente ndonjëherë shkatërrojnë privatësinë dhe mund të zbulojnë sjellje problematike. Ju mund të shihni se ngrohja është e ndezur ose uji juaj është i nxehtë, ndërsa ju keni menduar se partneri juaj nuk ishte në shtëpi, për shembull, duke sjellur kështu ne incidente të dyshuara të tradhtisë të gjurmuara nga sistemi.
Nëse qëllimi juaj është ta përdorni ngrohjen sa më ekonomike, duhet të keni parasysh se njerëzit mund të kenë preferenca shumë specifike për temperaturat që pëlqejnë dhe tolerojnë. Preferencat e tyre rreth gjërave të tilla priren të jenë “joelastike”, thotë Sovacool. Për të gjetur një gjuhë të përbashkët është e mundur të plotësoni ngrohjen e dhomës me rroba të ngrohta, rroba ose batanije me ngrohje elektrike dhe masa të tjera me kosto të ulët, kjo do të ndihmon për të reduktuar gjasat e një grindjeje. Sidoqoftë, nuk ka garanci në jetë.
Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK