‘Kursimi për Hakmarrje’ – Një trend i ri në luftën kundër cmimeve të larta
Gjithnjë e më shumë britanikë po kursejnë para me zell në vend që t’i shpenzojnë ato, duke ndjekur një trend të ri të njohur si ‘kursimi për hakmarrje’. Kjo metodë kursimi po bëhet gjithnjë e më popullore si një mënyrë për të menaxhuar buxhetet dhe financat. Në thelb, ajo përfshin ndjekjen me kujdes të kursimeve si në buxhetimin normal, por shkon një hap më tej, duke mos shpenzuar qëllimisht dhe duke marrë pjesë në sfida të ndryshme kursimi në mënyrë që të ndërtohet një fond më i madh kursimi, vuri në dukje portali This is Money.
Nuk ekziston vetëm një mënyrë e vetme për të bërë ‘kursimin për hakmarrje’, por shumë po angazhohen në sfida të tilla si sfida ‘mosblerje’. Gjatë sfidës, njerëzit kalojnë nëpër periudha të rrepta ku nuk blejnë asgjë përveç produkteve absolutisht të nevojshme ose përdorin të gjitha produktet dhe ushqimet që kanë tashmë para se të blejnë të reja, në mënyrë që të kursejnë para.
Disa shkojnë edhe më tej, duke e detyruar veten të shesin gjëra që posedojnë para se të bëjnë blerje të reja. Ekziston gjithashtu një temë “Mos Blej” në Reddit, ku pjesëmarrësit ndajnë përvojat e tyre dhe rendisin sa para kanë kursyer duke kufizuar shpenzimet e tyre.
Arsyeja është rritja e çmimeve
Një formë tjetër e “kursimit hakmarrës” përfshin transferimin automatik të parave në një llogari kursimi sapo marrin rrogën, përpara se të paguajnë qiranë, kredinë ose faturat e tjera , për të siguruar që kursimet janë prioritet.
Autorët vërejnë se nuk është për t’u habitur që gjithnjë e më shumë njerëz po kërkojnë mënyra për të kursyer, për të mbrojtur veten nga çmimet në rritje të vazhdueshme.
Rritja e popullaritetit të “kursimeve hakmarrëse” është rezultat i dëshirës së njerëzve për t’u mbrojtur nga pasiguria ekonomike, duke përfshirë inflacionin më të lartë se sa pritej, normat e larta të interesit dhe kërcënimin e taksave të reja që mund të shpallen në buxhetin e vjeshtës për britanikët.
Kriza e kostos së jetesës në Mbretërinë e Bashkuar nuk është zhdukur plotësisht – inflacioni është ende shumë mbi objektivin prej 2% dhe aktualisht është 3.8%, që do të thotë se paratë e fituara me mund të njerëzve po humbasin vlerë në terma realë. Gjatë pandemisë, shumë arritën të ndërtonin “kursime karantine” sepse nuk kishin ku tjetër të shpenzonin. Kur u hoqën masat, filloi fenomeni i “shpenzimeve hakmarrëse” – njerëzit shpenzuan masivisht paratë që kishin kursyer deri atëherë. “Kursimet hakmarrëse” sot janë pikërisht reagimi i kundërt.
Besohet se trendi ka origjinën në mediat kineze dhe mediat sociale, dhe tani është përhapur në SHBA dhe po bëhet gjithnjë e më popullor në Mbretërinë e Bashkuar.
Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK