“Një pronar kompanie me të cilin bisedova ka një rregull: punëson vetëm njerëz në të 20-tat e tyre, i bindur se ata sjellin ‘frymë të re’ në biznes — ide të reja, inovacione dhe aftësi moderne.

Ndonjëherë ka të drejtë. Por në nivel global? Shkenca thotë se nuk ka.” — shkruan Jeff Haden në një nga artikujt e tij.

Sipas një studimi nga Byroja Kombëtare për Kërkime Ekonomike (NBER), “mosha mesatare e shkencëtarëve dhe inovatorëve në momentin e zbulimeve të tyre më të mëdha është dukshëm më e lartë sot se në të kaluarën. Derisa dikur njohuritë gjeniale dhe zbulimet ndodhnin zakonisht në fillim të të 30-tave, tani ato ndodhin më shpesh pas moshës 40 vjeç.”

Rezultatet tregojnë se kulmet e performancës ndodhin në moshën e mesme. “Periudha e të mësuarit dhe përgatitjes pasohet nga një rritje e shpejtë e produktivitetit, e cila kulmon në fund të të 30-tave ose në të 40-tat,” theksojnë studiuesit.

Përvoja është inovacioni i ri

E njëjta gjë vlen edhe për sipërmarrësit. Një studim i Journal of Business Venturing zbuloi se sipërmarrësit më të suksesshëm janë zakonisht në moshë të mesme, madje edhe në botën teknologjike.

Një themelues startup-i 60-vjeçar ka tre herë më shumë gjasa të krijojë një biznes të suksesshëm sesa një 30-vjeçar, dhe dy herë më shumë gjasa të ndërtojë një kompani që hyn në 0,1 përqindëshin e sipërm për të ardhura dhe fitime.

Pse gjeniualiteti shfaqet më vonë në jetë?

Haden shpjegon se aftësia kërkon kohë. Nuk mjafton vetëm të dish faktet — duhet të kuptosh si lidhen ato brenda një sistemi më të gjerë njohurish. Inovacioni ndodh kur përvoja dhe intuita bashkohen.

Përparësia e pjekurisë

Sipërmarrësit më të moshuar, ndryshe nga më të rinjtë, kanë më shumë përvojë biznesi, rrjete më të gjera kontakti dhe akses më të madh në kapital. Vendimet e tyre janë më të menduara, dhe kuptimi i tyre për tregun më i thellë. Me pak fjalë, përvoja nuk është pengesë – është avantazh konkurrues.

E njëjta vlen edhe për punonjësit. Haden, i frymëzuar nga hulumtimet, shkruan se punonjësit e rinj shpesh kanë njohuri më të freskëta teknike dhe mësojnë më shpejt teknologjitë e reja. Por aftësitë më të gjera dhe të ndërlidhura, si lidershipi, mendimi strategjik dhe organizimi, gjenden më shpesh te kandidatët me më shumë përvojë.

Çelësi nuk është mosha, por kombinimi i aftësive

Kandidati më i mirë nuk është “i ri” apo “i vjetër”, por ai që përputhet më mirë me nevojat e punës. “Prandaj, kur punësoni, harroni idetë e paragjykuara dhe përqendrohuni te rezultati përfundimtar: kush mund të kontribuojë realisht në kompaninë tuaj në afat të gjatë,” këshillon Haden.

Siç tregon shkenca — gjenialiteti nuk lind brenda natës. Ndonjëherë duhen tridhjetë, dyzet apo edhe gjashtëdhjetë vite jetë që ai të kristalizohet plotësisht.

“Në fund të fundit, Steve Jobs ishte 21 vjeç kur themeloi Apple, por inovacionet e tij më të mëdha ndodhën vetëm në fund të të 40-tave dhe fillim të të 50-tave,” shkruan Haden — një fakt i pamohueshëm, ashtu si fakti që Jobs ishte një përjashtim, jo rregull.

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *