1. Përkujdesja për ndjenjat e atij që e ka kapluar mërzia duke e shoqëruar dhe ngushëlluar atë në mërzinë e tij:
Njëra nga detyrat e myslimanit ndaj vëllait të tij mysliman është ta shoqërojë në mërzinë dhe gëzimin e tij. Në këtë mënyrë përjetohet kuptimi i fjalës se myslimanët janë si një trup i vetëm.
Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, pasi që e përmendi luftën e Bedrit tha: “Atë ditë u zunë robër disa nga pala e armikut. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kërkoi mendimin e Ebu Bekrit dhe Omerit, Allahu qoftë i kënaqur nga të dy, për robërit e luftës dhe iu tha: ‘Çfarë mendoni të veprojmë me robërit e luftës?’ Ebu Bekri tha: ‘O I Dërguar i Allahut, ata janë nga familjarët dhe akrabatë tanë. Unë mendoj të marrim kundërshpërblim për ta, me këtë ta paraqesim fuqinë dhe dominimin tonë mbi jobesimtarët, e ndoshta Allahu i udhëzon për Islam.’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘Po ti Omer, si mendon?’ Omeri tha: ‘Jo, pasha Allahun, o I Dërguar i Allahut. Nuk pajtohem me mendimin e Ebu Bekrit, unë e shoh që t’ua presim kokat. Aliut jepja Akilin t’ia presë kokën, mua ma jep një kushëri e t’ia presë kokën atij. Ata janë koka e femohimit dhe paria e tyre.’ Omeri thotë që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, anoi ka mendimi i Ebu Bekrit dhe nuk u pajtua me mendimin tim. Të nesërmen shkova ta takoja Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me të ishte edhe Ebu Bekri, të dy ishin ulur dhe po qanin. I thashë: ‘O I Dërguari i Allahut, përse po qani ti dhe shoku yt? Nëse ka ndodhur diçka që duhet të qaj edhe unë, më tregoni, e nëse jo, atëherë të qaj me të qarit tuaj.’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘Po qaj për propozimin e shokëve të tu që të marrim shpagim për robërit. Vetëm se e pashë çfarë ndëshkimi në dynja do të binte mbi ta, ishte afër të ndodhte sikurse afërsia e kësaj peme këtu.’ Ishte një pemë afër Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe Allahu zbriti ajetin: “Asnjë profet s’ka të drejtë të ketë rob për vete, derisa të arrijë fitore të plotë në Tokë. Ju dëshironi të mirat kalimtare të kësaj bote, kurse Allahu dëshiron botën tjetër. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Sikur të mos
ishin urdhërimet e mëparshme të Allahut (për lejimin e plaçkës së luftës), do t’ju godiste një dënim i madh për atë që keni marrë. Gëzojeni plaçkën e luftës që keni fituar si gjë të lejueshme dhe të mirë dhe frikësojuni Allahut! Vërtet, Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (El-Enfal: 67-69); Allahu me këtë ua lejoi atyre marrjen e plaçkave.”
Madje përcillet për një grua nga ensarët e cila e shoqëroi Aishen, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, gjatë sprovës që e kishte, ajo qante së bashku me të. Aisha rastin e saj e përmendi në hadithin e ‘ifkut’ (shpifjes) dhe thotë: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kur duhej të nisej për në udhëtim, hidhte short se cila nga gratë do të udhëtonte me të…(Aisha e përmendi rrëfimin e plotë dhe gjendjen e saj gjatë kësaj sprove)… derisa tha: Atë ditë e kalova duke qarë, lotët më rridhnin pandarë dhe nuk bëja gjumë. E njëjta ndodhi edhe gjatë natës. Prindërit e mi mendonin që nga të qarit do ta çaja mëlçinë time. Në prezencën e tyre dhe duke qenë unë në këtë gjendje, një grua nga ensarët kërkoi leje të hynte brenda tek unë. Pasi që ia dhashë lejen, hyri brenda u ul dhe filloi të qante….”
2. Përkujdesja për mallëngjimin e nënës që e ka për fëmijën e saj:
Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Unë hyj në namaz me nijet të falem sa më gjatë, por kur e dëgjoj vajin e fëmijës, e lehtësoj (shkurtoj) namazin tim, sepse e di çfarë mallëngjimi ka nëna kur e dëgjon vajin e fëmijës së saj.”
Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Harithe ibën Suraka u vra në luftën e Bedrit. Ishte i vogël në moshë. Kur i shkoi lajmi nënës së vet, shkoi te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i tha: ‘O I Dërguari i Allahut, ti e di se Harithe çfarë pozite ka në zemrën time. Nëse ai është në Xhenet, do të duroj dhe do të shpresoj shpërblimin e Allahut, a nëse nuk është ashtu, më trego se çfarë të bëj!’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘E mjera ti, a e humbe mendjen me humbjen e fëmijës! A ka vetëm se një Xhenet?! Janë shumë Xhenete, kurse djali yt është në Xhenetin Firdeus’.”
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Fjala në hadith ‘hubilet’ e ka kuptimin e humbi fëmijën (për prindin), por mund të vijë edhe në formë të lavdërimit dhe mahnitjes. Thonë që esenca e kësaj fjale është kur fëmija vdes në qafën e mitrës, që i bie sikur nëna e fëmijës të ndiejë dhembje në qafën e mitrës shkaku i vdekjes së fëmijës në të.” Në një transmetim tjetër: “Harithe ibën Er-Rebia ditën e Bedrit erdhi ‘nadh-dharen’ (ta spiunonte armikun)” Es-Saatij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Fjala‘nadh-dharen’ do të thotë e spiunon armikun, pra Harithe doli ta spiunonte armikun dhe jo të luftonte, sepse ishte i vogël në moshë, ashtu siç erdhi në transmetimin që e shënon Buhariu ‘U vra Harithe ditën e Bedrit në moshë të vogël’. Ibën Haxheri thotë që te libri i Nesaiut erdhi: ‘Nuk doli Harithe për luftë.’ Nëna e tij kishte dilemë për të birin a ka hyrë në Xhenet, sepse nuk kishte dalë të luftonte, por të spiunonte ushtrinë e armikut. Ajo mendonte se dëshmorë janë vetëm ata që luftojnë dhe vriten në betejë. Edhe i biri i saj ishte nga dëshmorët.”
3. Përkujdesja për ndjenjat e të mërziturit dhe përpjekja për ta larguar mërzinë prej tij:
Xhabir ibën Abdullahu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, deshi ta takonte Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, por kur iu afrua shtëpisë, kishte njerëz që ishin ulur dhe pritnin para dere. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, asnjërit nuk i kishte dhënë leje të hynte brenda. Ebu Bekri kërkoi leje dhe e mori atë, pastaj u fut brenda. Pak më vonë erdhi Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kërkoi leje të hynte dhe e mori atë, pastaj u fut brenda. Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e gjeti të mërzitur, të heshtur, përreth tij i kishte gratë e veta. Omeri (kur e pa mërzinë në fytyrën e tij) në vete tha: ‘Do t’ia them disa fjalë që do ta bëjnë të qeshë Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.’ Iu drejtua me këto fjalë: ‘O I Dërguari i Allahut! Gruaja ime, Bint Harixheh, më kërkoi të holla për shpenzim, e unë u ngrita dhe e godita në qafë atë.’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, qeshi dhe tha: ‘Siç po e sheh edhe vetë, ato (gratë) më kanë rrethuar, po kërkojnë prej meje të holla për shpenzim’.”
Rast tjetër që ndërlidhet me temën është edhe rrëfimi i Xhabirit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur deveja e tij mbeti prapa karvanit shkaku i lodhjes dhe dobësisë. Kjo e bëri Xhabirin të mërzitet, ndërsa Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e ngushëlloi me këtë dialog të mrekullueshëm.
Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e rrëfen rastin dhe thotë: “Dola me Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në betejën e Dhatë Er-Rika. Rrugës udhëtoja me devenë time të dobët. Pas betejës, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, vendosi të kthehemi drejt Medinës. Gjatë kthimit të tjerët ma tejkalonin dhe dilnin para meje. Unë fillova të mbetesha prapa, derisa Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, më arriti dhe më tha: ‘O Xhabir, çfarë ndodhi me ty?’ I thashë: O I Dërguar i Allahut, po më ngadalëson deveja ime. Më tha: ‘Ndaloje devenë dhe ule në gjunjë.’ U ndal dhe ai vetë, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe më tha: ‘Ma jep shkopin nga dora.’, ose tha: ‘Thyeje një degë nga pema.’ Veprova ashtu si më tha, ia dhashë shkopin dhe me të e thumboi disa herë devenë time. Pastaj më tha: ‘Hip.’ Hipa në të. Pasha Allahun që e dërgoi Muhamedin me të vërtetën, deveja ime filloi të ecte shpejt dhe më duhej ta mbaja të mos dilte para devesë së Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Gjatë rrugës I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ezhvilloi një bisedë me mua dhe më tha: ‘O Xhabir, a po ma shet devenë?’ I thashë: O I Dërguar i Allahut, dua të ta dhuroj dhe jo të ta shes. Më tha: ‘Nuk e dua dhuratë, po dua të ma shesësh.’ I kërkova të ma jepte një çmim për të. Më tha: ‘Mendoj që ta blej për një dërhem.’ I thashë: Jo, me këtë çmim jam në humbje. Më tha: ‘Atëherë dy dërhem.’ I thashë: Jo. Xhabiri thotë që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, vazhdimisht e rriste çmimin derisa arriti në një ‘ukije’ (40 dërhem) dhe i thashë: Jam i kënaqur me këtë çmim. Më tha: ‘A pajtohesh me çmimin?’ Ia ktheva: Po, tash jam i kënaqur me çmimin, deveja është e jotja. Më tha: ‘Pajtohem.’ Pastaj më tha: ‘O Xhabir, a je martuar?’ I thashë: Po o I Dërguari i Allahut. Më tha: ‘Të vejë apo beqare?’ Të vejë iu përgjigja. ‘E pse nuk e martove beqare, të lozësh me të dhe ajo të lozë me ty?’ – më tha. Unë i thashë: ‘O I Dërguari i Allahut, babai im u vra në luftën e Uhudit, pas vete i la shtatë vajza. Unë e martova të vejë që ajo t’ua krehë flokët dhe të kujdeset për to.’ Më tha: ‘Ia ke qëlluar inshallah.’ Pastaj më tha: ‘Kur të arrijmë në Sirar do t’i therim disa deve dhe atë ditë do të qëndrojmë aty. Gruaja jote kur të dëgjojë për ardhjen tonë në atë vend do t’i përgatisë jastëkët e saj.’ I thashë: O I Dërguari i Allahut, ne nuk kemi jastëkë. Më tha: ‘Ata do të jenë. Kur të arrish në shtëpi të këshilloj që t’i afrohesh gruas tënde (për marrëdhënie që të lindë fëmijë).’ Kur arritëm në Sirar, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dha urdhër të theren disa deve. Gjatë ditës qëndruan në atë vend. Kur erdhi nata Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, hyri në Medine dhe ne hymë pas tij. E lajmërova gruan time për fjalët dhe porositë që m’i dha Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe ajo më tha: ‘Dëgjuam dhe respektuam.’
Kur u gdhiva në mëngjes, e mora devenë dhe shkova te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Devenë e ula pranë derës së shtëpisë së tij, ndërsa unë u ula në xhami. Kur doli Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, prej shtëpisë e pa devenë dhe tha: ‘E kujt është kjo deve?’ I thanë: ‘O I Dërguari i Allahut, deveja është e Xhabirit.’ Tha: ‘Po ku është Xhabiri?’ Më thirrën të shkoja te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Kur u takova më tha: ‘Eja këtu o Xhabir dhe merre devenë, ajo është e jotja.’ Pastaj e thirri Bilalin dhe i tha: ‘Shko te Xhabiri dhe jepja një ‘ukije’ (40 dërhem).’ Shkova me Bilalin i cili më dha shumën që duhej dhe shtoi pak. Pasha Allahun, vazhdimisht është shtuar dhe e kemi parë pozitën e saj derisa ndodhi dje ajo që ndodhi me njerëzit, d.m.th në jeumul harre (betejën El-Harre).”
Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përfitoi nga gjendja e devesë së tij që njëherit deshi ta braktiste. Ai nuk posedonte kafshë tjetër që t’i kryente nevojat e veta, përveç kësaj deveje, prandaj Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e mëshiroi me këtë dialog tërheqës, dhe në fund ishte bujar ndaj tij duke i ndihmuar materialisht.
Ibën El-Xheuzij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky veprim është mirësi e madhe, sepse ai që shet diçka, në përgjithësi është nevojtar për vlerën (çmimin) e tij, e kur t’i kompensohet vlera, mbetet në zemër keqard
largohet pikëllimi, i kthehet gëzimi dhe i largohet nevoja. E tani paramendoje se si mund të jetë gjendja e atij që i kthehet malli dhe i jepet edhe më tepër!”
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, nga dobitë e hadithit e përmendi: “Përkujdesjen e imamit dhe prijësit për shokët e tij, interesimin e tij për gjendjen e tyre, ndihmën e tyre me lehtësimin e gjendjes, ose ndihmën e tyre me pasuri ose me dua.”
4. Përkujdesja për ndjenjat e atij që ka dhembje në shpirt me humbjen e të dashurit të tij dhe të ndihmuarit e tij me ndërmjetësim për të ose me diçka tjetër:
Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell: “Burri i Berirës, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, ishte skllav dhe emri i tij ishte Mugith, Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Një ditë e pashë se shkonte pas saj, qante derisa lotët i rridhnin nëpër mjekër. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha Abasit: ‘O Abas, a të vjen çudi me dashurinë e Mugithit për Berirën dhe me urrejtjen e saj për të?’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, Berirës i tha: ‘Pse nuk po i kthehesh?’ Berira i tha: ‘O I Dërguar i Allahut, a është urdhër?’ Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: ‘Unë vetëm se po ndërmjetësoj.’ ‘Nuk kam nevojë për të,’- i tha Berira.”
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK