Kur një person hyn në supermarket, rrallëherë pyet veten pse pikërisht një produkt i ka “rënë në sy”. Thjesht e merr. I pëlqeu. Kështu vendosi. Rastësisht.

Vetëm se… në tregti rastësia pothuajse nuk ekziston.

Në vitet e fundit, marketingu është shndërruar në diçka shumë më tepër se thjesht reklamim. Në lojë kanë hyrë psikologjia, sinjalet vizuale, madje edhe truke të vogla që njeriu i vëren, por në fakt edhe nuk i vëren. Ngjyrat janë ndër më të fuqishmet.

Nuk është rastësi që uljet pothuajse gjithmonë shënohen me ngjyrë të kuqe. Ajo tërheq menjëherë vëmendjen.

Madje pak e përshpejton edhe pulsin, thonë analistët që studiojnë sjelljen e konsumatorëve.

E kuqja krijon ndjesinë se diçka po ndodh pikërisht tani. Se duhet të reagosh menjëherë. Të mos humbasësh rastin.

Dhe njerëzit reagojnë. Edhe kur nuk kishin planifikuar të blinin asgjë.

E verdha është një histori tjetër. Është ngjyrë e zhurmshme. Shkëlqen. Duket nga larg. Në vitrina dhe në rafte shërben si një sirenë e vogël vizuale,shiko këtu, pikërisht këtu.

“E verdha e kap shpejt vëmendjen dhe e drejton shikimin”, shpjegojnë njohësit e strategjive të marketingut.

Pastaj vjen bluja. E qetë, e ftohtë, serioze. Nuk është rastësi që përdoret nga bankat, kompanitë teknologjike dhe markat që duan të duken të sigurta.

Bluja nuk bërtet, nuk shtyn. Ajo krijon ndjenjë besimi.

“Kur konsumatori sheh një ambalazh blu, në mënyrë të pavetëdijshme e lidh me stabilitet dhe cilësi”, thonë ekspertët e psikologjisë së konsumit.

E gjelbra, ndërkohë… është e preferuar për produktet që duan të duken natyrale. Të shëndetshme. Të pastra. Edhe kur realiteti nuk është aq i gjelbër sa duket në etiketë. Por ngjyra e bën punën e saj.

Dhe këtu historia nuk mbaron.

Disa tregtarë zgjedhin me kujdes ngjyrat edhe në vetë hapësirën. Në supermarket, për shembull, pjesa e frutave dhe perimeve shpesh ndriçohet me tone më të ngrohta. Gjithçka duket më e freskët. Më e shijshme. Tek ëmbëlsirat – ngjyra më të forta, më shumë kontrast, pak kaos vizual që tërheq vëmendjen.

“Truri reagon ndaj ngjyrës më shpejt sesa ndaj tekstit apo informacionit”, thonë analistët.

Vendimi ndonjëherë merret brenda pak sekondash. Ose edhe më pak.

Ngjyrat e errëta shpesh përdoren për produkte që duan të duken më luksoze. E bardha krijon ndjenjë pastërtie. Portokallia sjell energji, pak gëzim… një lloj impulsi.

E gjithë kjo duket e vogël. E parëndësishme.

Por kur një person ndalon para raftit dhe zgjedh diçka që më parë nuk kishte planifikuar ta blejë… atëherë bëhet e qartë se ngjyrat nuk janë vetëm dekor.

Ato punojnë në heshtje në sfond. Pa i vënë re.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye funksionojnë kaq mirë.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTËT.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *