Kohëzgjatjen e ndryshimeve në sistemin nervor të krijuara në formë të mësimit e emërtojmë si mbajtje mend. Kjo bën pjesë në grupin e proceseve psikike intelektuale dhe është ngushtë e lidhur, jo vetëm me mësimin, por edhe me perceptimet.
Mbajtja mend fillon gjatë kohës së perceptimit kur në tru krijohen të ashtuquajturat engramet që janë gjurmë në sistemin nervor për atë që perceptohet, respektivisht regjistrohet. E regjistruara mbahet në engramet dhe më vonë sipas nevojës mund të përsëritet apo të ekforohet (të bartet nga nënvetëdija në vetëdije).
Njohuritë shkencore në lidhje me ndryshimet fiziologjike të cilat ndodhin në qelizat nervore dhe lidhjet e tyre tregojnë se acidi dezoksiribonukleik dhe ai ribonukleik kanë një rol të madh në procesin e mbajtjes mend. Mbajtja mend është proces psikik kompleks dhe varet nga shumë faktorë, për shembull, të kuptuarit e materialit që mësohet, angazhimi gjatë mësimit, njohuritë paraprake dhe karakteristikat tjera të personit që mëson. Forma më e lartë e mbajtjes mend është reproduksioni (përsëritja pa prezencën e objektit). Reproduksioni varet nga e regjistruara (e mbajtura mend) dhe e mbajtura (retencioni).
Forma më e dobët e mbajtjes mend është rekognicioni dhe kjo realizohet në prani të lëndës. Për shembull, profesori e pyet nxënësin “Cilat çrregullime të perceptimeve paraqiten pa ngacmime”? Nxënësi nuk është në gjendje të përgjigjet. Nëse profesori pyet: “Vallë, janë këto agnozionet, iluzionet apo halucinacionet”? Nxënësi përgjigjet se këto janë halucinacionet, mirëpo nuk është në gjendje të tregojë asgjë më tepër për halucinacionet.
Kjo do të thotë se ndryshimet fiziologjike që janë zhvilluar në sistemin nervor kur nxënësi ka mësuar për çrregullimin e perceptimeve kanë qenë aq të dobëta që kanë lënë gjurmë të zbehta në sistemin nervor. Në lidhje me këtë, nxënësit gënjehen kur e lexojnë mësimin dhe kanë përshtypje se e dinë mirë mësimin, por kjo është vetëm njohje. Sapo e mbyllin librin shihet se përshtypja është e rrejshme dhe reproduksioni është i pamundur. Mësimi është mirë i mësuar vetëm atëherë kur mundet mirë të thuhet me libër të mbyllur.
Përmblodhi dhe përshtati
STUDENTET.MK