Apple është e njohur për aftësinë e saj për të prishur industri të tëra dhe më pas t’i riformoj ato sipas dëshirave të saj. Produktet si iPhone, iPad, Apple Watch dhe AirPods janë shembulli më i mirë i kësaj. Secili nga produktet e lartëpërmendura revolucionarizoi fushën e vet, duke i detyruar konkurrentët të përshtaten dhe të ndjekin inovacionet dhe risitë e Apple.
Inovacioni i rradhës është gjithashtu një mallkim për Apple, megjithatë analistët dhe kritikuesit për vite me rradhë kanë paralajmëruar për “shkatërrimin e afërt” të Apple , por kompania nuk ishte aq e shpejtë që të dilte me një përparim të dukshëm sa t’i bën realitet thashethemet e analistëve dhe kritikuesve.


Apple aktualisht është kompania më me vlerë në Amerikë, dhe ajo që e karakterizon këtë kompani gjigante është posedimi i parave të gatshme me vlerë prej 200 miliardë dollarë që mund të përdoren për çdo gjë. Thashethemet e fundit thonë se Apple po punon për një risi të madhe që do të fuqizojë një produkt që nuk është bërë kurrë më parë, me një lançim të parapërcaktuar më së voni për vitin 2025.

“Apple Titan” është emri i supozuar i divizionit jo shumë sekret i makinave të Apple. Disa vite më parë, qarkullonin thashetheme se Apple po zhvillonte teknologjinë e vet të makinës vetë-drejtuese, por ato raporte u shuan. Apple asokohe kishte prioritete tjera. Reuters sapo ka rishfaqur këtë thashethem përsëri, duke thënë se Apple po punon për një veturë me sistem vetë-drejtues (self-driving), ku lançimi i saj parashikohet të bëhet jo më herët se viti 2024, por pandemia e koronavirusit mund ta vonojë këtë projekt madhështor të Apple për një vit.

Kompanitë tjera automobilistike vazhdimisht janë duke punuar në zhvillimin e teknologjisë vetë-drejtuese, madje shumica e tyre po ndjekin ëndrrën për zëvendësimin e makinave aktuale me ato elektrike. Sadoqë Google po përgatit softuer për vetura, ose Tesla me veturën elektrike që ka disa shtesa për vet-vozitje (që në fakt nuk është plotësisht vet-vozitëse), sërish as njëra e as tjetra nuk do të jenë afër asaj që Apple pritet ta prezantojë.

Sipas burimeve nga njohësit e fushës për këtë çështje, Apple ka dy gjëra specifike që mund ta lejojnë atë të krijojë një makinë elektrike vetë-drejtuese si askush tjetër. Para së gjithash, po zhvillon sensorë të lidarit të aftë për të zbuluar objekte 3D. Sensorë të ngjashëm gjenden tashmë në versionet më të fundit iPad Pro dhe iPhone 12 Pro. Për makinën, Apple do të ketë nevojë për më shumë sensorë lidar për të ndjerë distanca të ndryshme. Disa prej tyre do të bazohen në vetë teknologjinë e Apple që po zhvilon, ndërsa të tjerat do të vijnë nga industria e automobilave. Nuk janë vetëm sensorët që do ta bënin makinën e Apple unike, por edhe softueri. Ashtu si me produktet tjera, Apple do të jetë përgjegjëse edhe për pajisjet harduerike dhe për programet që do e bëjnë harduerin të shkëlqejë.

Përparimi i dytë me të cilën Apple do të jetë në avantazh të madh kundrejt shitësve tradicionalë të automjeteve, përfshirë Tesla, ka të bëjë me baterinë. Apple thuhet se po projekton një bateri të gjeneratës së ardhshme (next-generation) të makinave që do ta lejonte atë të ofronte një gamë më të gjatë.

Raportohet se Apple po punon mbi një dizajn të baterive njëqelizore të quajtur “monocell”, me ç’rast liron hapësirë brenda makinës duke eleminuar modulet e panevojshme të baterive aktuale. Kjo teknologji e re e Apple do të mundësojë jetëgjatësi më të madhe karikimi.

Për më tepër, bateria do të përdorë teknologjinë e litium-fosfat-hekur (LFP), e cila ka më pak tendencë të mbinxehet sesa bateritë tradicionale të jon-litiumit. Kjo do ta bënte baterinë edhe më të sigurt.

Ndërsa dy burime të ndryshme raportojnë se Apple planifikon ta bëjë makinën Apple një realitet, por ende është e paqartë se si Apple do t’i qaset sipërmarrjes. Raportet spekulojnë se Apple ose mund të bashkëpunojë me një prodhues tradicional makinash dhe fabrika të gatshme për të prodhuar pjesët e makinës në masë, ose opsioni tjetër është më sfidues. Apple do të duhet të krijojë linjat e saj të prodhimit dhe të bëj marrëveshje me prodhuesit e pjesëve të makinave për përdorimin e ngjyrave. Krahasuar me Tesla dhe kompanitë tjera, Apple ka një avantazh të madh që mund t’i ndihmojë në masë të madhe : 200 miliardë dollarë para të gatshme.

Përgatiti dhe përshtati:

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_B