Varësisht nga volumi dhe lloji i mbrojtjes shëndetësore, organizata shëndetësore mund të themelohet si:
· Shtëpi shëndeti;
· Spital;
· Klinikë;
· Barnatore;
· Ent për mbrojtje shëndetësore;
· Institut;
· Vend për mjekim natyror;
· Qendër mjekësore;
· Qendër klinike-spitalore;
· Qendër farmaceutike;
· Qendër për shëndet mental etj.
Spitali është organizatë shëndetësore e tipit stacionar që mundëson mbrojtje shëndetësore sekondare të popullatës në kushte stacionare dhe kryen funksion specialistik-konsultativ dhe këshillëdhënës. Spitali modern bashkëkohor i ka këto detyra:
– Mundëson diagnostifi kim, mjekim dhe rehabilitim të të sëmurëve dhe të lënduarve;
– Pranon dhe kujdeset për rastet urgjente;
– Realizon ndihma mjekësore specialistike dhe konziliare;
– Përpunon programe të posaçme për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe lëndimeve;
– Zbaton aktivitete edukativo shëndetësore;
– Kryen stërvitje profesionale dhe perfeksionim të punëtorëve shëndetësorë;
– U jep ndihmë profesionale organizatave tjera shëndetësore;
– Mban evidencë dhe dokumentim të aktiviteteve të veta.
Spitali mund të jetë i përgjithshëm dhe special.
Spitali i përgjithshëm, më së shpeshti është tip i spitalit që ndihmë shëndetësore u jep të gjithë personave, nga të gjitha moshat, të cilët kanë sëmundje të ndryshme. Ka më së paku 150 shtretër të radhitur në këto reparte:
– Reparti për sëmundje interne;
– Reparti për sëmundje të fëmijëve;
– Reparti i kirurgjisë së përgjithshme;
– Reparti gjinekologjik-akusherik;
– Reparti për mjekësi fizikale dhe rehabilitim.
Posedon laboratori për analiza klinike-biokimike, rëntgeno-diagnostike, anesteziologji dhe reanimacion, analiza klinike-patologjike, transfuzion etj. Për të kryer punën e tij çdoherë duhet të jetë i furnizuar me medikamente, instrumente të nevojshme, aparate, materiale lidhëse dhe sanitari. Çdo spital i përgjithshëm duhet të ketë edhe izolim për sëmundjet ngjitëse dhe shërbim për ndihmë të shpejtë mjekësore.
Spitali special jep mbrojtje shëndetësore të sëmurëve me sëmundje të caktuara (sëmundje ngjitëse, tuberkulozi, sëmundje të lëkurës, sëmundje venerike, sëmundje mentale dhe nervore), të sëmurëve në moshë të caktuar (spitali për fëmijë, spitali pediatrik) dhe të sëmurëve me gjini të caktuar (spitali gjinekologjik-akusherik).
Klinika është organizatë shëndetësore e tipit stacionar, e cila jep mbrojtje shëndetësore terciare. I ka të gjitha veprimtaritë e spitalit, por midis tjerash merr pjesë edhe në procesin edukativo-arsimor të arsimit të mesëm me drejtim të caktuar dhe arsimit të lartë të punëtorëve shëndetësorë, stërvitjes së tyre profesionale dhe perfeksionimit. Klinikat kryejnë aktivitete shkencore-hulumtuese dhe i perfeksionojnë metodat për zbulimin dhe mjekimin e hershëm të sëmundjeve si dhe të rehabilitimit bashkëkohor. Gjatë aktiviteteve të tyre klinikat bashkëpunojnë në mënyrë të vazhdueshme me fakultetin e mjekësisë, stomatologjisë, farmacisë, me shkollën për arsim të mesëm (drejtimi mjekësor), me fakultetet, institutet, entet dhe qendrat tjera.
Përmblodhi dhe përshtati
STUDENTET.MK