1. Largimi nga ai që gabon dhe braktisja e polemikës me të me shpresë të kthehet dhe ta përmirësojë gabimin:

Alij ibn Ebi Talib h, tregon se Pejgamberi ﷺ, erdhi natën në shtëpinë time, ndërsa unë dhe Fatimja, e bija e Pejgamberit ﷺ, ishim duke fjetur. Na tha: “A nuk po ngrihuni të falni namaz nate?” I thash: “O i Dërguari i Allahut! Shpirtrat tonë janë në Dorën e Allahut, nëse do Allahu Të na zgjoj, Ai na zgjon!” Pejgamberi ﷺ, kur ja tha Aliu këto fjalë, pa ju thënë gjë u largua prej aty. Aliu tregon se Pejgamberi ﷺ, pasi që e ktheu shpinën të del, e dëgjoi si i binte kofshës së vet dhe thoshte: “…por njeriu kundërshton më tepër se çdo krijesë tjetër.” (El-Kehf: 54)[1]

  1. Qortimi i atij që gabon:

Sikur që veproi Pejgamberi ﷺ, në rastin me Hatib ibn Ebi Belt’a h, kur e morri vesh që i kishte dërguar letër jobesimtarëve nga Kurejshët, ku në të i lajmëronte për synimin e myslimanëve të nisen drejt Mekes për ta çliruar atë. Pejgamberi ﷺ, i tha: “Çfarë të shtyri të veprosh kështu?” Hatibi tha: “Pasha Allahun, nuk veprova kështu ngase nuk i besoj Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, por desha që me këtë letër të përfitojë një lloj përkrahje prej tyre që të përkujdesen për familjen dhe pasurinë time. Gati çdo sahabij (prej muhaxhirëve) ka dikë prej familjarëve që ua ruajnë familjen dhe pasurinë, (a unë nuk kam askënd).” Pejgamberi ﷺ, tha: “Të vërtetën e tha dhe mos thoni për të vetëm se fjalë të mira.” Omeri h, tha: “Ky e tradhtoi Allahu, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, më lër t’ia heqë kokën!” Pejgamberi ﷺ, tha: “A nuk është nga pjesëmarrësit e luftës së Bedrit? E ku e di ti, ndoshta Allahu i shikoi pjesëmarrësit e Bedrit dhe ju tha: Veproni çfarë të dëshironi, se juve u është bërë obligim Xheneti apo ju kam falur të gjithëve.” Omerit i lotuan sytë dhe tha: “Allahu dhe i Dërguari i Tij ﷺ, e dinë më së miri.”[2]

Nga ky rast përftojmë disa dobi edukative të mëdha, ndër to:

1. Sahabiun i cili gaboi dhe e bëri një gabim të madh Pejgamberi ﷺ, e qortoi me fjalët: “Çfarë të shtyri të veprosh kështu?”

2. Pejgamberi ﷺ, e pyeti gabimtarin për shkakun që e shtyri të gabojë dhe s’ka dyshim që kjo ndikon në marrjen e qëndrimit për rastin e ndodhur.

3. Njerëzit me vlerë dhe me përvojë të gjatë nuk janë të mbrojtur nga mëkatet e mëdha, edhe ata bien në to.

4. Edukatori duhet të jetë zemërgjerë në pranimin e gabimeve të shokëve të tij që ata ta vazhdojnë rrugëtimin bashkërisht me të. Qëllimi është që ata të përmirësohen dhe jo të largohen.

5. Edukatori duhet të llogaris se disa nga shoqëruesit e tij mund të kalojnë nëpër momente të dobësisë njerëzore, andaj nuk duhet të ngutet ta llogarit për ndonjë lëshim të madh, ngase mund të ndodhë që edhe më të vjetrit me islam të bien në gabime të mëdha.

6. Mbrojtja e gabimtarit kur e meriton të mbrohet.

7. Nëse gabimtari ka të mira të mëdha të mëhershme, ky fakt duhet të merret parasysh gjatë vlerësimit të gabimit të tij dhe gjatë marrjes së qëndrimit për të.

  1. Atij që gabon duhet t’i tërhiqet vërejtja:

Heshtja është e papranuar para një gabimi të qartë. Patjetër duhet t’i drejtohemi me kritikë dhe t’ia tërheqim vërejtjen atij i cili gabon që ta ndjejë se ka gabuar.

Aliu h, tregon: “Më ra hise nga plaçkat e luftës së Bedrit një deve e vjetër dhe po ashtu Pejgamberi ﷺ, më dha një tjetër deve të vjetër nga humusi[3], e kështu i bëra dy deve. Para martesës me Fatimen, bijën e Pejgamberit ﷺ, u pata marrë vesh me një çifut nga fisi Beni Kajnuka që merrej me argjendari të vjen me mua të marrim idhhir (gjineshtër)[4], e t’ia shes argjendarëve dhe me ato të holla të blejë ushqimin e nevojshëm për zijafetin e dasmës. Ndërkohë nisa të përgatitem për udhëtim, i mora samarët, thasët dhe litarët, ndërsa devetë pushonin përballë shtëpisë së një ensariu. I mblodha ato që më duheshin për rrugë dhe u nisa për te devetë. Kur u afrova, çfarë të shohësh, gungat deveve ja u kishin prerë, barqet ja u kishin çarë dhe mëlçitë ja u kishin marrë. Nuk munda t’i përmbajë lotët nga pamja që e pash[5]. I pyeta të pranishmit: ‘Kush e bërë këtë?’ Më thanë: ‘E bëri Hamza ibn Abdulmutalib h! Ai bashkë me shokët janë duke pirë alkool në shtëpinë e ensariut.’ Shkova te shtëpia e Pejgamberit ﷺ, me të ishte Zejd ibn Harith h. E hetoi nga pamja e fytyrës sime se diçka nuk është në rregull dhe më tha: ‘Çfarë ke?’ I thash: ‘O i Dërguari i Allahut! Nuk kam parë deri më sot diçka të tillë, Hamza i sulmoi devetë e mia, ja preu gungat dhe ja çau barqet. Për momentin gjendet te shtëpia e një prej ensarëve me shokët e tij duke pirë.’ Pejgamberi ﷺ, kërkoi t’ia sjellin petkun (e pjesës së epërme), u vesh dhe u nis të shkojë te vendi. Unë dhe Zejd ibn Harithe i shkonim pas. Kur arriti te shtëpia ku gjendej Hamza, morri leje të hyjë dhe pasi që i dhanë leje hyri brenda. Hamza me shokët ishin dehur. Pejgamberi ﷺ, nisi ta qortojë Hamzën për veprimin e bërë. Hamza nuk ishte në veti nga dehja dhe sytë ju kishin skuqur. Shikoi në Pejgamberin ﷺ, pastaj e ngriti shikimin dhe e shikoi deri te gjunjët e tij, pastaj e ngriti edhe më lart shikimi dhe e shikoi deri te beli i tij, pastaj sërish e ngriti shikimi më lart dhe e shikoi në fytyrë, dhe pastaj i tha: ‘Ju nuk jeni diçka tjetër, përveçse skllevërit e babës tim!’[6] Me këto fjalë e kuptoi Pejgamberi ﷺ, se Hamza ishte i dehur dhe nuk ishte në vete, u tërhoq mbrapa (eci nga mbrapa)[7] deri sa doli dhe ne dolëm me të.”[8]

Sipas një versioni tjetër: “Pejgamberi ﷺ, u kthye duke ecur nga mbrapa deri sa doli. Kjo ishte para se të ndalohej alkooli.[9]”[10]

  1. Shmangia e gabimtarit:

Humejdi, Allahu e mëshiroftë, tregon: “Isha me një shok kur erdhi el-Velid tek unë dhe na tha: ‘Ejani! Jeni më të rinj se unë dhe më mirë e kuptoni hadithin.’ Shkuam bashkërisht te Bishr ibn Asimi. Ebu el-Alije i tha atij: ‘A po ja u tregon këtyre dyve hadithin që e di?’ Bishr ibn Asim tha: ‘Na ka treguar Ukbe ibn Malik prej Ebu en-Nadr el-Lejthij e ky prej Behzit i cili tregoi se Pejgamberi ﷺ, e dërgoi një ekspeditë me ushtarë, të cilët gjatë misionit të tyre e sulmuan një fis. Në ato çaste njëri prej tyre iku dhe ju vu pas njëri nga ushtarët e ekspeditës me shpatë në dorë. Kur e pa shpatën burri tha: ‘Unë jam mysliman.’ Ushtarit nuk i interesoi se çfarë tha, i ra me shpatë dhe e mbyti. Lajmi shkoi deri te Pejgamberi ﷺ, i cili foli ashpër për këtë rast. Fjalët i shkuan vrasësit, derisa një ditë kur ishte duke ligjëruar Pejgamberi ﷺ, vrasësi i tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Pasha Allahun, ato fjalë i tha veç mos ta vrasë!’ Pejgamberi ﷺ, iu shmang atij dhe të tjerëve përreth tij, dhe vazhdoi me ligjërimin. Pastaj sërish i tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Pasha Allahun, ato fjalë i tha veç mos ta vrasë!’ Pejgamberi ﷺ, iu shmang atij dhe të tjerëve përreth tij, dhe vazhdoi me ligjërimin. Pastaj nuk mundi të durojë dhe për të tretën herë i tha: ‘O i Dërguari i Allahut! Pasha Allahun, ato fjalë i tha veç mos ta vrasë!’ Këtë herë Pejgamberi ﷺ, u drejtua kah ai, ndërsa fytyra i tregonte që ndihej rëndë dhe i tha: ‘Allahu i Madhëruar nuk e pranon pendimin e atij që vret besimtarin.’; këtë ia përsëriti tri herë.”[11]

Ebu Seid el-Hudrij h, tregon për një burrë që erdhi prej Nexhrani te Pejgamberi ﷺ, në dorë mbante një unazë nga ari, e kur e pa Pejgamberi ﷺ, u largua prej tij dhe i tha: “Ke ardhur tek unë, e në dorën tënde ke gacë nga zjarri!”[12]

Amër ibn Shuajb nëpërmjet babës përcjell nga gjyshi i tij i cili tregoi se Pejgamberi ﷺ, e kishte parë njërin nga shokët e tij të mbante unazë nga ari në dorë, prandaj u largua prej tij, e sahabiu e vërejti këtë, andaj e hodhi unazën nga ari dhe e morri një unazë tjetër nga hekuri, me ç’rast Pejgamberi ﷺ, i tha: “Kjo unazë nga hekuri është sherr, ky është zbukurimi i banorëve të zjarrit.” Burri e nxori nga gishti unazën e hekurit dhe morri unazë tjetër nga argjendi. Për unazën e argjendit Pejgamberi ﷺ, nuk i tha gjë (do të thotë ia lejoi).[13]

  1. Bojkotimi i gabimtarit:

Nga metodat profetike që kanë ndikim, e në veçanti nëse gabimi dhe gjynahu është i madh, është bojkotimi i atij që gabon. Kjo metodë lë gjurmë të madhe në shpirtin e gabimtarit. Një nga shembujt e tilla është rasti i Kab ibn Malik h,  dhe dy shokëve të tij, të cilët nuk dolën në betejën e Tebukut, e Pejgamberi ﷺ, pasi që u vërtetua se nuk kanë justifikim dhe ata vet e pohuan gabimin e tyre, (Pejgamberi ﷺ dha urdhër të bojkotohen). Ngjarjen e tregon Kab ibn Malik h: “Prej të gjithë atyre që munguan, i Dërguari i Allahut ﷺ i ndaloi muslimanët që të na flasin neve të treve. Njerëzit na u larguan dhe e ndryshuan sjelljen (ndaj nesh), saqë edhe toka m’u bë si e huaj, si të mos ishte ajo që e njihja. Kështu qëndruam pesëdhjetë net. Dy shokët e mi qëndronin të mbyllur në shtëpitë e tyre dhe qanin, ndërsa unë isha më i ri dhe më i fortë se ata, andaj dilja dhe falesha me muslimanët. Sillesha nëpër tregje, por askush nuk më fliste. Shkoja tek i Dërguari i Allahut ﷺ teksa ishte në ndejë pas namazit, i jepja selam dhe thosha me vete: A i lëvizi buzët për të ma kthyer selamin a jo? Pastaj falesha afër tij, ndërkohë që vidhja me sy, e, kur lidhesha në namaz, ai kthehej nga unë, por, kur unë kthehesha nga ai, ai kthehej tjetërkah. Pasi u zgjat ky bojkotim i njerëzve ndaj meje, shkova dhe kapërceva murin e kopshtit të Ebu Katades, i cili ishte djali i axhës tim dhe njeriu më i dashur tek unë. I dhashë selam, por, për Allahun, nuk ma ktheu selamin. Atëherë, unë i thashë: O Ebu Katade! Po të përbej në Allahun, a e di se unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij?! Por, ai heshti. Unë sërish iu përbeva, por ai prapë heshti, pastaj prapë iu përbeva, e ai tha: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Atëbotë më rrodhën lotët, u ktheva dhe e kapërceva murin… – Pastaj e vazhdoi tregimin:- Pas kësaj qëndrova edhe dhjetë net, derisa u plotësuan pesëdhjetë sosh që kur i Dërguari i Allahut ﷺ i ndaloi njerëzit që të na flasin. Pasi e fala namazin e sabahut, në mëngjes të natës së pesëdhjetë, kur isha në kulmin e një prej shtëpive tona, teksa isha ulur në atë gjendje që e ka përmendur Allahu: shpirti më ishte ngushtuar dhe toka më ishte ngushtuar përkundër gjerësisë së saj, e dëgjova thirrjen e një lajmëtari që kishte hipur mbi kodrën Selë dhe thërriste me zë shumë të lartë: O Kab ibn Malik! Përgëzohu!…”[14]

Tregimi në vete përmban dobi të mëdha, këshilla të dobishme që myslimanin e gëzojnë dhe ia zgjerojnë gjoksin. Ngjarjen e plotë dhe dobitë e saj mund ta lexoni në shumë libra, ndër to në “Zadul Mead” të Ibn el-Kajimit, “Fet’hul Bari” që është koment i Sahih el-Buhari, etj.

Argument tjetër që dëshmon se Pejgamberi ﷺ, mbështetej nganjëherë në këtë metodë është hadithi që e tregon Aisha i, e cila thotë: “Nuk kishte cilësi më të urryer te Pejgamberi ﷺ, se gënjeshtra. Kur dikush fliste gënjeshtër në prani të Pejgamberit ﷺ, vazhdonte Pejgamberi ﷺ, të ndjejë në vete (zemërim ndaj atij që gënjeu), derisa ta kuptonte se personi në fjalë është penduar nga ajo gënjeshtër.”[15]

Sipas një versioni tjetër: “…vazhdonte Pejgamberi, ﷺ, të ndjejë në vete ndaj tij zemërim…”[16]

Sipas një versioni tjetër: “Nuk ka pa diçka nga gënjeshtra te ndonjëri nga shokët e tij, veçse i ngushtohej shpirti, derisa që e shihte se personi në fjalë është penguar nga ajo gënjeshtër.”[17]

Sipas një versioni tjetër: “Pejgamberi ﷺ, kur e shihte që dikush nga familjarët e tij fliste gënjeshtër, largohej prej tij derisa ai të pendohej nga ajo gënjeshtër.”[18]

Nga këto hadithe të lartpërmendura bëhet e qartë se bojkotimi i atij që gabon derisa të kthehet nga gabimi i tij është metodë edukative e dobishme, mirëpo që të arrihet dobia patjetër duhet që personi i cili bojkoton të ketë pozitë dhe vlerë në zemrën e atij që e bojkoton, përndryshe ky veprim nuk do të ketë ndikim pozitiv, madje gabimtari kur e sheh që po bojkotohet ndoshta do të ndjehet rehatshëm.


[1] Buhariu (1127), Muslimi (775). Fjalët e Aliut h, kanë disa domethënie. Për më shumë lexo në el-Fet’hul Barij (7347).

[2] Buhariu (6259), Muslimi (2494).

[3] Humusi është një e pesta që ndahet nga plaçkat e luftës. Plaçkat e luftës ndahen në pesë pjesë, katër prej tyre janë për luftëtarët, ndërsa pjesë e fundit ndahet po ashtu në pesë pjesë, ashtu siç Allahu thotë: “Ta dini se çfarëdo që të fitoni si plaçkë e luftës, një e pesta i takon Allahut, të Dërguarit dhe farefisit të tij, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarit (që ka ngelur në rrugë)…” (El-Enfal: 41); do të thotë që 4 përqindë e plaçkave të luftës i takon të Dërguarit, ﷺ, dhe farefisit të tij. (sh.p.)

[4] Gjineshtër është term në botanikë; shkurre me degë të holla gjithmonë të blerta, me gjethe të rralla, me lule të verdha në vile e të merme dhe me frytin si bishtajë; degët e kësaj bime që përdoren për të thurur ose për të nxjerrë prej tyre fije të forta. Shih: https://fjalorthi.com/gjinesht%C3%ABr (sh.p.)

[5] Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për qëllim është se qau nga mërzia e madhe që e preku atë. Në një transmetim tjetër të Ibn Xhurejxhit, tregohet që Aliu ka thënë: E pash një pamje trishtuese; që do të thotë më ka zbrit një bela e madhe, trishtuese, për shkak se në ato momente i shkoi mendja te dasma se ajo do të vonohet shkaku i humbjes së deveve që shpresonte me to të punojë dhe të fitojë për zijafetin e dasmës, apo nga frika se mos t’i hyjë në hak gruas së tij, e jo veç thjesht për shkak të humbjes së deveve të tij.” (Fet’hul Barij: 6/200).

[6] Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Thuhet që për qëllim e pati se babai i tij Abdulmutalibi ishte gjyshi i Pejgamberit ﷺ, dhe i Aliut h. Gjyshit i thuhet zotëri, që nënkupton se Hamza h, dëshiroi të krenohet para tyre se është më afër tyre me Abdulmutalibin.” (Fet’hul Barij: 6/200).

[7] Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “U tërhoq mbrapa; për qëllim është eci nga mbrapa, dhe këtë e veproi nga frika që mos ti tejkalojë kufijtë Hamza në gjendje të dehur, e të kalojë nga fjalët në vepra. Këtë ecje nga mbrapa e bëri që ta shoh Hamzan, se mos vepron diç, e ta mbroj veten nga ai.” (Fet’hul Barij: 6/200).

[8] Buhariu (3091), Muslimi (1979).

[9] Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për këtë arsye nuk e morri në llogari Pejgamberi ﷺ, Hamzën për fjalët e tij.” (Fet’hul Barij: 6/200).

[10] Buhariu (2375), Muslimi (1979).

[11] El-Musned (5/289), shejh Albani në et-Talikat el-Hisan ala Sahih Ibn Hiban (5941) tha që hadithi është i saktë.

[12] El-Muxhteba (8/170), Albani e saktësoi në Sahih Sunen en-Nesaij.

[13] El-Musned (6518), Albani e saktësoi në Adab ez-Zefaf (fq. 217).

[14] Buhariu (4418), Muslimi (2769).

[15] Tirmidhiu (1973), dhe e vlerësoi të mirë.

[16] El-Musned (6/152).

[17] Ibn Sad në et-Tabakat (1/285), shejh Albani e saktësoi në es-Silsiletu es-Sahiha (2052).

[18] Ibn Abdulbir në et-Temhid (1/69), shejh Albani e saktësoi në Sahih el-Xhami’ (4675).

Irfan Jahiu

WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_F

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *