Në kulturat me trashëgimi vlerësimi, secili brez pretendon ose e shkruan historinë e letërsisë nacionale. Kjo është e nevojshme dhe e domosdoshme, sepse historia e letërsisë dhe letërsia vetë nuk janë një e dhënë e përhershme dhe e pandryshueshme, por kuptimi i tyre zgjerohet dhe pasurohet sa me hyrjen e veprave të reja në këtë rrjet, aq dhe me vlerën e leximeve dhe interpretimeve të brezave të rinj. Ajo është një hartë e vlerave që ndryshojnë dhe që marrin kuptime të reja pas hyrjes në sistem të anëtarëve të rinj. Përvoja e studimeve letrare shqipe në shekullin njëzet (qoftë me pamjen që i dhamë në këtë paraqitje) është një pikënisje për vepra të reja në këtë fushë. Tanimë ekziston një traditë e diskutimit teorik të problemit, si dhe një rezultat i studimeve dhe interpretimeve të autorëve dhe të periudhave të veçanta të kësaj letërsie. Pra, nëse secili brez e shkruan historinë e vet, edhe ky brez duhet ose pritet ta shkruajë historinë e vet.
Dihet që problemet më të ndërliqshme të letërsisë shqipe shfaqen në shekullin njëzet, që paraqet paradoksin më të madh kulturor të letërsisë shqipe: është shekulli kur krijohen vlera fundamentale letrare e në të njëjtën kohë është shekull kur nga historia e letërsisë përjashtohen pikërisht këto vepra fundamentale. Mbasi ky kriter përjashtues ideologjik tutje nuk funksionon, atëherë është udha e hapur që të shkruhet historia e letërsisë shqipe me kritere letrare, si shkencë e suksesioneve apo e transformimeve, si shkencë e temave, stileve e ideve, si shkencë e të dhënave letrare dhe e vlerësimeve.
Këto dhe metodat janë të hapura për periudhat letrare, formacionet stilistike, tipologjitë letrare, shkollat letrare, me një fjalë gjithë instrumentariumi për të krijuar ligjësinë tërësore të kësaj letërsie. Është krijuar dhe një radhë e studimeve relevante letrare në dy deceniet e fundit për autorët që ishin përjashtuar nga sistemi letrar. Kemi parasysh studimet për Gjergj Fishtën (A. Plasari, S. Hamiti, A. Berisha, K. Shala, B. Kosumi), për Faik Konicën (S. Hamiti, J. Kastrati), për Bilal Xhaferrin (S. Hamiti, K. Shala), për Ernest Koliqin (A. Berisha, K. Rrahmani, Dh. Shehri, S. Hamiti), për Mitrush Kutelin (S. Hamiti, A. Plasari, K. Shala, S. Bashota, N. Krasniqi) për Anton Pashkun (S. Hamiti, A. Berisha, K. Shala, N. Krasniqi) për Zef Skiroin (Mandala, A. Berisha, S. Hamiti, E. Kryeziu), për Zef Zorbën (S. Hamiti), për Martin Camajn (A. Berisha, Y. Berisha, Xh. Beqiri). Po nënvizojmë këtu vetëm disa nga autorët dhe disa nga studimet.
Studimet letrare shqipe në deceniet e fundit kanë marrë pamjen edhe të studimit të periudhave letrare apo të formacioneve letrare dhe të përfaqësuesve më të mëdhenj të tyre: Ibrahim Rugova, ka shkruar monografinë për Pjetër Bogdanin dhe ka anticipuar ligjësitë për letërsinë e vjetër shqipe; Rexhep Qosja, ka shkruar historinë e letërsisë së romantizmit dhe monografinë për përfaqësuesin e madh të kësaj periudhe Naim Frashërin; Sabri Hamiti, ka shkruar librin për letërsinë moderne shqipe dhe monografitë për disa përfaqësues të saj, duke nisur me Faik Konicën.
Pra, janë shfaqur mundësitë që të shkruhet historia e letërsisë shqipe me kritere letrare, jo më si histori e gjenezës, as si histori e funksionit, por si histori e strukturës letrare. Çështja është të shkruhet tashmë historia e letërsisë shqipe e nivelit akademik, e jo më historia e letërsisë shqipe e nivelit didaktik. Një histori e letërsisë shqipe, ku do të ketë të dhëna, interpretim, sistematizim dhe vlerësim. Meqë jemi në nivel të inicimeve e të konceptimeve të reja rreth historisë së letërsisë shqipe, po rimarr disa venerime, të cilat i pata artikuluar në vitin 1996, pa shtuar e munguar gjë.
- Shkruesi i historisë së letërsisë shqipe do ta ketë parasysh se çdo shkrim kritik për letërsinë është shkrim a posteriori dhe ka vlerë vetëm si i dalë nga analiza e tekstit letrar.
- Shkruesi i historisë së letërsisë shqipe do ta ketë në dijeni se historia e letërsisë nuk është shkencë e suksesioneve, por edhe shkencë e transformimeve dhe përhershmërive.
- Shkruesi i historisë së letërsisë shqipe duhet ta ketë në mendje se letërsia është para së gjithash krijim individual dhe kushtëzohet më fort në raport me veprat pararendëse e me modelet e tyre se sa me lëvizjet shoqërore dhe me ideologjitë.
- Shkruesi i historisë së letërsisë shqipe të re është i vetëdijshëm se ky shkrim do ta shpjerë më fort kah një histori e poetikës se kah një histori e ideve.
- Shkruesi i historisë së letërsisë shqipe gjatë kërkimit të cilësisë themelore letrare, literaritetit, do të arrijë në përfundimet për historinë e transformimit të ligjërimeve dhe të zhvillimit të formave e të gjinive letrare.
- Më është mbushur mendja që historinë e letërsisë shqipe e ka përpara ai që e shkruan historinë e letërsisë shqipe të shekullit njëzet.
Burimi: HISTORIA E LETËRSISË SHQIPE
Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK