Për të shpjeguar konceptet e programimit gjuha python është ndër më të përshtatshmet për të filluar. Python është një gjuhë që mund të mësohet lehtë nga fillestarët. Ajo që e bën më të lehtë është edhe ngjashmëria me gjuhën natyrale.

Python përdoret nga qindra mijëra programues në të gjithë botën. Le të përmendim disa nga sukseset e kësaj gjuhe: Python përdoret në programet e rrjetit, biznes, shkencë, financë, edukim, lojra etj. Google, hartat dhe grupet e Yahoo, Nasa, IBM, Nokia përdorin në një pjesë të mirë të tyre gjuhën Python. Universitetet më të mira të Shteteve të bashkuara të Amerikës përdorin në programet e tyre mësimore gjuhën e programimit Python, ku mund të përmendet MIT.

Python u krijua nga Guido von Rossum në fund të vitit 1989 dhe u përhap në fillim të 1991. Menjëherë kur degjojmë emrin python na vjen ndër mend gjarpri, por në fakt emri i kësaj gjuhe programimi vjen nga një serial komik televiziv britanik i titulluar “Cirku fluturues i Monty Python”, që shfaqej në kanalin BBC gjatë viteve 1969-1974.

Python mban vulën e Guido von Rossum, por sigurisht që kanë kontribut për përmirësimin dhe zhvillimin e saj si gjuhë, programues të shumtë.

Për të mësuar gjuhën python do të përdorim paraqitjen vizuale të programit, kështu hapni IDLE (Python GUI) . Në programim IDE ( Integrated Development Environment) quhet programi që i mundëson programuesit të shkruajë, testojë, dhe kompilojë programet sa më lehte. IDE e gjuhës python është krijuar nga vetë autori i gjuhës van Rossum dhe quhet IDLE.

Me këtë program do të punojmë për të shpjeguar konceptet e programimit. Siç e shihni edhe vetë, programi ka shumë menu (file, edit, shell etj.), më vonë do të shohim se ka goxha lirshmëri në të shkruar duke përdorur ngjyrat për tekstin për fjalë të caktuara etj.

Programi i parë

Nëse në shtëpi apo zyrë dokumentet ruhen në sirtarë apo bibliotekë, në botën e kompjuterave gjërat funksionojnë pak a shumë po njëlloj. Ndarja që u bëhet librave apo dokumenteve në shtëpi, nuk është aq strikte sa në kompjuter. Zakonisht në bibliotekat e shtëpive, njerëzit i ndajnë librat sipas kategorive (letrarë, shkencorë, publicistikë etj.) duke i vendosur në kate të veçanta, apo akoma më tej duke bërë një ndarje edhe më specifike, nëpër sirtarë në dosje me tituj të veçantë. Ata që kanë vizituar bibliotekat e qyteteve e kanë edhe më të qartë ndarjen që u bëhet librave.

Dokumentat ruhen, modifikohen dhe fshihen, qofshin në shtëpi apo kompjuter. Dokumentat ruhen në kompjuter sipas llojit që u përkasin: ky lloj dallohet nga prapashtesat që këto dokumenta kanë. Psh. leksion.doc është një dokument i shkruar në MS Word, leksion.py një “shkrim” i shkruar në python. Siç e pamë, ndarja nuk vlen vetëm për dokumentet, por edhe për programet.

Më poshtë do të nisim me mësimin e gjuhës python. Cilido që shpjegon një gjuhë programimi, e nis programin e parë sigurisht me më të thjeshtin e mundshëm, zakonisht të përmbajë sa më pak rrjeshta. Le t’i hedhim një sy kodit burimor, shkurt përdoret thjesht kodi (kod quhen instruksionet që ne shkruajmë për një program):

>> print “Pershendetje!”
Pershendetje!

 

Provoni të shkruani këtë rresht kodi në IDLE dhe shtypni butonin enter në tastierë ( simboli >>> eshte pjesë e IDLE dhe nuk duhet ta shkruani; ky simbol do të përdoret dhe në vijim në shembujt e këtij libri). Ky program shfaq në ekran, përmes fjalës kyçe print, tekstin që ne shkruajtëm midis thonjzave. Thonjzat nuk janë një vendim i marrë nga ne, por një detyrim i mirëpërcaktuar nga krijuesit e gjuhës, pra një rregull.

Familjarizimi me IDLE

Simboli >>> i përmendur më lart tregon se IDLE është hapur në atë që quhet mënyra interkative e ekzekutimit te programeve. Kjo do të thotë se komandat ( si psh. print “Pershendetje!”) duhet t’i shkruajmë një nga një dhe t’i ekzekutojmë menjëherë duke shtypur enter. Pasi shtypim enter komanda jonë ekzekutohet dhe simboli >>> shfaqet sërish ne IDLE për të na treguar se është gati që ne të shkruajmë një komandë tjetër.

Kur programojmë sidomos programe të mëdha, kodet nuk janë të thjeshta, ato shpesh përbëhen nga mijëra rrjeshta. Kështu është e nevojshme që t’i ruajmë kodet tona, pasi nuk mund të përfundojmë një program për një kohë të shkurtër. Duke klikuar tek File > New File një dritare e re do të hapet ku mund të shkruajmë një program më të gjatë. Për momentin mund të shkruani edhe një herë të njëjtin program që shkruam më parë në dritaren interaktive ( print “Pershendetje!”) dhe duke klikuar File > Save programi do të ruhet ne kompjuter si çdo dokument tjetër.

Për të rishikuar kodin e ruajtur shkoni tek File > Open. Në këtë moment ju shikoni kodin që keni shkruar. Ky kod nuk bën asgjë, pra nuk shkruan në ekran përshëndetjen që ne shkruam. Për të ekzekutuar kodin duhet të veprojmë kështu: shkoni tek Run > Run Module, ose mund të përdoni kombinimin me tastierë Ctrl+F5. Programi do të ekzekutohet sërish ne dritaren interaktive te IDLE.

 

Përmblodhi dhe përshtati:

WWW.STUDENTET.MK

About Author