Në sheshin e një qyteti mesjetar, aty ku bëhet pazari, një sharlatan i veshur tërë salltanet mburret se t’i shkul dhëmbët pa pikë dhembjeje. Ndihmësi i tij, që gjoja ka frikë, i afrohet dhe shkulësi i dhëmbëve bën sikur i heq dhëmballën. Pastaj e tregon dhëmballën e gjakosur që ta shohin gjithë sa janë rreth e rrotull. Sakaq, kujtdo që vuan nga dhëmbët i bëhet ftesa të japë paratë dhe të lërë dhëmbët.

Daullet dhe boritë mbysin ulërimat e tyre që të mos u ndërrohet mendja të tjerëve. Ndonjëherë, brenda pak ditësh dëgjohet për raste infeksionesh të rrezikshme, por sharlatani ia ka mbathur qëkuri. SOT janë të paktë ata që dhembja e dhëmbëve i detyron të bien në duart e mashtruesve të tillë. Dentistët e sotëm mund ta kurojnë dhembjen e dhëmbëve dhe shpesh arrijnë ta parandalojnë heqjen e tyre.

Prapëseprapë, shumë veta kanë frikë të shkojnë te dentisti. Po të hedhim një vështrim në të kaluarën dhe të shohim si mësuan dentistët t’i shpëtonin pacientët nga dhembjet, kjo mund të na ndihmojë ta vlerësojmë stomatologjinë e ditëve tona. Thuhet se pas gripit, prishja e dhëmbëve është sëmundja e dytë më e përhapur. Por ajo nuk u shfaq sot.

Vargjet e mbretit Solomon zbulojnë se në Izraelin e lashtë, dihej se të moshuarit i priste sikleti që ndien kur të mbeten pak dhëmbë. Edhe zonja me famë vuante ndonëse ishte mbretëreshë e Anglisë, edhe Elizabeta I nuk i shpëtoi dot dhembjes së dhëmbëve. Një vizitor gjerman që e pa me kujdes dhëmbin e saj të nxirë, tha se ky problem haset shpesh tek anglezët, ngaqë e përdorin shumë sheqerin.

Në dhjetor të vitit 1578, dhembja e dhëmbit e torturonte mbretëreshën natë e ditë. Mjekët e saj e këshilluan ta hiqte dhëmbin e sëmurë, por ajo nuk pranonte, ndoshta nga frika e dhembjes. Për t’i mbushur mendjen, Xhon Elmeri, peshkop i Londrës, hoqi në prezencë të saj një dhëmb, mbase një të prishur. Ky ishte një gjest fisnik, pasi këtij burri të moshuar i kishin mbetur pak dhëmbë. Asokohe kush kishte nevojë të hiqte ndonjë dhëmb nga populli i thjeshtë, shkonte te berberi ose edhe te kovaçi.

Por, kur u shtuan njerëzit që kishin mundësi ekonomike të blinin sheqer, u shtuan edhe problemet me dhëmbët e po kështu edhe nevoja për njerëz që dinin t’i shkulnin. Për rrjedhojë, disa mjekë dhe kirurgë filluan të interesoheshin për trajtimin e dhëmbëve të sëmurë. Por u duhej të mësonin vetë, sepse ekspertët, i ruanin me xhelozi sekretet e zanatit. Veç kësaj, ishin të paktë librat për këtë temë. Një shekull pas Elizabetës I, Luigji XIV u bë mbret i Francës.

Pjesën më të madhe të jetës vuajti nga dhëmbët dhe më 1685, tashmë i kishte hequr të gjithë dhëmbët e sipërm në të majtë. Disa thonë se infeksionet e dhëmbëve që pati mbreti shpjegojnë arsyen e vendimit shkatërrimtar që mori atë vit për heqjen e lirisë së fesë në Francë, akt që ngriti një dallgë përndjekjesh mizore kundër pakicave fetare.

Përshtati dhe përmblodhi

STUDENTET.MK

About Author