Caktimi i kufirit ku përfundon sjellja normale, e ku fillon sjellja jonormale, gjithnjë e më tepër tregohet si nevojë, posaçërisht në praktikën psikiatrike gjatë ekspertizave mjekoligjore, respektivisht gjatë vlerësimit të vetëdijshmërisë së një personaliteti. Shumë psikiatër dhe psikologë u përpoqën ta sqarojnë sjelljen normale dhe shumica prej tyre pajtohen se vënia e një kufiri rigoroz ndërmjet sjelljes normale dhe sjelljes jonormale, është i pamundur.
Më shpesh në mjekësi, nocionet normalitet dhe shëndet barazohen. Organizata Shëndetësore Botërore e jep këtë përkufi zim për shëndetin: Shëndeti është gjendje e mirëqenies së plotë fizike, psikike dhe sociale, e jo vetëm mungesë e sëmundjes dhe pafuqisë. Sipas kësaj, personaliteti normal apo i shëndoshë do të ishte ai që nuk ka dhimbje dhe vështirësi, që nuk i janë zvogëluar aftësitë e punës, në mënyrë subjektive mirë ndihet dhe nuk tregon varfëri mentale, e as sjellje agresiviteti. Mirëpo, ky përkufizim nuk mund tërësisht të zbatohet në psikiatri, nga arsyeja e rëndomtë se njeriu mundet subjektivisht të ndihet mirë, e në këtë të fshihet një sëmundje e rëndë shpirtërore. Normaliteti i njeriut, sipas Melania Klajn, do të thotë integrimi optimal i kapaciteteve të personalitetit.
Kjo i jep përparësi: pjekurisë emocionale, forcës së karakterit, aftësisë për zgjidhjen e situatave të konfliktit, shkallës së baraspeshës së vendosur ndërmjet personalitetit dhe mjedisit dhe sjelljes së tij si tërësi integruese. Neoanalisti Saliven konsideron se, elementi i rëndësishëm në vlerësimin se nëse edhe në këtë shkallë një personalitet është normal, është aftësia e tij t’i përshtatet njerëzve tjerë, mjedisit në të cilin jeton dhe t’i pranojë dhe vlerësojë vlerat kulturore në këtë mjedis. Janë interesante hulumtimet e Oferit, që punoi në problemin e shëndetit mental të njerëzve të rinj në lidhje me nocionin e normalitetit. Ai i jep këto kritere:
– mungesën e çfarëdo patologjie, respektivisht çrregullimet psikike dhe trupore;
– personi përvetëson dhe zgjidh detyra në zhvillimin pa regresion;
– emocionet i përjeton në mënyrë përkatëse, fleksibile dhe këto i kontrollon;
– konfl iktet i zgjidh me sukses dhe me mend;