Derisa koronavirusi po ngulfat botën, ne kthehemi në histori, gjegjësisht në zbulimet shkencore të Ibn Sinës. Me ekspertizë në shumë fusha, nga mjekësia dhe astronomia e deri në matematikë dhe teologji, Ibn Sina ishte një polimat musliman dhe babai i mjekësisë së hershme moderne. I njohur gjithashtu si Avicena në Perëndim, ai zotëronte një mendje të shkëlqyeshme shkencore që luajti një rol themelor në frenimin e sëmundjeve infektuese shumë të frikshme, një mijë vjet më parë.

Në një kohë kur bota moderne po lufton me pandeminë e koronavirusit, hapi i parë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ndërmori drejt rrafshimit të kurbës së rasteve pozitive të koronavirusit ishte të insistonte në vendosjen e metodës së karantinës, e cila u shpik nga Ibn Sina për të trajtuar shpërthimet e transmetimit të sëmundjeve infektuese nga njeriu në njeri.

Në kryeveprën e tij, “Kanuni i Mjekësisë”, e botuar në vitin 1025, Ibën Sina argumentoi se një periudhë 40-ditore e karantinës ishte vitale për të dobësuar përhapjen e infeksioneve ngjitëse.

Në vitet e mëvonshme dhe deri tani, “Kanuni i Mjekësisë” së Ibn Sinës është bërë gurthemeli i mjekësisë moderne, aq sa komuniteti botëror mjekësor e përdori atë si librin kryesor ligjërues për gati 600 vjet. Polimati musliman u dha frymëzim shkencëtarëve mesjetarë dhe të kohërave moderne në periudha të ndryshme, derisa këta të fundit e nderuan Ibën Sinën me emra si Galeni i Islamit, Princi dhe Shefi i Mjekëve dhe Aristoteli i arabëve.

Nga 450 vepra që Ibn Sina besohet të ketë shkruar, 240 kanë mbijetuar. Të paktën 40 nga dorëshkrimet e tij kanë të bëjnë me mjekësinë. Përveç ‘Kanunit të Mjekësisë’, kryevepra e tij e dytë është ‘Libri mbi Shërimin’, i cili konsiderohet të jetë enciklopedia më e madhe e shkruar nga një njeri, një studim i madh për shkencën, fenë dhe filozofinë.

Ibn Sina ishte i pari që zbuloi se mikrobet shkaktojnë sëmundje, shpjegoi arsyet dhe proceset se si njerëzit zhvillojnë verdhëza dhe infeksione serioze bakteriale. Ai përdori teknikën e qetësimit derisa intervenonte në disa sëmundje të brendshme të rrezikshme për jetën. Ai gjithashtu shpiku metodën e diagnostikimit të diabetit duke matur shkallën e sheqerit në mostrat e urinës.

Lindur në një fshat në Uzbekistanin e ditëve të sotme, në verën e vitit 980, Ebu Ali Husein Ibn Sina u rrit në një familje të prosperuar. Babai i tij ishte një guvernator dhe studiues i njohur në rajon. Ibn Sina mori arsim të gjerë në fushën e shkencës dhe filozofisë. Ai ishte i njohur për kujtesën dhe inteligjencën e tij befasuese.

Në moshën 16 vjeçare, Ibn Sina iu drejtua mjekësisë dhe në dy vitet në vijim, ai u bë mjek. Ai tha se të kuptuarit e mjekësisë nuk ishte një detyrë e vështirë për një matematikan të trajnuar.

“Kanuni i Mjekësisë” së Ibn Sinës luajti një rol vendimtar për ta çuar botën drejt ‘Epokës së Artë Islame’, një periudhë e zhvillimit kulturor, ekonomik dhe shkencor midis shekujve 8 dhe 14. Shkencëtarët që u ngritën me famë në atë epokë bënë zbulime të rëndësishme shkencore nga të cilat përfitoi komuniteti shkencor i epokës moderne.

Burimi: TRT World

Përshtati dhe përktheu

STUDENTET.MK

About Author