Përfitimi kryesor i qasjes së orientuar kah aspektet ndaj zhvillimit të softuerit është se ajo e përkrah ndarjen e interesimeve (separation of concerns). Duke i paraqitur interesimet ndërprerëse si aspekte, interesimet individuale mund të kuptohen, ripërdoren, dhe ndryshohen pa i ndryshuar pjesët tjera të programit.
Lëmshi ndodh kur një modul në një sistem përfshin kod që përfshin kërkesa të ndryshme të sistemit. Fenomeni i ndërlidhur i shpërndarjes ndodh kur implementimi i një interesimi të vetëm është i shpërndarë nëpër disa komponenta në një program.
Aspektet e përfshijnë një pikë prerëse – një deklaratë që e definon se ku do të thuret aspekti në program, dhe këshillën – kodin për ta implementuar interesimin ndërprerës. Pikat e bashkimit janë ngjarjet që mund të referohen në një pikë prerëse.
Për ta garantuar ndarjen e interesimeve, sistemet mund të projektohen si sistem bërthamë që i implementon interesimet parësore të palëve të interesit, dhe një grup të zgjerimeve që i implementojnë interesimet dytësore.
Për t’i identifikuar interesimet, mund të përdorni qasje të orientuar kah pikëpamjet ndaj inxhinierimit të kërkesave për t’i nxjerrë kërkesat e palëve të interesit (stakeholders) dhe për ta identifikuar cilësinë ndërprerëse të shërbimit dhe çështjet e politikave.
Tranzicioni nga kërkesat në projektim mund të bëhet duke i identifikuar rastet e përdorimit, ku secili rast i përdorimit e përfaqëson një interesim të palës së interesit. Projektimi mund të modelohet duke përdorur version të zgjeruar të UML me stereotipe aspekt.
Problemet e inspektimit dhe nxjerrjes së testeve për programet e orientuara kah aspektet janë barrierë e konsiderueshme për adoptimin e zhvillimit të softuerit të orientuar kah aspektet në projekte të mëdha softuerike.
Burimi: Ian Sommerville, Inxhinierimi i softuerit
WWW.STUDENTËT.MK