1. Përkujdesja për ndjenjat e bashkëshortes më të re në moshë e cila dëshiron të luajë dhe të bëjë shaka:
Islami i nxit të dy bashkëshortët për sjellje të mirë dhe dashuri në mes vete. Ne në Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e kemi shëmbëlltyrën më të mirë.
Sjellja e burrit me bashkëshorten duhet të jetë në përshtatshmëri me moshën dhe preokupimet e saj, t’ia plotësojë nevojat e saj në përputhje me rregullat islame.
Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell që luante me lojëra me disa shoqe të saj te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Ato i shkonin Aishes në shtëpi, por kur hynte brenda Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ato fshiheshin (nga respekti për të, pas perdes ose shkonin në shtëpitë e tyre). Aisha thotë: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pastaj (pa e ditur unë) iu thoshte shoqeve të mia të vinin tek unë (që të luanim bashkërisht).”
Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, po ashtu përcjell: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, më mbulonte me petkun e tij dhe unë i shikoja habeshitët duke luajtur në xhami,
derisa nuk lodhesha. Vlerësoni se sa është përkujdesja dhe dëshira e një të reje për lojë dhe zbavitje.”
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Hadithi aludon për moralin e mirë dhe sjelljen bujare të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me familjen e tij, si dhe aludon për vlerën dhe pozitën e lartë të Aishes në zemrën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.”
2. Përkujdesja për ndjenjat e shërbëtorit dhe të voglit në moshë i cili e do lojën:
Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte njeriu me moralin më të mirë. Një ditë nga ditët më dërgoi për një nevojë të tij, a unë në vete thashë: Pasha Allahun nuk do të shkoj (tani, por më vonë, që të luaj pak)! Nuk e kisha për qëllim që ta thyeja urdhrin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, unë doja ta zbatoja urdhrin, por jo menjëherë, po pak më vonë. Kur dola në rrugë, kalova pranë disa fëmijëve që luanin në treg, u ndala edhe unë të luaja me ta. Si isha duke luajtur, vetëm kur Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, më kapi nga pas në qafë. Kur e ktheva kokën e pashë që ai po qeshte. Më tha: ‘O Enes! A ende nuk shkove atje ku të urdhërova?’ I thashë: O I Dërguari i Allahut, jo ende nuk kam shkuar. Ja tani po nisem dhe po shkoj.”
Enesi thotë: “Pasha Allahun, isha në shërbimin e tij për nëntë vjet, nuk di që ndonjëherë më ka thënë për diçka që e kam bërë se pse e bëre këtë apo atë! Ose për diçka që e nuk e kam bërë se pse nuk e bëre këtë apo atë!”
Hadithi është argument që aludon se feja islame përkujdeset për të drejtat e shërbëtorit, i paralajmëron të tjerët nga përbuzja, nënçmimi dhe mosngarkimi i tij me gjëra që e rëndojnë atë.
Pasi që në periudhën e fëmijërisë shpirti anon më shumë kah loja dhe relaksimi se në çdo periudhë tjetër të jetës, prandaj Islami nuk e shpërfilli këtë periudhë. Shikoje gjendjen e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me të vegjlit.
Abdullah ibën Shedad përcjell se prindi i tij tha: “Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, doli për namazin e akshamit ose jacisë, me vete e kishte marrë njërin nga nipat e tij Hasanin apo Husejnin. Para se t’u printe njerëzve për në namaz, e uli fëmijën në tokë. Pastaj filloi me namazin dhe kur ra në sexhde, qëndroi gjatë në të. Abdullah ibën Shedad thotë që babai i tij tregoi se e ngriti kokën dhe e pa fëmijën që kishte hipur mbi shpinën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke qenë ai në sexhde. U ktheva menjëherë në sexhde dhe Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pasi që e përfundoi namazin njerëzit i thanë: ‘O I Dërguari i Allahut! Gjatë namazit kur ishe në sexhde, qëndrove aq gjatë, saqë menduam që ka ndodhur diçka ose që ka zbritur shpallje.’
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: ‘Nuk ka ndodhur ashtu si keni menduar, por nipi im më hipi mbi shpinë dhe nuk desha që ta nguti derisa ta përfundonte lojën e tij’.”
3. Përkujdesja për ndjenjat e shërbëtorit që shërben dhe kuzhinierit që gatuan:
Përkujdesja për ndjenjat e tyre është nga Islami dhe edukata e tij. Megjithatë përsëri gjen një numër të konsiderueshëm njerëzish që e përbuzin këtë edukatë dhe me shërbëtorin sillen me sjellje të keqe që përmban ashpërsi, vulgaritet dhe përbuzje, edhe pse shërbëtorëve iu jepen përgjegjësi të mëdha dhe ata kryejnë punë të mëdha në shtëpitë ku shërbejnë. Të jetë në shërbimin tënd dikush është dhunti e Allahut, megjithatë ata i harrojnë mirësitë e Allahut dhe u bëjnë padrejtësi atyre që shërbejnë. Po të donte Allahu, do t’i bënte ata të shërbejnë e jo të jenë të shërbyer.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kur shërbëtori ta sjellë ushqimin, nëse nuk e ul me ty të hani së bashku, jepja një apo dy kafshata, ose një apo dy porcione, sepse ai e ka shijuar nxehtësinë e ushqimit, e ka bërë gati dhe e ka shërbyer atë.” Kjo edukatë që nxit Islami është me shërbëtorin skllav, po si ta merr mendja që duhet të jetë me ata shërbëtorë të lirë joskllevër ose me atë që paguhet e merr rrogë?!
Ebu Mesud El-Ensarij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Isha duke e rrahur shërbëtorin, kur e dëgjova një zë që erdhi prej pas meje: ‘Dije o Ebu Mesud, se Allahu është më i plotfuqishëm ndaj teje sesa që ti je ndaj skllavit tënd.’ Kur u ktheva, ishte zëri i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i thashë: O I Dërguar i Allahut, ai është i lirë për hir të Allahut. Më tha: ‘Nëse nuk do ta liroje për hir të Allahut, kishte për të të djegur zjarri (në Ditën e Kiametit) ose do të të kapte zjarri (në Ditën e Kiametit)’.”
Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë që e dëgjova Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke thënë: “Kush e rrah skllavin e tij padrejtësisht, për të nuk ka shpagim derisa nuk e liron skllavin e tij.”
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK