ÇFARË ËSHTË LEUKEMIA?

Leukemia është një kancer i gjakut i shkaktuar nga një rritje e numrit të qelizave të bardha të gjakut (leukocitet) në trupin tuaj. Këto qeliza të bardha të gjakut shtyejnë jashtë qelizat e kuqe të gjakut dhe trombocitet për të cilat trupi juaj ka nevojë për të qenë i shëndetshëm. Ndërsa qelizat e bardha shtesë të gjakut nuk funksionojnë siç duhet.

SIMPTOMAT E LEUKEMISË

Llojet e ndryshme të leukemisë mund të shkaktojnë problem dhe simptoma të ndryshme. Ju mund të mos vini re ndonjë shenjë në fazat e hershme të disa formave të leukemisë. Kur keni simptoma, ato mund të përfshijnë:

  • Dobësi apo lodhje
  • Mavijosje ose gjakderdhje e lehtë
  • Ethe ose të dridhura
  • Infeksione që janë të rënda ose që vazhdojnë të kthehen dhe të përsëriten
  • Dhimbje në kockat ose kyçet tuaja
  • Dhimbje koke
  • Të vjella
  • Konvulsione
  • Humbje peshe
  • Djersitje natën
  • Frymëmarrje e shkurtër
  • Nyjet limfatike ose organe të fryra, si shpretka juaj
SHKAQET DHE FAKTORËT E RREZIKUT TË LEUKEMISË

Askush nuk e di saktësisht se çfarë e shkakton leukeminë. Njerëzit që e kanë atë, kanë kromozome të caktuara të pazakonta, por vetëm ato kromozomet nuk shkaktojnë leukemi.

Ju nuk mund ta parandaloni leukeminë, por disa gjëra mund ta shkaktojnë atë, sikur:

  • Pirja e duhanit
  • Të ekspozuarit e shumtë ndaj rrezatimit ose kimikateve të caktuara
  • Terapi me rrezatim ose kimioterapi për të trajtuar kancerin
  • Histori familjare të leukemisë
  • Çrregullim gjenetik si sindroma Down
SI NDODH LEUKEMIA?

Gjaku ka tre lloje qelizash: qelizat e bardha të gjakut që luftojnë infeksionin, qelizat e kuqe të gjakut që transportojnë oksigjen dhe trombocitet që ndihmojnë në mpiksjen e gjakut.
Çdo ditë, palca juaj e eshtrave prodhon miliarda qeliza të reja gjaku, dhe shumica e tyre janë qeliza të kuqe. Kur keni leukemi, trupi juaj prodhon më shumë qeliza të bardha sesa i duhen.

Këto qeliza abnormale nuk mund të luftojnë infeksionin siç bëjnë qelizat e bardha normale të gjakut. Dhe për shkak se ka shumë prej tyre, ato fillojnë të ndikojnë dhe komprometojnë funksionin e organeve tuaja.
Me kalimin e kohës, mund të mos keni mjaft qeliza të kuqe të gjakut për tu furnizuar me oksigjen, trombocite të mjaftueshme për të mpiksur gjakun tuaj ose mjaft qeliza të bardha normale të gjakut për të luftuar infeksionin.

KLASIFIKIMI I LEUKEMISË

Leukemitë klasifikohen kryesisht sipas dy kritereve, shpejtësisë me të cilën zhvillohen dhe përkeqësohen, dhe sipas llojit të qelizave të gjakut të përfshira në çrregullim.

Grupi i parë, në bazë të shpejtësisë me të cilën zhvillohet leukemia dhe përkeqësohet gjendja shëndetësore, ndahet në leukemi akute dhe kronike.

  • Leukemia akute ndodh kur shumica e qelizave të gjakut shfaqen jonormale ngase nuk arrin të piqen apo diferencohen dhe rrjedhimisht nuk mund të kryejnë funksionin e tyre të caktuar. Përkeqësimi ndodh shumë shpejt.
  • Leukemia kronike ndodh kur shfaqen disa qeliza të papjekura, por të tjerat janë normale dhe mund të funksionojnë ashtu siç duhet. Përkeqësimi ndodh më ngadalë sesa format akute.

Grupi i dytë, në bazë të llojit të qelizave për të cilat bëhet fjalë, ndahet në leukemi limfocitare dhe mielogjene.

  • Leukemia limfocitare (ose limfoblastike) përfshin qelizat e palcës së eshtrave që bëhen limfocite, një lloj prej disa nga të të ashtuquajturave qeliza të bardha të gjakut.
  • Leukemia mielogjene (ose mieloide) përfshin qelizat e palcës prej të cilat krijohen qelizat e kuqe të gjakut (eritrocitet), trombocitet dhe lloje të tjera të qelizave të bardha të gjakut.
LLOJET E LEUKEMISË

Katër llojet kryesore të leukemisë janë:

  • Leukemia limfocitare akute (ALL). Kjo është forma më e zakonshme e leukemisë te fëmijët. Mund të përhapet në nyjet limfatike dhe në sistemin nervor qendror.
  • Leukemia akute mielogjene (AML). Kjo është forma e dytë më e zakonshme e leukemisë te fëmijët dhe një nga format më të zakonshme për të rriturit.
  • Leukemia limfocitare kronike (CLL). Kjo është forma tjetër më e zakonshme e leukemisë tek të rriturit. Disa lloje të CLL do të jenë të qëndrueshme për vite dhe nuk do të kenë nevojë për trajtim. Megjithatë një numër tjeter I konsiderueshëm I tyre, e bënë trupin tuaj të pamundur që të krijojë qeliza normale të gjakut dhe ju do të keni nevojë për trajtim.
  • Leukemia kronike mielogjene (CML). Me këtë formë, mund të mos keni simptoma të dukshme. Mund të mos diagnostikoheni me të derisa të bëni një analizë të zakonshme të gjakut. Njerëzit 65 vjeç e më shumë kanë një rrezik më të lartë të këtij lloji.
DIAGNOZA E LEUKEMISË

Mjeku juaj do të duhet të kontrollojë për shenja të leukemisë në gjakun ose palcën e eshtrave. Ata mund të bëjnë teste duke përfshirë:

  • Analizat e gjakut. Një numërim i plotë I qelizave të gjakut (CBC) shikon numrin dhe pjekurinë e llojeve të ndryshme të qelizave të gjakut. Poashtu analiza të tjera me të cilat zbulohen qeliza të pazakonta ose të papjekura.
  • Biopsia e palcës së eshtrave. Ky test përfshin palcën e marrë nga kocka juaj e legenit me një gjilpërë të gjatë. Mund t’i tregojë mjekut tuaj se çfarë lloj leukemie keni dhe sa e rëndë është.
  • Punksion lumbal. Kjo përfshin marrjen dhe analizen e lëngjeve nga palca juaj kurrizore. Mund t’i tregojë mjekut tuaj nëse leukemia është përhapur.
  • Testet imazhinerike. Gjërat si CT, MRI dhe skanimet PET mund të dallojnë shenjat e leukemisë.
TRAJTIMET E LEUKEMISË

Trajtimi që merrni varet nga lloji i leukemisë që keni, sa larg është përhapur dhe sa i shëndetshëm jeni. Opsionet kryesore janë:

  • Kimioterapia
  • Rrezatimi
  • Terapia biologjike
  • Terapia e synuar
  • Transplanti i qelizave staminale
  • Kirurgjia

Kimioterapia përdor ilaçe për të vrarë qelizat e kancerit në gjakun dhe palcën e eshtrave. Ju mund të merrni ilaçin:

  • Direkt në venë ose muskul
  • Si një pilulë
  • Në lëngun e palcës kurrizore

Rrezatimi përdor rreze X me energji të lartë për të vrarë qelizat e leuçemisë ose për t’i mbajtur ato nga rritja. Ju mund ta merrni atë në të gjithë ose vetëm në një pjesë të trupit tuaj ku ka shumë qeliza kanceroze.

Terapia biologjike, e quajtur gjithashtu imunoterapi, ndihmon sistemin tuaj imunitar të gjejë dhe sulmojë qelizat e kancerit. Substancat si interleukina dhe interferoni mund të ndihmojnë në rritjen e mbrojtjes natyrore të trupit tuaj kundër leukemisë.

Terapia e synuar përdor barna për të bllokuar gjenet ose proteinat specifike që qelizat e kancerit kanë nevojë për t’u rritur. Ky trajtim mund të ndalojë sinjalet që qelizat e leukemisë përdorin për t’u rritur dhe ndarë, ndërprerë furnizimin e tyre me gjak ose për t’i vrarë ato drejtpërdrejt.

Një transplant i qelizave staminale zëvendëson qelizat e çrregulluara staminale të prodhuara si shkak i leukemisë në palcën e eshtrave me qeliza staminale të reja, të shëndetshme dhe funksionale. Mjeku juaj mund t’i marrë qelizat e reja burimore nga trupi juaj ose nga një donator.

Kirurgjia. Mjeku juaj mund të heqë shpretkën tuaj nëse ajo është e mbushur me qeliza kanceroze dhe është duke ushtruar presion në organet e afërta. Kjo procedurë quhet splenektomi.

Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK

About Author

Admin_S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *