K-15 është regresi për pushim vjetor që i takon punonjësve si shpërblim për punën e tyre gjatë vitit. Punëdhënësi është i detyruar ta paguajë këtë shumë një herë në vit, më së voni deri në fund të vitit kalendarik.
Çfarë ndodh nëse nuk paguhet regresi (K-15)?
Nëse punëdhënësi nuk e paguan regresin, punëtori mund të paraqesë ankesë në Inspektoratin Shtetëror të Punës, për të konstatuar parregullsitë eventuale. Punëtori gjithashtu mund të kërkojë përmes gjykatës kompetente pagesën e shumës që i takon.
Kujt i takon K-15?
Sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin privat në fushën e ekonomisë, e cila është e detyrueshme si për punëdhënësit ashtu edhe për punëtorët në sektorin privat, punëtori ka të drejtë në regres për pushim vjetor nëse ka punuar të paktën gjashtë (6) muaj gjatë vitit kalendarik te i njëjti punëdhënës.
A u takon punonjësve në administratën shtetërore K-15?
Sipas Marrëveshjes Kolektive Sektoriale për organet e administratës shtetërore, shërbimet profesionale të Qeverisë, gjykatat, prokuroritë publike, institucionet ndëshkimore dhe edukative-korrektuese, Avokaturën e Shtetit, komunat dhe qytetin e Shkupit, agjencitë, fondet dhe organet që i themelon Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut – punonjësit që kanë marrëdhënie pune në këto institucione kanë të drejtë në regres për pushim vjetor prej së paku 12.372 denarë neto, nëse kanë punuar të paktën 6 muaj gjatë vitit kalendarik te punëdhënësi.
Sa është K-15 minimal dhe maksimal?
Në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për sektorin privat në fushën e ekonomisë, është parashikuar që regresi për pushim vjetor të jetë jo më pak se 40% e bazës për llogaritjen e pagës së punëtorit.
Nëpërmjet marrëveshjes kolektive në nivel dege apo kompanie mund të caktohet shumë më e lartë se kjo.
Në rastet kur punëdhënësi ka vështirësi financiare, me marrëveshje të nënshkruar midis punëdhënësit dhe sindikatës përkatëse, mund të caktohet shumë më e ulët se ajo e përcaktuar në marrëveshjen kolektive.
Në ndërmarrjet ku nuk ka sindikatë, marrëveshja nënshkruhet me përfaqësuesin e zgjedhur të punonjësve.
Deri kur duhet të paguajnë punëdhënësit K-15?
Regresi për pushim vjetor duhet të paguhet një herë në vit, dhe jo më vonë se fundi i vitit aktual.
Ku mund të drejtohem nëse nuk më paguajnë K-15?
Nëse punëtori mendon se punëdhënësi nuk i ka siguruar të drejtën për regres, mund të paraqesë ankesë në Inspektoratin Shtetëror të Punës, për të konstatuar parregullsitë.
Sipas Ligjit për marrëdhëniet e punës, punëtori mund të kërkojë pagesën e shumës përmes gjykatës kompetente.
A ka kompani që janë të përjashtuara nga pagesa e K-15?
Sipas Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin privat, dispozitat që kanë të bëjnë me regresin për pushim vjetor janë të detyrueshme për të gjithë punëdhënësit në sektorin privat, pra nuk ka përjashtime.
A ka dënime për punëdhënësit që nuk e paguajnë K-15?
Sipas Ligjit për marrëdhëniet e punës, Inspektorati Shtetëror i Punës bën mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve kolektive dhe, nëse konstaton shkelje lidhur me moszbatimin e detyrimit për pagesën e regresit për punëtorët, ndërmerren masat e parashikuara me ligj, përfshirë gjoba dhe masa të tjera administrative.
Shuma minimale për pagesën e regresit për pushim vjetor , sipas ligjit, është përcaktuar në 40% të pagës mesatare të paguar, dhe për vitin 2025 shuma është 18.141 denarë për sektorin privat, ndërsa për sektorin publik shuma është 12.372 denarë.
Përgatiti dhe përmblodhi:
WWW.STUDENTET.MK