Epilepsia është një nga çrregullimet neurologjike më të shpeshta që prek persona të ndryshëm në mënyra të ndryshme. Ndodh në formën e sulmeve të përsëritura të epileptikut. Sulmi i ngjan një stuhie të brendshme. Ndodh papritur, pa asnjë paralajmërim.
Sipas përcaktimit të Organizatës Botërore Shëndetesore (OBSH), epilepsia përcaktohet si një sëmundje kronike e trurit që ka etiologji të ndryshme dhe karakterizohet nga kriza të përsëritura të shoqëruara me shkarkime të tepërta të neuroneve në tru.
Disa prej llojeve të epilepsisë janë:
1.Grand mal: ataku ose sulmi i madh, shfaqet pas zbrazjes abnormale elektrike të korës së trurit e cila manifestohet me humbje të shpejtë të vetëdijes, shtangim të muskujve të trupit dhe shkumën në gojë. Shpesh në fazën e atakut i sëmuri ka urinim të pakontrolluar e më rrallë edhe feces. Pas kësaj, pacienti është pa vetëdije dhe zgjohet gradualisht. Për një kohë ndihet konfuz dhe i përgjumur, por janë të mundshme edhe lëndimet gjatë rënies.
2.Petit mal: ataqe të vogla, më të shpeshta te fëmijët e vegjël. Fëmija і sëmurë rëndom ka shumë ataqe gjatë 24 orëve. Sulmet ndodhin më shpesh në mëngjes dhe gjatë aktivitetit fizik. Atakun e karakterizon pamja e shtanguar dhe dridhjet kohëshkurtra të muskujve (rëndom të fytyrës ose ekstremiteteve).
Simptomat:
1. Aura-nënkupton vërejtjen, parandien, sikur halucinacion i zërit dhe shikimit, ndjenja e erës së çuditshme ose shijes, ndjenja e shtangimit, mundimit të barkut e cila zgjatë disa sekonda.
2. Humbja e vetëdijes
3. Shtangimet e muskujve dhe lirimi në çdo 15 deri 20 sekonda.
4. Gulçim pas atakut dhe apatia
5. Ndonjëherë kokëdhembja.
Veprimet:
* Thirrni mjekun për ndihmë, nëse është e mundur, sa më shpejtë pa humbur kohë.
* Kontrolloni frymëmarrjen, qarkullimin dhe sipas nevojës filloni me veprimet e ringjalljes.
* Nëse i pavetëdijshmi merr frymë, kthejeni në pozitë të krahut. Herë-herë kontrolloni frymëmarrjen.
* Mbuloje të pavetëdijshmin që të evitoni mërdhirjen.
* I pavetëdijshmi guxon të transportohet vetëm në pozitë të shtrirë (në krah).
* Mos tentoni të pavetëdijshmit t’i jepni ushqim ose pije.
* Mos e leni të pavetëdijshmin pa mbikëqyrje.
Tretmani i mëtutjeshëm:
* Derisa jeni duke pritur autoambulancën regjistroni shenjat vitale.
* Shikoni për shenja të traumës me ç’rast duhet të keni kujdes të mos keqësoni lëndimin e medulles spinale.
* Transporti urgjent me përcjellës i cili i zotëron shkathtësitë e reanimimit. Gjatë transportit të keni kujdes për funksionet vitale: frymëmarrjen dhe punën e zemrës (mjeku ose infermierja).
Shkroi: Lirim Ramadani, student i mjekësisë
WWW.STUDENTET.MK