2. Veçimi i gjymtyrëve ndodh për shkaqe të ndryshme, disa prej të cilave janë të përgjithshme, sepse vihen re te të gjitha ose te shumica e gjymtyrëve të veçuara: disa janë të veçanta, sepse u takojnë disa ndërtimeve të caktuara. Veprimi i këtij ose i atij faktori varet jo vetëm nga lloji i gjymtyrës, por edhe nga tipat kuptimorë e stilistikë brenda çdo lloji gjymtyre. Shkaqet e veçimit të gjymtyrëve shumë herë bashkëveprojnë.
2.1. Shkaqet e përgjithshme të veçimit janë këto:
2.1.1. Ngarkesa më e madhe kuptimore dhe stilistike që bart gjymtyra e veçuar, në të cilën gjen shprehje nevoja e vënies në dukje, e spikatjes së një tipari a rrethane. Për këtë shkak veçohen:
2.1.1.1. përcaktorët:
Përgjegjësi vuri re se Dini, i pakënaqur, deshi të fliste diçka. Qentë e lagjes, të alarmuar, bënë një potere të madhe.
Përcaktorët që veçohen për shkak të ngarkesës së tyre kuptimore e stilistike, e shprehin veçimin e tyre nëpërmjet intonacionit, por herë – herë edhe nëpërmjet rendit të pazakonshëm të tyre, duke u vendosur para emrit a përemrit që përcaktojnë:
I zemëruar, Çuçi u mat të shfrynte, po nuk arriti. I dëshpëruar, Dini përplasi shkopin pas raftit;
2.1.1.2. ndajshtimet që ngërthejnë elementin e njoftimit të mbishtuar, si edhe ato që shprehin marrëdhënie përcaktore të gërshetuara me marrëdhënie rrethanore:
I shoqi, çibukçi, pat qenë i varfër shumë. Poet patriot dhe demokrat, Asdreni zë një vend me rëndësi në letërsinë e re shqipe:
2.1.1.3. rrethanorët, sidomos ata që shprehin marrëdhënie rrethanore të mirëfillta. Veçimi i rrethanorëve të këtij nëntipi shprehet gramatikisht edhe me anë të rendit. duke u vënë përpara kallëzuesit, në krye të fjalisë:
Në mes të kopshtit tjetër, Danës iu pre ore fuqia. Pas pak ditësh, qetësia u prish.
Spikatja e një rrethane, e bashkuar kjo edhe me zgjerimin e rrethanorit, bën që të veçohen edhe ndërtimet me forma të pashtjelluara; Këta gjenden zakonisht para kallëzuesit:
Duke shkoqitur misrin, Selvia kujtoi mbledhjen e fshatit. Me të arritur atje, dëgjoi një zë që po e thërriste në emër;
2.1.1.4. Kundrinat:
Bashkë me Nazmiun, në këtë grup merrja pjesë edhe unë. Nëpërmjet lodrës, autori i njeh lexuesit e vegjël me të vërtetat e kohës.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe