Me këto raporte bashkohen gjymtyrë që shprehin nocione zakonisht të papajtueshme, që përjashtojnë njëri-tjetrin, plotësisht a pjesërisht. Nga kjo dallohen dy lloje të këtyre gjymtyrëve homogjene:

  • veçueset e mirëfillta, kur nocionet e shprehura prej gjymtyrëve homogjene përjashtojnë njëri-tjetrin ose prej vargjeve të tyre duhet zgjedhur njëri syresh
  • veçueset alternative, kur nocionet përjashtojnë njëri-tjetrin vetëm në disa kushte dhe jo absolutisht: ajo që shprehin ato s’mund të realizohet në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë

Gjymtyrët homogjene veçuese mund të jenë edhe më shumë se dy: numri i tyre, po ashtu si i këpujoreve, është i hapët: Kjo ndjenjë nxirrte krye herë me një ftohtësi të akullt, herë me ato mungesat e gjata të Zikut, herë me zënka e sherre të ndryshme.

Gjymtyrët homogjene veçuese bashkohen përgjithësisht me lidhëza bashkërenditëse veçuese. Mund të bashkohen edhe asindetikisht në vargjet trigjymtyrëshe e lart, në kombinim me bashkimin lidhëzor, duke u bashkuar me lidhëz veçuese gjymtyra e fundit me të parafundit.

Për bashkimin e gjymtyrëve homogjene veçuese përdoren gjerë edhe fjalë të përsëritura, me vlerë lidhëzash të bashkëlidhura ose fjalësh lidhëse, sidomos ndajfolje, duke u realizuar edhe forma lidhjeje që qëndrojnë midis bashkimit asidentik e atij lidhëzor.

Nocionet e dhëna prej gjymtyrëve homogjene veçuese të mirëfillta ianë përgjithësisht të kundërta, të kundërvëna ose të ndryshme njëri prej tjetrit nga ndonjë pikëpamje. Ndër to një vend të veçantë zënë nocionet logjikisht të papajtueshme, të shprehura qoftë me fjalë antonime a të kundërta, qoftë me kundërvënie të paraqitjeve mohuese a pohuese të të njëjtit nocion.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

About Author

Admin_S