1. Përkujdesja për ndjenjat e atij që gabon pa e shpalosur identitetin e tij:
Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në shumë raste paralajmëroi që, nëse përmendet gabimi të mos përmendet ai që e veproi gabimin, sepse në përgjithësi qëllimi është të njihet dhe të paralajmërohet nga gabimi.
Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e bëri një vepër, që ishte më e mira dhe më e lehta. Disa nuk u pajtuan me këtë vendim dhe lajmi i shkoi Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Hipi në hutbe, e falënderoi Allahun, pastaj tha: “Çfarë mund të mendohet për disa njerëz që nuk pajtohen me atë që unë e bëra. Pasha Allahun, unë jam më i dituri për Allahun dhe që i frikësohem më shumë Atij.”
Në rrëfimin e Berirës, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Çfarë mund të mendohet për disa njerëz të cilët vendosin kushte që nuk janë në Librin e Allahut. Kush e vendos ndonjë kusht që nuk është në Librin e Allahut, ai kusht është i kotë, edhe nëse ato janë njëqind kushte.”
2. Përkujdesja për ndjenjat e atij që ka gabuar dhe është penduar, ndërkohë e pret ndëshkimin e tij:
El-Mikdad, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Unë dhe dy shokët e mi ishim shumë të uritur, derisa nga uria madhe nuk shihnim e as nuk dëgjonim mirë. Iu dilnim përpara shokëve të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me shpresë që ndonjëri ndoshta do të na ftonte për ushqim, por kjo nuk ndodhi. Erdhëm te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahu qofshin për të, dhe bashkërisht shkuam te shtëpia e tij. Atje kishin qenë tri dhi. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, na tha që t’i milnim ato dhe të pinim nga qumështi. Ne i milnim ato, e pinim secili hisen e vet, ndërsa hisen e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ia linim anash. Ai kthehej natën dhe kur hynte brenda jepte selam. Toni i zërit të tij kur e jepte selamin ishte i tillë që nuk e zgjonte atë që flinte dhe mjaftonte ta dëgjonte ai që ishte i zgjuar. Pastaj shkonte në xhami falej dhe kthehej e pinte hisen e tij të qumështit. Një natë pasi e mora hisen time të qumështit më erdhi shejtani dhe më tha: ‘Muhamedin ensarët e presin me përzemërsi, i japin të hajë e të pijë, ai nuk ka nevojë për këtë sasi të vogël të qumështit.’ Më mashtroi dhe shkova e piva hisen e tij të qumështit. Kur qumështi arriti në lukth dhe e kuptova që më nuk ka kthim, shejtani më bëri të ndieja keqardhje dhe më tha: ‘Mjerë për ty, çfarë bëre. E pive hisen e Muhamedit. Kur të kthehet dhe kur mos ta gjejë hisen e vet të qumështit, do të lutet kundër teje të shkatërrohesh, e ti do ta humbësh dynjanë dhe ahiretin tënd.’ E kisha me vete një petk, kur i mbuloja këmbët më dilte koka jashtë, kur e mbuloja kokën më dilnin këmbët jashtë. Nuk mund të flija, ndërsa dy shokët e mi kishin fjetur, ata nuk pinë nga qumështi sikurse unë. Më vonë erdhi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dha selam si e kishte zakon, hyri në xhami u fal, pastaj shkoi ta pinte hisen e tij të qumështit. Kur e pa që qumështi nuk ishte, e ngriti kokën e tij kah qielli, kurse unë (në vete) thashë se tani do të lutet kundër meje dhe do të shkatërrohem. Por Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u lut duke thënë: ‘O Allahu im, ushqeje atë që më dha ushqim dhe jepi të pijë atij që më dha të pi’.”
3. Përkujdesja për ndjenjat e atij që e ka marrë ndëshkimin dhe është ndëshkuar për shkak të gabimit të tij:
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Kur skllavja bën imoralitet dhe qartësohet veprimi i saj, ndëshkojeni dhe mos e qortoni…”, d.m.th. që nuk ka qortim, sikurse Jusufi, alejhi selam, që tha për vëllezërit e tij: “Sot s’ka qortim për ju….” (Jusuf: 92). Pra, nuk ka qortim, sepse ndëshkimi që merret është shpagim dhe pastrim për të ndëshkuarin.
Ubade ibën Es-Samit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se ishin në mexhlis te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe iu tha: “Ma jepni besatimin që nuk do t’i përshkruani Allahut ortak, që nuk do të vidhni, që nuk do të bëni imoralitet, pastaj e lexoi krejt këtë ajet. Për atë që e mban besatimin, shpërblimi i tij i takon Allahut. Ai që e shkel besatimin dhe e vepron ndonjërën prej tyre, ai do të ndëshkohet dhe kjo është shpagim për gabimin e tij. Kurse ai që e shkel besatimin duke e vepruar ndonjërën prej tyre dhe Allahu ia mbulon mëkatin, ai do të jetë nën mëshirën e Allahut, nëse do Allahu e fal dhe, nëse do e ndëshkon.”
Ai që ndëshkohet me dënimin e caktuar, këtij ndëshkimi nuk i shtohet dënim shtesë. Siç e përmendëm më lart ndëshkimi i tij është pastrim, madje nëse ai është i sinqertë në keqardhjen dhe pendimin e tij, ndoshta mundet që gjendja e tij të përmirësohet dhe të bëhet më i mirë sesa ka qenë para marrjes së ndëshkimit. Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Nē kohën e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, një gruaje (që kishte vjedhur) ia prenë dorën. Pasi që ajo e mori dënimin e merituar, vinte tek unë dhe nevojat e saj ia paraqitja Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Ajo u pendua me pendim të sinqertë dhe gjendja e saj u përmirësua.”
Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, në komentin e hadithit tha: “El-Kasim ibën Muhamed përcjell për Aishen, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se ka thënë: ‘Atë grua (që u ndëshkua), më pas e martoi një burrë nga fisi Beni Sulejm, ajo u pendua dhe u përmirësua gjendja e saj. Vinte tek unë dhe ia paraqitja nevojat e saj Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të….’ Në një hadith
tjetër të Mesud ibën El-Hakem që e shënon imam Hakimi thotë: ‘Ibën Is’haku përcjell që Abdullah ibën Ebu Bekër e lajmëroi atë se Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, pas ndëshkimit të saj ishte i mëshirshëm me të dhe e vizitonte.’ Në një hadith tjetër që e shënon imam Ahmedi nga Abdullah ibën Amri, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, përcjell që ajo gruaja tha: ‘Për mua a ka pendim, o I Dërguari i Allahut?’ ‘Ti sot je e pastër nga mëkati sikur ditën kur të ka lindur nëna jote,’ – iu përgjigj Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. Ibën El-Kelbij në rrëfimin e Umu Amru bint Sufjan përcjell për gruan e Usejd ibën Hudejrit se ajo e vizitoi dhe i përgatiti ushqim asaj gruaje që ia prenë dorën. Usejdi këtë veprim të gruas së vet ia përmendi Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në formë pakënaqësie, por Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i tha: ‘Ajo e mëshiroi, Allahu e mëshiroftë atë’.”
4. Përkujdesja për ndjenjat e atij që është vërtetuar pafajësia e tij nga gabimi:
Nga cilësitë e njeriut bujar është që ai nuk pajtohet me akuzën që i bëhet atij dhe, sipas mundësive, mundohet ta vërtetojë pafajësinë e tij derisa ajo të dalë në shesh.
Prandaj kur të qartësohet pafajësia e tij, nevojitet që të forcohet besimi në të, të merret në konsideratë dhe t’i kthehet prestigji i tij.
Zejd ibën Erkam thotë: “Dolëm në betejë së bashku me Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe me neve ishin edhe disa ‘earabë’ (nomadë që jetojnë nëpër shkretëtirë). Kishin nevojë për ujë, prandaj nxitonim të arrinim te vendi ku ka ujë, por nomadët ishin më të shpejtë se ne. Njëri nga ta eci më shpejt se shokët e vet, shkoi i pari dhe e mbushi basenin. E rrethoi me gurë, vendosi mbi të shkëmb a trung, derisa t’i arrijnë shokët. Pas pak te pusi erdhi njëri nga ensarët, ia liroi litarët devesë që të pinte ujë, por nomadi refuzoi që t’i jepte ujë. Kur ensariu arriti t’i rrëmbente pak ujë, earabiu e ngriti drurin dhe i ra ensariut në kokë duke i shkaktuar plagë. Ai menjëherë shkoi ta lajmëronte shokun e tij Abdullah ibën Ubejin, kokën e hipokritëve, i cili kur dëgjoi për rastin u zemërua dhe tha: ‘Mos u jepni atyre që janë me Të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, derisa të largohen nomadët përreth tij.’ Ata prezantonin te Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, gjatë ushqimit dhe Abdullah ibën Ubej tha: ‘Kur të ikin prej te Muhamedi, atëherë shkoni te Muhamedi me ushqim, që të hajë ai dhe ata që gjenden tek ai.’ Pastaj iu tha shokëve të vet: ‘Nëse kthehemi në Medine, do t’i dëbojnë të fuqishmit të dobëtit.’ Zejdi thotë: ‘Unë isha pas Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i dëgjova fjalët e Abdullah ibën Ubejit dhe ika e lajmërova mixhën tim. Ai menjëherë shkoi e lajmëroi Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të. U dërgua njëri ta thërriste Abdullah ibën Ubejin të jepte sqarime. Kur erdhi, u betua dhe e mohoi që i ka thënë ato fjalë. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, atij i besoi dhe mua më përgënjeshtroi. Erdhi mixha im dhe më tha: ‘Ti me veprimin tënd a dëshirove që Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të të urrejë dhe të të përgënjeshtrojë, dhe po ashtu myslimanët?’ Zejdi thotë: ‘U mërzita shumë, nuk besoj që dikush të ketë qenë më i mërzitur se unë.’ Ndërkohë derisa ishim në udhëtim me Pejgamberin,
lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kokën e kisha ulur nga mërzia, m’u afrua Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, më kapi për veshi dhe m’u buzëqesh përpara fytyre. Dëshirova që kjo pamje të zgjaste përgjithmonë. Pastaj më takoi Ebu Bekri dhe më tha: ‘Çfarë të tha I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të?’ Nuk më tha gjë, përveçse më kapi për veshi dhe m’u buzëqesh përpara fytyre. Më tha: ‘Përgëzohu.’ Më pas e takova Omerin dhe ai m’i tha fjalët e njëjta si të Ebu Bekrit. Kur u zgjuam në mëngjes, Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e lexoi suren El-Munafikun.
Irfan Jahiu
WWW.STUDENTET.MK