Paratë rrallë vijnë te ai që vetëm i pret. Edhe më rrallë te ai që gjithë ditën flet se “nuk ka”, “nuk mjaftojnë”, “gjithçka është shtrenjtë” dhe “s’ka shans”. Kjo nuk do të thotë se jeta është e lehtë, as se pagat janë të mjaftueshme, e as se çdokush mund të pasurohet brenda natës. Nuk mundet. Por ekziston një gjë që shpesh harrohet: paratë zakonisht shkojnë aty ku ka rregull, zakon, plan dhe pak më shumë guxim se mesatarja.
Shumë njerëz duan më shumë para, por nuk duan të shohin se ku po u ikin. Një kafe këtu, dy porosi ushqimi atje, ndonjë blerje e paplanifikuar “se ishte me zbritje”, dhe në fund të muajit portofoli është bosh, ndërsa njeriu pyet veten ku i humbi paratë. Nuk humbën. Thjesht ikën.
Njohësit e financave personale shpesh thonë se hapi i parë nuk është të fitosh më shumë, por të shohësh çfarë po bën me atë që tashmë ke. Tingëllon e mërzitshme, por është e vërtetë. Paratë nuk tërhiqen vetëm me dëshirë. Tërhiqen me sjellje.
Këshilla e parë: shënojini shpenzimet. Jo në kokë, sepse koka gënjen kur bëhet fjalë për para. Në letër, në telefon, në aplikacion . Kur njeriu sheh se për një javë ka harxhuar para për pesë gjëra të vogla që s’i duheshin, fillon të mendojë ndryshe.
Këshilla e dytë: mos i shpenzoni paratë sapo të merrni pagën. Kjo është një “dhimbje” e vjetër ballkanike. Paga të premten, xhepi bosh të hënën. Sado e vogël të jetë shuma, një pjesë e parave duhet menjëherë të ndahet mënjanë. Jo ajo që mbetet, sepse zakonisht nuk mbetet asgjë. Fillimisht kursimi, pastaj shpenzimi.
Së treti, ndaloni së bleri për t’u dukur. Telefon i ri, atlete me markë, rroba të shtrenjta, kafe në vende ku gjysma e pagës shkon për disa dalje. Le të jemi realistë: shumë para shpenzohen për përshtypje te njerëz që nesër as nuk do t’ju pyesin si jeni.
Këshilla e katërt: shmangni jetën me këste për gjëra që nuk sjellin vlerë. Kësti për banesë ose për mjete pune është një gjë. Kësti për televizor sa një mur, që e paguani dy vite, është diçka tjetër. Borxhi ndonjëherë ndihmon. Por shpesh është vetëm zinxhir me paketim të bukur.
Së pesti, investoni në dije. Nuk duhet medoemos kurs i shtrenjtë apo fakultet. Mund të jetë një aftësi që sjell të ardhura shtesë: shitje, gjuhë të huaja, marketing digjital, fotografi, riparime, kontabilitet, shkrim, montazh, zanat. Më e keqja është kur njeriu ankohet se nuk ka para, por prej vitesh nuk mëson asgjë të re.
Këshilla e gjashtë: kërkoni mënyra për të ardhura shtesë. Nuk duhet menjëherë biznes i madh. Ndonjëherë është punë fundjave, një shërbim i vogël, shitje online, punime në shtëpi, përkthime, dizajn, dërgesa, konsulencë. Të ardhurat e vogla, nëse përsëriten, nuk janë më të vogla.
Së shtati, mos kini turp të flisni për para, por flisni me mençuri. Jo me mburrje dhe jo me ankesa. Pyesni njerëzit si fitojnë, çfarë punojnë, çfarë u ka ecur, ku kanë gabuar. Shumë mësime të vlefshme merren në biseda të zakonshme,në kafe, në lagje, në zyrë apo në punishte.
Së teti, kini kujdes me kë shoqëroheni kur bëhet fjalë për zakone. Nëse i gjithë rrethi jeton nga sot për nesër, ka shumë gjasa që edhe ju të bëni të njëjtën gjë. Nëse rreth jush ka njerëz që kursejnë, investojnë, punojnë më shumë dhe mendojnë kthjellët, edhe kjo “ngjitet”. Si e mira, ashtu edhe e keqja janë ngjitëse.
Këshilla e nëntë: vendosni një qëllim konkret. “Dua më shumë para” nuk është qëllim. “Dua të kursej 1.000 euro për një vit” tashmë është diçka tjetër. Atëherë shifra merr formë, detyrim mujor dhe afat. Paratë pa qëllim shpërndahen lehtë.
Së dhjeti, mësoni të prisni. Kjo ndoshta është më e vështira. Të gjithë duan rezultate menjëherë. Sot filloj, nesër dua fitim. Por paratë shpesh vijnë si pasojë e disiplinës së mërzitshme. Muaj pas muaji. Pa duartrokitje. Pa spektakël.
Këshilla e njëmbëdhjetë: mos bini pre e pasurimit të shpejtë. Çdo skemë që premton para të lehta pa punë duhet parë me dyshim. Nëse do të ishte vërtet aq e lehtë, ai që ju shet “sekretin” nuk do ta shiste për pak para, por do ta përdorte vetë.
Së dymbëdhjeti, kujdesuni për shëndetin. Kjo tingëllon si këshillë nga rubrika mjekësore, por ka lidhje direkte me paratë. Sëmundja, lodhja, gjumi i keq, nervozizmi dhe jeta kaotike e hanë produktivitetin. Njeriu pa energji e ka të vështirë të fitojë më shumë. Trupi është kapitali i parë.
Së trembëdhjeti, rregulloni shtëpinë dhe hapësirën e punës. Jo sepse paratë do të hyjnë magjikisht nga dritarja, por sepse kaosi të harxhon vëmendjen. Kur gjithçka është rrëmujë, edhe mendimet janë të tilla. Rregulli nuk të bën të pasur, por ndihmon të mendosh më qartë.
Dhe së katërmbëdhjeti, ndaloni së foluri vetëm për mungesën. Kjo nuk do të thotë mendim fals pozitiv. Faturat janë reale, çmimet janë reale, presioni është real. Por nëse çdo bisedë fillon dhe mbaron me “s’ka”, njeriu pa vetëdije mbyllet ndaj zgjidhjeve. Në vend të “nuk kam para”, pyetja duhet të jetë: “Çfarë mund të bëj që të kem më shumë?”
Dallimi është i madh.
Paratë nuk janë vetëm numër në llogari. Ato janë zakon, vendim, disiplinë, por edhe qëndrim. Dikush do të thotë se këto janë këshilla të zakonshme, ndoshta por zakonisht, pikërisht gjërat e zakonshme bëjnë ndryshimin më të madh. Të mos shpenzosh pa menduar, të mësosh, të punosh më shumë se minimumi, të mos jetosh për përshtypjen e të tjerëve.
Dhe më e rëndësishmja: mos prit mrekulli.
Mrekullitë, të paktën kur bëhet fjalë për para, zakonisht duken si një njeri që më në fund është ulur, ka llogaritur, ka vendosur dhe ka filluar të bëjë diçka ndryshe.
Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTËT.MK