Emocionet përcillen me një numër të madh ndryshimesh fiziologjike të shkaktuara nga puna e sistemit nervor dhe sistemit endokrin. Aq sa janë pozitive emocionet, aq do të jenë intensive edhe ndryshimet trupore. Ndryshimet më të forta dhe më të shprehura trupore ndodhin gjatë kohës së afekteve.
Ndryshimet i detyrohen trashëgimisë biologjike dhe i ndihmojnë organizmit të mbijetojë. Ndryshimet më të shpeshta janë: ndryshimet në tensionin e gjakut, në refleksin e psikogalvanit (gjatë matjes së rezistencës elektronike regjistrohet zvogëlimi i rezistencës, përkatësisht rritja e përçueshmërisë për shkak të tajitjes së rritur të djersës), ndryshimet në ngjyrën e lëkurës, gjaku tërhiqet nga periferia në organet e brendshme, puna e përshpejtuar e zemrës, ndryshimet në frymëmarrje, në traktin gastrointestinal, tajitja e rritur e gjëndrave të djersës etj.
Të gjitha këto ndryshime ndodhin në fazën e parë të quajtur pika emotive nën ndikimin e pjesës simpatike të sistemit nervor vegjetativ dhe në këtë gjendje organizmi nuk është në gjendje për asnjë aksion, por në aspekt fiziologjik është i përgatitur të mbrohet.
Kur do të kalojë faza e pikës emotive, organizmi është i përgatitur për aksion. Faza e dytë e quajtur faza e ndryshimeve specifike, paraqet ndikimin e pjesës simpatike të sistemit nervor dhe fillon me punë sistemi parasimpatik, ndryshimet në organizëm qetësohen, miratohet një vendim racional për aksionet që duhet të ndërmerren. Se si një ndjenjë do të vlerësohet, shumë varet nga ajo se çka dihet për të.
Shprehja e emocioneve është ngushtë e lidhur me mësimin nga mjedisi social. Fëmijët nga mosha e hershme mësojnë t’i shprehin emocionet e prindërve të tyre. Shumë hulumtime antropologjike tregojnë se kallëzimi i emocioneve të njëjta tek popujt e ndryshëm është i ndryshëm (për shembull, ngjyra e pikëllimit tek ne është e zezë, kurse në Indi është e bardhë, pikëllimi tek ne shprehet me qarje, në disa vende afrikane me kërcime rituale dhe gërvishtje e fytyrës).
Në kulturën perëndimore, kur nxënësi e shikon arsimtarin në sy është respekt, kurse në Vietnam, sjellja e këtillë është shprehje e mosrespektimit. Tek disa fise afrikane, pështymja është shenjë e simpatisë, e tek disa popuj të civilizuar, kjo është shenjë e përbuzjes. Hapja e syve në tërë Evropën paraqet shprehje e habisë, kurse në Kinë paraqet shenjë të hidhërimit.