Origjinaliteti i shkrimit akademik
Çdo studiues i ri apo me përvojë qoftë duhet të ketë origjinalitetin e tij në shkrimin që përcjell. Ndodh që ndonjëherë, sidomos studiuesit e rinj i paraqesin idetë e të tjerëve si të tyret. Kur shkruhet duhet të gjendet zëri individual mes zërave të tjerë, shumë prej të cilëve kanë një përvojë më të hershme shkencore.
Sigurisht që gjatë të shkruarit nevojitet të kërkohen zëra të tjerë akademikë, sepse informojnë dhe ushqejnë të shkruarin, por ato s’duhet të përmbysin ose të ndikojnë idetë e vetë studiuesit. Njëra anë e këtij procesi është realiteti që nëse studiuesi nuk është shumë i lidhur me literaturën, bie pre e një kritike të panevojshme nga homologët më të mirëinformuar.
Nga ana tjetër është fakti, që nëse studiuesi lidhet shumë me literaturën e disiplinës ku po shkruan, atëherë rrezikon të radhisë punën e tij përkrah asaj ekzistuese, ku nuk ka hapësirë për zërin e freskët ose pikëvështrimin interesant, i cili domosdoshmërisht është adoptuar. Duhet të tregohet kujdes me literaturën ekzistuese në fushën ku është vendosur të shkruhet, por gjithashtu nevojitet të shfaqet një zë i ri në konceptimet shkencore, gjë që në fund të fundit përbën qëllimin qendror të çdo punimi shkencor. Të informohemi nga literaturat nuk do të thotë të kushtëzohemi nga ato, por të lexohen me kujdes zërat e të tjerëve dhe të shkruhet vetë (ideja e shkruesit të jetë individuale dhe origjinale).
Logjika dhe emocioni
Shkruesit akademik i kërkohet të hedhë një sy objektiv dhe të ftohtë mbi natyrën dhe vlerën e shkrimeve të tij, por është ende e pamundur të injorohet përmasa e rëndësishme emocionale që mund të drejtojë, motivojë dhe ndikojë mbi materialin e shkruar, në të dy mënyrat pozitive dhe negative.
Të shkruash është çështje e zemrës dhe e kokës. Kur lexohet një shkrim akademik i punuar nga dikush tjetër, lehtësisht mund të vërehet qartësia, struktura dhe koherenca e tij dhe në mënyrë sipërfaqësore mund të gjykohet si një punim i realizuar pa shumë vështirësi. Realisht ndodh e kundërta, sado i thjeshtë të jetë strukturimi dhe trajtimi i një punimi, përsëri ai bart në vetvete një punë hulumtuese dhe krijuese të pakundërshtueshme.
Një shkrim i mirë realizohet nga dëshira e shkruesit për të shfaqur aftësitë e tij, për të pranuar kritikat dhe për të riskicuar punën disa herë përpara plotësimit të saj.
Burimi: libri “Te shkruarit akademik- ide, koncepte, modele”
Përmblodhi dhe përshtati:
www.studentet.mk