Disa të dhënave nuk mund t’ju qasemi drejtpërdrejtë. Kështu, për shembull, nota mesatare e një nxënësi përmbahet në tërësinë e të gjitha notave të veçanta të tij dhe për të ardhur deri te ajo, është e domosdoshme të kryhen disa operacione të caktuara llogaritëse, të përpiqet, të harxhohet një energji të caktuar. Ashtu siç është e nevojshme që minerali i hekurit të përpunohet që të arrihet deri te hekuri, ashtu shpesh herë është e nevojshme që të dhënat “bazë” të përpunohen me qëllim që të fitohen të dhëna ose informata të tjera. Aktiviteti i tillë quhet përpunim i të dhënave.
Përpunimi i të dhënave të ndryshme është një nga aktivitete më të rëndësishme të secilit njeri biznesor pa marrë parasysh llojin e veprimtarisë që e kryen sepse informatat janë të një rëndësie fundamentale në mënyrën bashkohore të punës. Gjatë asaj, edhe më tutje mendohet për të gjitha llojet e të dhënave (numerike, tekstuale, figurative, akustike…)
Përpunimi i të dhënave mund të bëhet në mënyra të ndryshme.
Përpunimi manual është forma më e vjetër e përpunimit të të dhënave, që përdoret edhe sot. Paraqitet dhe zhvillohet me zhvillimin e tregtisë dhe shteteve. Është e njohur se si Egjiptianët, Fenikasit, Kinezët, dhe pjestarët e kulturave të tjera i kanë shkruar tekstet dhe numrat. Llogaritëset e drurit me toptha përdore mbi 5000 vjet, ndërsa shifrat arabe përdoren në Europë që prej shekullit II-të. Letrat tregtare dhe dokumentet tjera i kanë përpunuar kaligrafët dhe noterët që shkruanin me pendë pate deri në shekullin XIX.
Përpunimi mekanik i të dhënave bazohet në mjete mekanike dhe ndihmëse me të cilat njeriu drejtpërdrejt i përpunon proceset biznesore. Përdoret që nga fundi i shekullit XIX e deri më sot. Megjithëse makina e parë e shkrimit është zbuluar në vitin 1817, prodhimi serik në SHBA filloi në vitin 1874, ndërsa në Europë në vitin 1898. Makinat llogaritëse mekanike paraqiten në të njejtën kohë. Rëndësi të veçantë kanë zbulimet për transmetim të të dhënave me përçues dhe me valë elektromagnetike. Në vitin 1843 është konstruktuar telegrafi (Morse), ndërsa në vitin 1876 është konstruktuar telefoni (Bell) me ç’ka u mundësua transmetimi i të dhënave në largësi.
Përpunimi mekanografik (byroteknik) mbështetet në pajisje elektromekanike të cilat procesin e përpunimit e mekanizojnë dhe automatizojnë. Pajisjet e këtilla gjejnë përdorim të madh në mes të shekullit të kaluar. Për përpunimin e të dhënave numerike shfrytëzohen makina të ndryshme për kontabilitet, për faturim dhe për përpunim elektromekanik të të dhënave. Gjatë përpunimit të teksteve shfrytëzohen makina elektromekanike për shkrim, pajisje për adresim, pajisje për kopjim, për detektim, teleprinterët, etj.
Përpunimi elektronik i të dhënave mbështetet në zbatimin e kompjuterëve elektronik. Gjatë kësaj, të dhënat e formave të ndryshme (shkronjë, zë, figurë, etj.), duhen të paraqiten në formë të përshtatshme për përpunim elektronik. Kjo do të thotë se të gjithë të dhënat shëndrohen në formë numerike (vargje numrash, gjegjësisht vargje njëshash dhe zerosh), dhe vetë udhëzimet për përpunim (programet), janë gjithashtu në formë numerike. Për transformimin e të dhënave në formë të këtillë egzistojnë pajisje speciale (skanerë, mikrofonë, etj).
Resurset kryesore të sistemit informativ
Sistemi informativ bashkëkohor i bazuar në kompjuterë është sintezë e resurseve kryesore të tij me anë të të cilave me sukses kryhen aktivitetet e mbledhjes, përpunimit dhe të dhënies së informacioneve për shfrytëzuesit. Resurset apo elementet kryesore teknike dhe fizike të sistemit informativ janë:
• Hardveri (hardware) që përfshinë të gjitha pajisjet për mbledhje, përpunim dhe ruajtje të informacioneve si dhe pajisjet per komunikim me të parat;
• Softveri (software), që përfshinë programet dhe instruksionet për udhëheqje me vetë sistemin kompjuterik dhe kryerje të aplikacioneve të ndryshme;
• Lajfveri (Lifeware), e përbëjnë njerëzit ekspertë: shfrytëzuesit, operatorët kompjuterik, programerët, organizatorët dhe analitikët e sistemit;
• Orgveri (Orgware), ku përfshihen veprimet organizative, metodat dhe mënyrat e përshtatjes dhe të ndërlidhjes së tri komponentave të para në një tërësi harmonike, funksionale dhe ekonomike.
Të gjitha elementet e sistemit kompjuterik duhet që të jenë të përshtatura (kompatibile) dhe në nivel të njëjtë me qëllim të arritjes së rezultateve sa më të mira, P.sh. në qoftë se personeli është shumë profesionalisht i ngritur dhe i përgatitur mirë, por nuk disponon me sistem bashkëkohor të pajisjeve informative, rezultatet nuk do të jenë ato të pritura.
Burimi:Libri Bazat e Informatikës