Mund të përsëriten ose jo ndajfolje dhe pjesëza të përdorura për formimin e shkallëve krahasore dhe sipërore të mbiemrave ose të ndajfoljeve. Më shumë ato përsëriten. Përsëritja është e domosdoshme, kur ndryshe mund të lihej rast për keqkuptim: ajo përdoret edhe kur theksohet secila gjymtyrë.
E shoh më të gjallë e më të zhvilluar nga ç’e kisha lëne pese vjet me përpara. E kreu punën më mirë e më shpejt se të tjerët.
Pjesëza duke e përcjellores përsëritet, po ashtu zakonisht përsëritet për te e paskajores, pa e trajtës së pashtjelluar mohuese. Mund të përsëriten për arsye të veçanta a për të arritur efekte të caktuara:
Ti nuk do të lodhesh me mushkën duke e ngarkuar e duke e shkarkuar. Ndonëse porsa kishte kaluar mezi i natës, s’mbeti njeri pa u çuar, e pa dalë jashtë për t’i takuar e për t’i falënderuar partizanët. Kishin net të tëra pa fjetur e pa u çlodhur.
Një tufë zogjsh që pinin ujë duke e ngritur e ulur zverkun u tremben. Prapa vinin duke qeshur e biseduar të ftuarit. – Ti moj motër ma paske hedhur peshkun ne tigan, pa e larë e qëruar fare. Telegrami i parë kishte lënë njëfarë kohe për të menduar e vepruar. Ato fjalë që hyjnë në punë për të zgjeruar e plotësuar kuptimin e një fjale janë quajtur plotës.
Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe